Një natë pa gjumë me grevistët që nuk duan të dorëzohen
Ferdinand Dervishi
Pas tetë netësh dhe shtatë ditësh pa ngrënë, të përshkruash dhe shoqërosh me fotografi gjendjen e grevistëve të urisë në qendër të Tiranës, përplasesh me censurë të marrëveshjes. Sepse edhe njerëzit e vlerësuar si ndër më të fortët, tashmë paraqiten me një pamje aq të stërmunduar dhe aq të lodhur, saqë kur flasin e japin këto të dhëna, përdorin shpesh këshillën apo lutjen: "Këtë të lutem nuk do ta shkruash. Nuk dua që familjarët të terrorizohen. Se shkulen e vijnë të gjithë këtu..." Mosaprovimi përsëritet edhe kur vjen puna për të shkrepur aparatin për një foto ilustruese.
është mbrëmja e datës 8 maj 2010 dhe shëndeti i rreth 185 socialistëve të grevës së urisë, deputetëve dhe mbështetësve, paraqitet me parametra të ndryshuar krahasuar me katër ditë të shkuara, kur "Panorama" preku nga afër gjendjen e tyre. Grevistët thonë se kanë harruar dhimbjen e kokës e e të barkut, edhe pse në pjesën e fundit të tij ndiejnë një peshë të rëndë të pashpjegueshme. Thonë se problemi kryesor këto ditë kanë qenë dhembja e kyçeve, sidomos e gjunjëve dhe më keq akoma mpirja e këmbëve, shoqëruar me një dhimbje të vazhdueshme të mesit. Ndërsa kur i ke përballë e të flasin, u vëzhgohet lehtësisht gjuha në ngjyrë të bardhë apo jeshile, vende-vende e çarë. Mjekët u thonë se kjo ka ardhur për pasojë se myku ka gjetur terren për shkak të mosngrënies. Kështu që një medikament i quajtur "daktarin", për lyerjen e gjuhës, është shpërndarë me shumicë.
Dilema për
zgjatjen e grevës
Pas tetë ditësh pa ngrënë, pas tetë ditësh të ngujuar në 5 mijë metër katrorë sipërfaqe, pas tetë ditësh pa asnjë haber për fatin e ndërmarrjes së tyre, pas tetë ditësh që pinë vetëm ujë, një lëng që tashmë u zbret në bark pa elementë të prezencës së tij, si nëpër tuba xhami, madje duke u dhënë në shumë raste edhe alergji, mendimet e një pjese të grevistëve është e vështirë ti lexosh. Ndërsa pyetja e madhe, që nuk merr përgjigje është: Edhe sa do zgjasin këta njerëz, edhe sa do durojnë? A do ketë një fund, apo ky fund për fat të keq është i palexueshëm jo vetëm nga njëra anë e tij, nga njëri ekstrem?
Ndërsa nata avitet e ftohtë. Pas mitingut të mbrëmjes, një kohë që të gjithë e quajnë si më të këndshmen e gjithë ditës, grevistët, një pjesë e tyre, mblidhen pas televizorëve. Sepse mund të shohin vetëm televizor. Pak ditë më parë ata porositën libra, artistikë kryesisht. Ndërsa aty nga dita e pestë e grevës porositën DVD me filma. Por mbërritur në ditën e tetë grevistët pohojnë se kanë fuqi të lexojnë vetëm titujt e gazetave dhe të shohin televizor. Kështu që në 5-6 televizorët e montuar në brendësi, ata që janë në gjendje më të mirë fizike, ndjekin, në shumicën e tyre, spektaklin javor të "Big Brother" dhe në pakicë, një ndeshje futbolli. Ndërkohë pjesa më e madhe shtrihet në gjumë. Një gjumë që duket sheshit se nuk i zë menjëherë.
Asllan Dogjani, deputeti i Kukësit, duket entuziast, si katër ditë më parë. Edhe dhjetë kuksianët e tij mbahen mirë, megjithë problemet e shtuara në shëndetin e dy prej tyre.
