Rama-Alibeaj, përplasje për shkarkimet
Trazhgim Sokolaj
Tentativa e Ministrisë së Drejtësisë për të dhënë masa disiplinore ndaj 22 prokurorëve të Tiranës duket se do të shkaktojë përplasje mes Prokurorisë dhe dikasterit në varësi të ekzekutivit. Ministria e Drejtësisë pak ditë më parë përfundoi kontroll-inspektimin e përgjithshëm në Prokurorinë e Tiranës, ku janë gjetur shkelje serioze. Një grup prej katër inspektorësh prej disa muajsh ka zhvilluar inspektime në Prokurorinë e Tiranës duke verifikuar kallëzimet penale të mosfilluara, si dhe procedimet penale të pezulluara. Në dijeni të inspektimit është edhe Prokuroria e Përgjithshme, e cila tha se bëhet fjalë për inspektimin dhe kontrollin e dosjeve e kallëzimeve penale deri në vitin 2006. Raport-kontrolli ende nuk është dorëzuar në Prokurorinë e Përgjithshme edhe pse sipas ligjit, organi qendror i akuzës dhe Këshilli i Prokurorisë, janë strukturat që veprojnë në rast masash disiplinore ndaj prokurorëve. Burimet zyrtare nga Prokuroria e Përgjithshme konfirmuan dje se do të marrin në dorëzim raport-kontrollin e Ministrisë së Drejtësisë dhe më pas, do të bëjnë verifikime mbi të. “Pasi të njihemi me raport-kontrollin, ai do t’i kalojë Drejtorisë së Inspektimit, e cila do të verifikojë nga ana e saj pretendimet e Ministrisë së Drejtësisë duke parë çështjet nga afër në Prokurorinë e Tiranës”, thanë burimet. Zyrtarët e Prokurorisë konfirmuan se nuk do të ketë zbatim apriori të masave që kërkon Ministria e Drejtësisë pa verifikuar shkeljet nga Drejtoria e Inspektimit në prokurorinë e Përgjithshme. “nëse shkeljet verifikohen dhe rezulton se qëndrojnë, mbi bazën e kontrollit nga Drejtoria e Inspektimit në Prokurorinë e Përgjithshme dhe jo mbi bazën e kontrollit të Ministrisë së Drejtësisë, Këshilli i Prokurorisë do të propozojë masat konkrete”, shtuan më tej burimet.
Shkelje të rënda me dosjet
Inspektorët e Ministrisë së Drejtësisë pretendojnë se kanë gjetur një mori shkeljesh e abuzimesh në Prokurorinë e Tiranës. Sipas tyre, në mënyrë të paarsyetuar dhe të paligjshme është vendosur mosfillimi për rreth 20 për qind të kallëzimeve penale të mbërritura në prokurori. Sipas inspektorëve të Ministrisë së Drejtësisë vendimet për të mos filluar hetimet kanë qenë në kundërshtim me ligjin dhe të pa arsyetuara, pasi prok urorët që kanë marrë me verifikimin e tyre, nuk kanë bërë hetime të plota që të konfirmojnë vërtetësinë e krimit. Prokuroria ka vendosur të mos fillojë hetimet për mungesë të veprës penale apo se krimi nuk parashikohet i tillë nga ligji, megjithatë Ministria e Drejtësisë pretendon të kundërtën. Shkelja e dytë që është konstatuar nga kontrollorët e dikasterit të drejtuar nga Alibeaj, është kualifikimi i veprave penale. Në dhjetëra raste, për shembull, është verifikuar se prokurorët kanë formuluar akuza për plagosje kur në fakt ngjarjet në fjalë kanë qenë vrasje të mbetura në tentativë. Ministria e Drejtësisë ngre dyshime nga paaftësia, mungesa e objektivitetit e deri tek korrupsioni, kur pohon në raport-kontrollin e saj se dhjetëra persona që kanë tentuar të vrasin, janë ndjekur penalisht për akuza të plagosjes, duke u lehtësuar kështu dukshëm nga prokurorët e kryeqytetit. Për këtë shkak, Ministria e Drejtësisë është duke hedhur rreshtat e fundit të raport-kontrollit me të cilin pritet të kërkojë shkarkimin e 12 prokurorëve dhe transferimin e dhjetë të tjerëve.
