Mësuesit e gjimnazeve, vetëm me mastera 2 vjeçarë
zirina llambro
Master dy vjeçar, një gjuhë të huaj dhe aftësi për të dhënë një lëndë tjetër mësimore. Këto do të jenë kushtet e reja për të gjithë mësuesit që do të nisin punë në gjimnaze. Reformën, Ministri i Arsimit, Myqerem Tafaj, e lançoi një javë pas marrjes së postit, e duket se shumë shpejt ajo do të konkretizohet. Këtë pohojnë burime të sigurta pranë MASH. Ato sqarojnë se me vendosjen e këtyre kritereve do të hapen edhe programe të reja masterash për mësuesit, në mënyrë që ata të kualifikohen më tej. "Në këto programe studimi do të ofrohen kurrikula të tilla, në mënyrë që mësuesit e gjimnazeve, pasi të përfundojnë masterin të jenë të aftë të japin edhe një lëndë tjetër. P.sh një mësues letërsie të mund të japë edhe histori arti", sqaruan burime pranë MASH. Sa i përket mësuesve të vjetër, që kanë vite të tëra pune në arsim, burimet bëjnë me dije se nuk do të ketë largime nga puna. "Kjo reformë nuk synon të krijojë luftë brezash, nuk mund t'i hidhet puna poshtë mësuesve të vjetër. Por ajo çka synohet është kualifikimi i mësuesve të rinj dhe atyre që do pranohen të japin mësim në gjimnaze", saktësojnë burimet. Por Ministri i Arsimit ka qenë më i ashpër në deklaratat e tij të mëparshme. Ai ka theksuar se nuk do të pranohen më në shkolla mësues pa master, ndërsa në vitin 2013, kush nuk ka plotësuar këtë kriter do të detyrohet të lërë vendin e punës. "Mësuesit e shkollave të mesme në Shqipëri, sidomos të klasave të 11 dhe 12, nuk mund të jenë mësues, pa përditësuar njohuritë e tyre në fushën shkencore, ku kanë kryer studimet për lëndën bazë që bëjnë, pa thelluar studimet përmes studimeve të masterit. Nuk mund të punojë në klasë me nxënësit që kanë kontakt përditë me kompjuterin, me anglishten, apo me një gjuhë tjetër të parë", është shprehur Tafaj. Gjithsesi, përtej kësaj ambicieje për të pasur mësues të kualifikuar, në realitet nuk është gjithmonë kështu. Jo vetëm në rrethe, por edhe në gjimnazet e kryeqytetit gjen mësues që nuk dinë të përdorin kompjuterin, apo nuk dinë të bëjnë tërheqëse orën e mësimit. Po kështu, edhe në gjimnazet më në zë të Tiranës, janë me dhjetëra ata arsimtarë që detyrojnë nxënësit të shkojnë në kurse private. Kryesisht "viktimat" janë nxënësit e dobët ose mesatar, të cilët në pamundësi për të kuptuar lëndën në klasë, detyrohen të ndjekin këto kurse për të kaluar në fund të vitit. Nga sa pohojnë vetë nxënësit, presioni i notës vijon të përdoret nga një pjesë e mësuesve për përfitime personale.
Testimi
Në datën 15 maj, mësuesit do të marrin vesh nëse përfitojnë apo jo shtesën në pagë. Për secilën kategori ku ata kanë aplikuar, vetëm rezultatet pozitive në testimin e zhvilluar disa javë më parë, mund t'ua japin këtë mundësi. Korrigjimi i testeve është drejt fundit dhe pritet që këto ditë të listohen fituesit në këtë minikonkurs karriere. Vitin e kaluar u vërejtën jo pak mangësi në formimin e mësuesve. Sidomos në rrethe, shumë prej tyre e kaluan testin me "paterica". Por specialistët u treguan dorëlëshuar, duke cilësuar mbetës fare pak prej tyre. Në rast se një mësues nuk kalon testin e bërë për shkallët e karrierës, ai humb këtë vit të drejtën e shtesës në pagë.
Platforma
Një grup pune po punon për hartimin e platformës për mastera dhe diploma të nivelit të dytë (DND) në Shkencat e Edukimit. Vitin e shkuar u çelën një sërë programesh, ndërkohë që pritet të hapen të tjera. Mësuesit do të kenë vetëm tre vjet kohë për t'u specializuar në lëndën që japin mësim. Nëse ata nuk do të arrijnë ta kapërcejnë këtë kualifikim, sipas kreut të MASH do të largohen nga puna. Për rrjedhojë, duke filluar nga viti 2013, asnjë arsimtar në shkollat e mesme nuk do të punësohet, nëse nuk do të ketë mbaruar një Master, nuk zotëron një gjuhë të huaj, dhe kompjuterin.