"Kemi rënë në peshë nga 5 deri në 10 kilogramë dhe njëkohësisht na ka ikur ndjenja e urisë prej 2-3 ditësh. Pra nuk na shkon mendja për ushqim. Na duket sikur nuk kemi ngrënë asnjëherë, ndërkohë që uji që pimë na zbrazet në stomak, si në një enë pa jetë. Na janë shtuar edhe ëndrrat e këqija...", thotë Asllani duke shtuar se gjithsesi mendërisht të gjithë ndihen shumë mirë. Se shumë njerëz, të njohur e të panjohur, nga vendi dhe nga shumë vende të botës, i kanë marrë në telefon, duke u shprehur solidaritet.
Një tjetër grevist pranë, që qëllon të jetë nga Shkodra, ruan jo vetëm për vete një sens të lavdërueshëm humori. Ndërhyn kur dëgjon shpjegimet për marrëdhëniet me ujin e pijshëm. "E pimë të ftohtë dhe e nxjerrim të nxehtë. Del krejt i kthjellët, si uji i dushit...", thotë duke u shkaktuar të qeshurat e të gjithëve që e dëgjojnë.
Në bisedë e sipër, një nga kuksianët tregon problemet që i kanë dalë me vajzën e vogël 3 vjeçare, e cila i kërkon me ngulm numrin e ditëve se sa do rrijë larg saj. "Ka katër ditë që s'më del në telefon. Sa nis të flas me nusen, e dëgjoj vajzën teksa largohet duke qarë", rrëfen ai, duke hedhur e mbajtur për disa sekonda të gjata, diku tej, vështrimin e shpërqendruar.
Pak metra më tej, Besnik Bare, deputeti i Tiranës, i shtritë në krevatin e tij, formon një pamje të lodhur. Poshtë kokës duket se ka krijuar një vend të rehatshëm për qafën, pasi nuk e lëviz atë shumë kur flet.
"Kam pasur probleme. Marrje mendsh, përzierje dhe për më keq një tension 8 me 5. Mjekët më sollën në vete, më bënë urgjent një serum. Sot, djali 10 vjeç, e mori vesh nga lajmet për herë të parë se unë isha në grevë dhe nisi të më qante në telefon. Por pak më vonë më qetësoi shumë Dritëro Agolli, kur më mori në telefon e më tha se, po të ishte ca vjet më i ri në moshë, do ishte bashkuar me ne", rrëfen Besniku duke shtuar edhe ai se ka marrë një numër rekord mesazhesh e telefonatash mbështetëse dhe vetëm një të vetme, nga jashtë vendit, që shante në një dialekt të rëndë.
Blendi Klosi, deputeti i Durrësit, për të cilin u mësua herët se vuante nga diabeti, thotë se vazhdon të mbahet dhe se psikologjikisht është krejt OK.
"Më habit shumë fakti se tani nuk më shkon fare mendja për bukë. Dëgjoj që bëhen biseda për gjellë të ndryshme të shijshme, por krejt habitshëm tani nuk më shkon mendja. Nuk e dija që njeriu mund të rrijë 8 ditë pa bukë. Kështu që, që nga momenti kur vlerësova këtë fakt, binda veten se mund të rri këtu brenda edhe 16 ditë të tjera. Sepse vazhdon të na mbajë gjallë ai premtimi që u kemi dhënë njerëzve", shpjegon Blendi me atë mënyrën e vet, që të jep përshtypjen e një njeriu moskokëçarës.
"Moos, këtë të mos e kishit dhënë!", të shkëpusin vëmendjen disa zëra nga ata që shohin në Tv emisionin "Big Brother", sepse në ekran ishte shfaqur një tavolinë e stërmadhe me gatime të ndryshme me mish pule.
Ora 00:06
Situata elektrizohet. Stafi ndihmës i grevës nis të lëvizë sipas ca urdhrave që shpërndahen nga mjekët. Një djalë nga Fieri, Ervin Bushi, duhet të dërgohet në spital. është i pesti gjatë 24 orëve të fundit. është nxirë në fytyrë dhe paraqet një gjendje të rënduar edhe pse gjatë ditës mjekët i kanë qëndruar afër duke i dhënë serum në dy raste. Vendimin përfundimtar e merr deputeti i Tiranës, Fatmir Xhafaj. Sepse ai, edhe pse të pashpallura, duket ka atributet e drejtuesit të grevës nga brenda saj. Një nga shokët e tij vrapon të marrë një palë çorape ndërsa një vajzë nga të stafit ja vesh grevistit të sëmurë pa përtuar. Të mbledhur në një konsultë kokë më kokë, mjekët dhe deputeti Xhafaj vendosin ta nisin në spital. Në këtë moment një deputet nga ata që presin jashtë, në njërin nga lokalet e kullave binjake, duhet të vijë që ta shoqërojë grevistin e sëmurë për në spital. Ndërsa halli më i madh për t'u përmbushur u del shokëve, pasi duhet të lajmërojnë familjarët e të sëmurit, më saktë ti bindin se shëndeti i të afërmit të tyre nuk është në një pikë kritike, se mjekët po i qëndrojnë pranë, etj.