Ministri debaton në Kuvend me kryeprokurorin për inspektimet
TIRANE – Përplasja më e fundit mes Prokurorisë dhe Ministrisë së Drejtësisë nuk është e para mes dy institucioneve megjithatë duket se kohët e fundit ka një specifikë të veçantë. Prej mesit të janarit 2009 ka hyrë në fuqi ligji i ri “Për Prokurorinë”, i cili parashikon se Ministri i Drejtësisë ka të drejtë të ushtrojë kontrolle në prokurori dhe më pas, të paraqesë në Kuvend raportin e tij. Ai gjithashtu ka fituar të drejtën që të propozojë masa ndëshkimore ndaj prokurorëve me anë të letërkëmbimit me kryeprokurorin e vendit. Më parë ligji i prokurorisë i jepte të drejtë Ministrisë së Drejtësisë për ushtrim kontrolli në ato dosje që nuk janë në hetim apo për kallëzimet e zgjidhura dhe në fund, në rast shkeljesh raportimi bëhej tek Prokurori i Përgjithshëm. Tashmë ligji parashikon të drejtën e Ministrit të Drejtësisë për raportim në Parlament madje me të drejtë replike me Kryeprokurorin. Zyrtarët e Prokurorisë së Përgjithshme kanë shprehur rrezikun se një gjë e tillë rrezikon hetimet dhe fut në debat politik organin e akuzës megjithatë ligji tashmë ka hyrë në fuqi dhe pritet që Ministria e Drejtësisë veçse të zbatojë atë. Ndërkaq një tjetër përplasje mes prokurorisë dhe Ministrisë së Drejtësisë ishte faza paraprake e përgatitjes dhe draftimit të projektligjit. Një nga pikat më të debatuara ishte ajo që lidhet me të drejtën e Ministrisë për të ushtruar kontrolle në Prokurori me të drejtë raportimi nga Ministri në Kuvend. Prokurorët thanë se një raportim i tillë për çështje të caktuara mund të rrezikojë hetimin për shkak se Ministri mund të bëjë publike të dhëna të caktuara gjatë raportimit të tij në Kuvend. tr.so
Shkeljet e zbuluara
- Klasifikim i gabuar i vrasjeve të mbetura në tentativë, si plagosje me armë
- Klasifikim i gabuar i grabitjeve me armë apo me dhunë, si vjedhje
- Mosfillim i hetimeve për kallëzime që përmbajnë elementët e veprës penale, moskryerje e verifikimeve të nevojshme për verifikimin e krimit të dyshuar
- Mosrespektim i afateve për masat e sigurimit, në raste më të rralla mosrespektim i afateve hetimore procedurale të dosjeve
- Mospërputhje mes masave të sigurimit personal dhe rrezikshmërisë së veprës penale, objekt procedimi
TIRANA
Prej gjashtë muajve në Prokurorinë e Tiranës, në arkiv dhe në regjistrin penal, inspektorët e Ministrisë së Drejtësisë kanë qenë mysafirë thuajse të përditshëm. Ata kanë verifikuar në detaje dosjet e mbyllura, procedimet penale të përfunduara dhe më tej kallëzimet penale të regjistruara. Prokuroria e përgjithshme thotë se verifikimi është shtrirë deri në çështje të vitit 2006 megjithatë Ministria pohon se është kaluar ky cak kohor. Sipas të dhënave ende jo zyrtare mësohet se janë gjetur probleme në kualifikimin e veprave penale, konkretisht grabitjet me armë janë konsideruar vjedhje, tentativat e vrasjeve janë konsideruar plagosje ndërsa ka pasur probleme të dukshme edhe me kallëzimet e depozituara, të cilat janë mbyllur pa bërë hetime serioze me qëllim verifikimin nëse krimi ka ndodhur apo jo.
SARANDA
Probleme të ngjashme me Prokurorinë e Tiranës janë gjetur nga vetë organi i akuzës pak muaj më parë edhe në Prokurorinë e Sarandës. Në këtë institucion ishin bërë gabime me një çështje penale ku vrasja e një personi ishte mbyllur si vetëvrasje duke fajësuar viktimën e krimit dhe duke lënë të lirë autorin. Si pasojë e këtyre shkeljeve por edhe problemeve me masat e sigurimit dhe me afatet hetimore, mësohet se Prokuroria e Përgjithshme ndërmori një inspektim nga afër në prokurorinë e Sarandës. Drejtoria e Inspektimit arriti t’i dokumentojë shkeljet në Prokurorinë e Sarandës dhe më pas propozoi masa ndëshkimore konkrete pranë Këshillit të Prokurorisë. Pas kësaj Këshilli i Prokurorisë dhe më pas vetë kryeprokurorja miratuan shkarkimin e një prokuroreje dhe ndëshkime më të lehta për dy hetues.