E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: 9 maji, triumfi mbi të keqen



Aristir Lumezi

Kryetari i Partisë Socialiste deklaroi dje se nuk do të ketë tërheqje nga protesta dhe greva e urisë, deri në plotësimin e kauzës për transparencën e zgjedhjeve. Opozita zhvilloi mitingun e dytë të madh të protestës pas atij të 30 prillit, ku në Bulevardin "Dëshmorët e Kombit" u mblodhën me mijëra mbështetës. Rama tha se 9 maji është dita e triumfit ndaj të keqes, duke bërë paralelizëm mes triumfit ndaj Luftës së Dytë Botërore dhe protestës së opozitës. Ai bëri thirrje për bashkim, duke nënvizuar se kjo protestë dhe greva e urisë nuk është si përpjekjet e tjera, por është një protestë kundër frikës që del nga dy godinat në të dy krahët e bulevardit. "9 maji i vitit 1945 është dita e triumfit mbi të keqen që kërcënoi Evropën. 9 maji i vitit 1950 është dita e deklaratës që projektoi bashkimin e Evropës. Sot më 9 maj, në zemër të Shqipërisë, në mes të bulevardit është ngritur një çadër që bën historinë dhe në krah të majtë dhe të djathtë qëndrojnë dy godina të dy pushteteve, të cilat Kushtetuta i përcakton si pushtete të popullit, ndërkohë sot ne ndjejmë, shohim dhe prekim se nga këto dy godina, jo vetëm nuk dalin ligjet që ne duam, që nuk zbatohen, por dalin fantazmat e një frike që shpërndahet kudo", u shpreh Rama. Kreu socialist bëri apel që shqiptarët të bashkohen për të luftuar të keqen e madhe dhe mungesën e lirisë. "Jemi shumë pak për të qenë të përçarë, të trembur", nënvizoi kryetari socialist, nga podiumi i ngritur para Kryeministrisë, duke shtuar se "kujtesa historike e Evropës mbi fashizmin, duhet të na ndihmojë për të kuptuar se në themelin e mirëqenies është kurajoja, në themelin e demokracisë është liria". Kreu socialist iu referua iluministit të madh francez, për të shprehur forcën e socialistëve në këtë protestë. "Volteri i madh thoshte një fjalë, që e pashë të udhës ta sjell këtu sot: 'është e rrezikshme të kesh të drejtë, kur Qeveria e ka gabim'. Kjo çadër është simboli i sfidës së madhe të popullit opozitar, i sfidës së madhe të atyre 1 milion shqiptarëve që kanë marrë pjesë nëpër protesta në gjithë këta muaj", u shpreh Rama.

Paskal Milo, ultimatum Berishës
Kreu i PDS-së, Paskal Milo, i bëri thirrje Kryeministrit se ka në dispozicion të tij edhe 48 orë për të hapur kutitë. "Nëse do që Shqipëria të integrohet në Evropë, afati është deri pasnesër pasdite. Nëse do integrimin, liberalizimin e vizave, nëse do të përmbushë ato që kërkojnë shqiptarët, të hapë kutitë", u shpreh Milo. "9 maji i këtij viti vlen të kujtohet sot në koalicionin e lirisë dhe të drejtës", tha Milo, duke këmbëngulur në hapjen e kutive si minimumin e transparencës.

Xhafaj: Jemi të fortë moralisht
Deputeti grevist Fatmir Xhafaj, tha dje se grevistët janë të fortë vetëm moralisht. "Fizikisht nuk jemi aq mirë sa kemi qenë 9 ditë më parë. Kjo është normale, pasi mbahemi vetëm me ujë dhe serum, por kemi moralin lart. Sfidojmë cilindo të marrë mundimin të vijë të qëndrojë 24 orë mes nesh, ta vërtetojë këtë sakrificë. Kjo është greva e urisë më e madhe, më e shtrirë në kohë dhe më transparente, pasi kërkojmë transparencën e procesit elektoral, që Qeveria e bëri pis", tha Xhafaj.

Aneta Rama në protestë
Nëna e kryetarit socialist Aneta Rama nuk i është ndarë për asnjë çast protestave të socialistëve. Ajo ishte edhe dje në protestën e dytë të madhe të PS, duke ndjekur me shumë vëmendje fjalimet e pjesëmarrësve. E rrethuar nga miq të familjes, Aneta Rama ka dëgjuar dhe parë për orë të tëra të gjitha fjalimet nga ballkoni i një prej lokaleve në katin e tretë të "Kullave Binjake". Ndërsa pas mitingut të protestës, ajo është rrethuar nga miq dhe është përshëndetur nga i biri, Edi, për durimin e treguar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›