Në krahun hyrës të çadrave, Arben Ahmetajn, deputetin e Korçës, një tip shumë energjik në ndihmë të gjithkujt që i duhet kjo ndihmë, nuk e ka zënë gjumi. "Nga dita e gjashtë kam pasur një dobësi që nuk më largohet. Në ditët e para flija dhe zgjohesha i çlodhur, tani fle dhe zgjohem i lodhur. Ky është ndryshimi. Kam një ndjenjë boshllëku, por jo uri. Gjithsesi ndihem mirë dhe nuk kam marrë ende asnjë serum. Mbase sporti më ka ndihmuar të jem kaq mirë, sepse unë kam mbajtur gjithmonë një peshë të kontrolluar.", thotë Ahmetaj duke shtuar se edhe ai ndihet shumë lart psikologjikisht. "Ndonjëherë qëllon që niset diçka krejt pa pretendime dhe qëllon të kthehet në një lëvizje idealiste, ndërsa këtë radhë ne e kemi nisur gjithçka me ndërgjegje të plotë, prandaj presim një rezultat shumë më të madh", sqaron Ahmetaj pjesën pa uri të së tërës.
Ora 01:01
"Tani nis festivali i gërhimave", thotë me shaka një nga djemtë "STAF". Dhe, në fakt, nuk është shaka. Sepse në këtë pjesë të parë të gjumit, ka një numër të pafund grevistësh që gërhijnë, apo më keq akoma. Gjithsesi ky është edhe orari kur jeta nën çadra ka marrë fund dhe të gjithë, pothuaj, i ka marrë gjumi. Kokë kur stafi kujdeset që të mbulojë të gjithë ata që lëvizin e zbulohen pa dashur. Por edhe kohë kur stafi mblidhet pas një nga furnelave ngrohëse me gaz për të bërë një dorë bisedë me zë të ulët. Vend ku dëgjon edhe batuta apo barcaleta që kanë në qendër të tyre pikërisht grevën.
"Dje Fatmiri, Xhafaj, pyeti ata të Vlorës: Hë mo, si jeni? Dhe ata i'u përgjigjën: Si nga Vlora", ishte batuta e parë në radhë. Kjo hapi lojën. "Dje sollën brenda grevës një kanarinë. Me gjithë kafaz, kuptohet. Dikush hodhi: Kujdes se mos i hani farat kanarinës dhe e fusni edhe atë në grevë urie", rrëfeu një nga djemtë.
Ndërkohë deputeti Xhafaj kalon pranë dhe vë në lëvizje gjithë stafin, pasi u thotë se ka parë rreth 10-15 grevistë të zbuluar.
Ora 01:45
Te soba ka vetëm tre veta nga të stafit, ndërsa në dhomën e mjekëve janë dy femra të grevës që mbahen nën kontroll si dhe deputeti i Shkodrës Ilir Beqja, që po merr një serum. Një nga vajzat shkon sërish të mbulojë një nga grevistët, të cilit tashmë i kanë vënë nofkën "problematiku".
Ora 02:15
Të gjithë flenë. Gërhimat janë rralluar. Motori i ndezur i një kamioni afër grevës shqetëson stafin. Një prej tyre shkon e flet me shoferin.
Ora 02:38
"Ekzemplari" zbulohet dhe mbulohet njëherë në 5 minuta. Vajzat "STAF" pranë sobës, thonë se tashmë janë mësuar me huqet e ca tipave, të cilët i quajnë edhe "përsëritës".
Në rrugicën mes Kryeministrisë dhe çadrave dëgjohen të qeshurat e një grupi vajzash e djemsh, që duket ktheheshin nga ajo që quhet "jetë nate". Batutat që lëshojnë me zë të lartë e bëjnë stafin të mprehë dëgjimin. Një nga vajzat "jetë nate" nis të mallkojë. Stafi mpreh edhe më dëgjimin dhe lehtësohet kur kupton se mallkimi nuk përplaset me çadrat, por me muret e mermerta të Kryeministrisë. "Qenkan dora jonë", thotë një nga djemtë buzagaz.
