E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: 2010-a është viti që do largojë Berishën

16/12/2009  Socialistët e Beratit protestuan kundër qeverisë

“Do të protestojmë për largimin e këtij pushteti, që grabiti votat”

Socialistët mblodhën mbështetësit e tyre dje në sheshin e qytetit të Beratit për të protestuar për largimin e kryeministrit Berisha. Në protestën e tyre të radhës përfaqësuesit socialistë kanë leshur një sërë akuzash ndaj qeverisjes aktuale, duke i argumentuar ato me situatën e krijuar në vend për shkak të krizës ekonomike. “Ne do ta bëjmë vitin 2010 vitin e lirisë së votës e do të protestojmë për largimin e këtij pushteti që grabiti votat”, - vuri në dukje Rama gjatë fjalës së tij përpara protestuesve. Ndërkohë, duke përmendur rritjen e çmimit të energjisë e vështirësitë ekonomike të qytetarëve dhe bizneseve, Rama ritheksoi vendosmërinë e opozitës për të çuar deri në fund betejën për transparencën e zgjedhjeve. “Nuk ka festë për familjet shqiptare që presin një faturë të re. Çmimi i energjisë bën zero rritjen e rrogave dhe pensioneve. Kjo do të sjellë rritje të pashmangshme çmimesh në dyqanet që do të mbijetojnë. Në këtë ngricë ekonomike që ka pllakosur vendin, ligjëron një parlament pa legjitimitet. Ky pushtet i grabitur do t’i mbajë forcërisht mbyllur kutitë e votimit, ky pushtet agresiv do të bëjë çmos për ta kthyer qeverisjen në një regjim për familjen e Sali Berishës”, - nënvizoi Rama. Njëkohësisht, duke i mëshuar sloganit që shoqëron këto protesta: “Hap kutitë ose largohu”, kreu socialist lëshoi dhe një tjetër kërkesë për kryeministrin Berisha, i cili sipas tij duhet t’u drejtohet gjykatave e prokurorisë për t’u përballur me paditë e ngritura ndaj tij për shkak të shpifjeve që kanë si qëllim trembjen e opozitës dhe largimin e vëmendjes nga kutitë e votimit. Në gjykimin e kryetarit të PS-së kreu i qeverisë nuk mund kërcënojë opozitën me darët e ligjit kur vetë ky i fundit është i zhytur në mashtrime. “Nuk e ka fajin opozita për miliona euro të varrosura në Kalimash, për viktimat e Gërdecit. Nuk e ka fajin për minierat, fushat, lumenjtë, ku korrupsioni ka shtrirë kthetrat e veta për të pushtuar gjithçka për përfitimet e disa njerëzve”, - u shpreh Rama.

Sipas kryesocialistit, Berisha ka humbur të drejtën për të qeverisur jo vetëm për vjedhjen e votave, por për mohimin e së drejtës së popullit për të parë votën e tyre. “Sali Berisha ka humbur të drejtën për të qeverisur jo vetëm se vodhi votat, por se ka ndaluar hapjen e kutive. Është një e drejtë që nuk mund t’i mohohet Shqipërisë në vitin 2010. Në vitin 2010 do ta kërkojmë me forcë këtë të drejtë, do ta kërkojmë me forcë në çdo rrugë dhe shesh të Shqipërisë derisa Sali Berisha të iki”, - theksoi Rama. Nga ana e tij kryetari i Bashkisë Berat, Fadil Nasufi, komentoi mbi arsyet se pse u protestua dje në këtë qytet. “Ne jemi këtu se s’ka zgjidhje tjetër, protesta për t’i thënë ‘ndal’ krizës ekonomike, ‘ndal’ qeverisë së paligjshme. Berisha ka cenuar rëndë autonominë vendore. Kjo qeveria po cenon rëndë biznesin e vogël. Protestat tona do të zhvillohen derisa të gjejnë zgjidhje të gjithë kërkesat tona. Kërkesa jonë themelore është hapja e kutive”, - vuri në dukje Nasufi. Ndërkohë që më 17 dhjetor PS-ja do të organizojë dy protesta, përkatësisht në Korçë dhe në qytetin e Elbasanit.

S. Gorica

Ermonela Felaj

“Unë nuk e kuptoj se si kjo fytyrë nën emrin ‘Sali Berisha’ ka kurajë t’u dalë përpara njerëzve kur ka vjedhur votat e tyre! Si mund t’u dali përpara njerëzve me dy ministra të ndjekur penalisht në qeveri?! Nuk e kuptoj si u del përpara njerëzve kur ka një krizë ekonomike! Ne i themi Berishës se tani je vënë para zgjedhjes: ose hap kutitë, ose largohu, sepse ne nuk do të lejojmë që demokracinë ta kthesh në diktaturë.”

Erion Braçe

“Sali Berisha ka ndërmarrë një fushatë lufte kundër nesh. Ne na konsideron si rrezik kombëtar. Është betuar të na eliminojë të gjithëve ne. Sali Berisha është rrezik popullor, pasi rrit varfërinë çdo ditë. Berisha është rrezik popullor, ka rritur papunësinë. Motoja korruptive e tij: shfrytëzo një milion familje për një familje të vetme, për familjen e tij, për këtë është rrezik popullor. Janari është muaji shqiptar për këtë betejë tonën, për liri e demokraci.”

Kreu i PDS-së për protestat

Milo: Rama s’na ka ftuar. Aksioni ishte i përbashkët

Kreu i Demokracisë Sociale, Paskal Milo, komentoi dje lidhur me organizimin e protestave nga ana e Partisë Socialistëve gjatë dy ditëve të fundit. Sipas kreut të PDS-së, në protestat e kësaj jave aleatët nuk janë të ftuar. Për më tepër, Milo i mëshoi faktit së nuk ka pasur asnjë lajmërim për partitë më të vogla për aksionin politik të së majtës. “Nuk kemi pasur asnjë informacion apo asnjë kontakt për mënyrën se si do të organizoheshin këto mitingje-proteste nga ana e PS-së, gjithnjë duke shkuar me bindjen se aleatët njoftohen zakonisht në fund. Ne kemi pritur një njoftim në fund, më konkretisht dje paradite, por nuk e kemi pasur një gjë të tillë dhe për rrjedhojë nuk kemi qenë prezent në mitingun e PS-së të organizuar në qytetin e Durrësit përpos nevojës për konsultime reciproke ose për një informim minimal se aktivitetet PS-ja ka vendosur t’i zhvillojë vetë dhe pa praninë e aleatëve”, - vuri në dukje Milo gjatë fjalës së tij. Ndërkohë kreu i kësaj partie bëri me dije edhe lidhur me faktin se në takimin e fundit të aleatëve është diskutuar në grup pa bërë dallime, duke marrë si të mirëqenë bashkëpunimin për protestat. “Nuk ishte se ishte përcaktuar një kalendar veprimesh protestuese të kësaj natyre që po shohim dhe pas atij takimi nuk kemi pasur konsultime të tjera rreth mënyrës si do të veprojmë tani e në të ardhmen. Ndoshta gjatë ditëve në vijim do të kemi ndonjë takim, që të sqarohemi për taktikat e reja që ka adoptuar PS-ja për vazhdimin e protestave”, - nënvizoi Milo.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›