E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Shokë të opozitës, dilni nga kafazi



Kryeministri Sali Berisha vazhdon turin e përurimeve në zonën e Paskuqanit ku përuroi përfundimin e punimeve për segmentin e parë të unazës së Paskuqanit. Në fjalën e tij kreu i Qeverisë tha se vendi nuk është në krizë, pasi infrastruktura ka pësuar ndryshime të mëdha. "Sot sërish ka nga ata të cilët që nga mëngjesi gjer në darkë iu bien sirenave të krizës. Le t'u themi bashkë këtyre shokëve apo zotërinjve: Me çfarë ndërtohen këto rrugë ore zotërinj? Me çfarë ndërtohen këto shkolla? Urdhëroni dhe shikoni! Mos bëni rolin e atyre që kanë sy dhe nuk shikojnë se ajo është absolutisht marrëzi. Urdhëroni shikoni rrugët që asfaltohen, shkollat që ndërtohen, ujësjellësit që ndërtohen dhe do të kuptoni se Shqipëria është në ndërtim dhe jo në krizë", tha kreu i Qeverisë. Por ndryshe nga një ditë më parë kur nga një inaugurim në Lezhë nuk bëri asnjë koment për grevën e opozitës, nga rrethinat e kryeqytetit Berisha i kërkoi asaj të lërë grevën dhe të shohin, sipas tij, Shqipërinë që po ndryshon. "Të nderuar shokë, të nderur zotërinj, dilni nga kafazi, dilni nga kutia dhe njihni Shqipërinë tjetër, Shqipërinë që zhvillohet, Shqipërinë që ecën çdo ditë drejt idealit të saj evropian. Ndaj dhe unë ju ftoj, i ftoj shqiptarët, sot më shumë se kurrë të përkushtuar ndaj vlerave evropiane, sot më shumë se kurrë të përkushtuar ndaj idealit evropian, sepse sot janë më afër se kurrë shndërrimit të tyre në realitet", vijoi më tej Berisha. Sipas kryeministrit, dëshmi e faktit se vendi nuk është në krizë, është rritja e rrogave dhe pensioneve që do të bëhet në 1 korrik. "çfarë do tu thoni qytetarëve të Paskuqanit, qytetarëve shqiptarë, kur më 1 korrik do të njohin rritjen më të madhe të rrogave dhe pensioneve në tërë historinë e vendit. A e kuptoni ju se kriza zhvillohet vetëm në psikikën tuaj?", iu drejtua kreu i maxhorancës opozitës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›