Ora 02:57
Ca pika shiu alarmojnë stafin. Gjithsesi ai nuk nis.
Ora 03:22
Dëgjohen zërat e hapërdarë në ajër dy të meshkujve. Nga analiza e fonisë japin përshtypjen e të dehurve. Njëri duket i huaj, flet anglisht. Stafi sërish alarmohet. Ata mund të shqetësojnë, të zgjojnë grevistët. Zërat e dy "të dehurve" dëgjohen më qartë dhe më fort. Duket se janë fare afër duke kaluar. Pastaj ndalojnë dhe nisin sharjet, në dy gjuhë, shqip dhe anglisht. Këtë radhë e kanë me grevistët. Djemtë e stafit dalin jashtë. Por shokët e tyre, që bëjnë shërbim jashtë, tashmë u janë afruar dy "të dehurve". Atij që shante në anglisht i kërcet një pëllëmbë shqeto qafës, ndërsa tjetri, paksa ezmer, merr vrapin dhe nuk ndalon as pasi kalon urën e bulevardit. Policia e Shtetit afrohet dhe bën pjesën tjetër më të "dehurin" që shante në gjuhën angleze.
Ora 05:20
Nisin të zgjohen grevistët e parë. Madje kanë vënë orët në zile, që të kapin radhën për të bërë dush. Në bulevard fiken një pjesë e ndriçuesve, ndërsa në qiell shfaqen re të zeza, shqetësuese. Ca harabela bredhin në sheshin mes çadrave, pa mundur të çokisin me sqep asnjëherë të vetme.
I kthyeri
Demo Muhaj është një grevist nga Tirana që u dërgua pak ditë më parë me urgjencë në spital dhe që 24 orë më pas u kthye për të vazhduar grevën. Sapo i ka dalë gjumi dhe thotë se nuk ndihet fort keq. "Të enjten më dërguan në spital. Kisha tension të lartë, 17 me 15, dhe një bllokim në gjoks. Të premten u ktheva sërish në grevë. Nuk mund të shkoja në shtëpi, se do më dukej vetja besëprerë. Sa ndjeva që u bëra mirë, thirra një shok, që më solli me makinë. Spitali ka nisur një dokument, këtu në grevë, që thotë se unë lajm larguar pa u kuruar plotësisht dhe pa lejen e tyre", rrëfen Demo Muhaj peripecitë e tij.
Vazja ka mësuar fjalën "çadër"
Ermonala Felaj, deputete e rrethit të Beratit, një nga femrat e pakta të grevës, ka një tjetër koncept për rezistencën. "Nuk është e para fuqia fizike për të rezistuar në grevë, por fuqia e mendjes. Unë mbahem mirë, mbase edhe për shkak të metabolizmit, por e bindur jam se para së gjithash mbahem sepse jam e fortë mendërisht", nis të flasë deputetja në nisje të një bisede të ngeshme. Grevistja pranon se ditët e fundit ka pasur dhe ka shqetësime me mpirjen e gjymtyrëve dhe me krahun e majtë dhe se ajo metoda e vendosjes së një nënkrese poshtë gjunjëve e ka ndihmuar shumë. Ndërsa pika e dobët, vajza 2 vjeçe, që vjen dhe e viziton, sipas Felajt, tashmë ka konceptuar se këtu te çadrat, gjendet "shtëpia e mamit" dhe njëkohësisht ka mësuar fjalën "çadër". "Kur e mendoj, nuk më vjen mirë që një nga fjalët e para të mësuara nga vajza ime është fjala 'çadër'. Gjithsesi, pavarësisht gjithçkaje negative të sjellë, unë jam e bindur plotësisht për vlerën e kësaj që po bëjmë. Më kanë marrë në telefon edhe mbështetës të Partisë Demokratike. Miq të mi. Dhe më kanë mbështetur. Sidomos ata që jetojnë jashtë shtetit, që i shohin gjërat më ftohtë, jashtë interesit. Por më shumë më kanë prekur njerëzit që vijnë e na përshëndesin. Kështu që unë për veten time e kam vendosur. Do vazhdoj në grevë pafundësisht. Largimi këmbehet vetëm me atë që kërkojmë".