E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: 21 janari - sfida finale e shtetit të së drejtës

02/02/2012  Programi i ri politik, PS organizon tryezën për drejtësinë

Mirëfunksionimi i shtetit të së drejtës dhe kthimi i besimit të qytetarëve te drejtësia duhet të jenë shtyllat mbi të cilat të përqendrohet puna për plotësimin në detaje të programit politik të Partisë Socialiste. Një qëndrim i tillë u bë dje publik nga vetë kreu i kësaj partie Edi Rama gjatë tryezës së organizuar nga grupi i punës së ngritur pranë PS-së për hartimin e asaj pjese të programit që lidhet me drejtësinë. Por në fjalën e tij kryetari Rama nuk mund të mos përfshinte dhe një tjetër problem që shfaqet në sistemin e drejtësisë, e konkretisht zbardhjen e ngjarjeve të 21 janarit. Në gjykimin e kreut socialist zbardhja e 21 janarit është një sfidë e shoqërisë. “Shoqëria jonë përballet me një sfidë që është sfida e së vërtetës së 21 janarit dhe e ndëshkimit të atyre që vranë dhe atyre që urdhëruan vrasjen. Është një përballje që në këndvështrimin tim nuk lidhet thjesht me fatin e një procesi hetimor e më pastaj gjyqësor, por lidhet me fatin e shtetit të së drejtës për vite të tëra, është një sfidë që në mënyrë përcaktuese do të tregojë gjithë atë zinxhir padrejtësish e provash mbi të cilat shoqëria ka krijuar bindjen se kultura e pandëshkueshmërisë është e pathyeshme, do të marrë fund, dhe kjo do të jetë e nesërmja”, - vlerësoi Rama. Madje në po këtë linjë, kre Rama deklaroi qëndrimin e tij se “në rast se kjo sfidë nuk do të fitohet nga drejtësia dhe nuk do të përcaktohet nga e vërteta e zbardhur mbi fakte e prova, atëherë pa dyshim 21 janari do të shërbejë si një kapak i rëndë për t’u lëvizur nga vendi mbi të gjithë sistemin e drejtësi dhe si një gur i rëndë në vendosjen e një sistemi padrejtësie në themele të funksionimit të gjërave në Shqipëria”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›