E Shtunë, 31 Tetor 2026

Trafiqet, pyetet në burg Luftar Reçi

 

BURREL/ HASAN PASHA

Krimet e Rënda marrin në pyetje të akuzuarin për vrasje e trafik droge, Luftar Reçi. Ndërsa po gjykohet për krimin ndaj Maksim Lalës, 4 vjet më parë, çështje të tjera duket se do të zbardhen së shpejti. Pas izolimit në burgun e sigurisë së lartë, në Burrel, Reçi është vizituar disa herë nga Drejtori i Krimeve të Rënda pranë Ministrisë së Brendshme Agron Kuliqi. Zbritjet e tij të bujshme nga helikopteri i kësaj ministrie në stadiumin “Liri Ballabani” të qytetit verilindor, si dhe dislokimi i disa efektivave blu, për të ruajtur mjetin me të cilin udhëton Kuliqi, kanë krijuar bindjen në qytetin e Burrelit se ai mbërrin për probleme serioze. Qytetarët kanë menduar se ai vinte shpesh në këtë qytet për rihapjen e disa dosjeve të bujshme të vitit 1997 ose për reformën në polici, në prag të fushatës elektorale. Zyrtarë të policisë së Matit mohuan kategorikisht të kenë pasur kontakte me zyrtarin e lartë të policisë së shtetit, por sqaruan se ai është ndodhur në këtë qytet për arsye pune. Sipas tyre, Kuliqi është drejtuar në burgun e sigurisë së lartë. Nga ana e tyre, drejtuesit e burgut nuk pranojnë të prononcohen në lidhje me shkaqet e vizitës së Drejtorit të Krimeve të Rënda në këtë institucion. Por, burime të rezervuara nga prokuroria e rrethit Mat sqarojnë qëllimin e vizitave të Agron Kuliqit në burgun e Burrelit. Saktësohet se Kuliqi ka udhëtuar për në Burrel për t’u takuar e për të hetuar në lidhje me zbulimin e një rrjeti kriminal të organizuar. “Në të gjitha rastet Kuliqi është takuar me Luftar Reçin, personi nën akuzë për vrasje dhe trafik të lëndëve narkotike”, pohojnë burime pranë organit të akuzës. “Dosja ndaj Reçit për akuzën e vrasjes së Maksim Lalës është kopsitur dhe ka prova të forta që rrezikojnë dënimin maksimal për vrasje në bashkëpunim dhe dëmtim të kufomës”, sqaruan të njëjtat burime. Reçi u arrestua disa vjet pas ngjarjes së rëndë, të shënuar buzë rrugës nacionale Milot-Burrel, kur sipas policisë, për larje hesapesh ekzekutoi Lalën. Gjatë kësaj kohe, ai është vënë në hetim dhe për implikim në çështje të trafikut të lëndëve narkotike. Në bankën e të akuzuarve ndodhet dhe nipi i Reçit, si i dyshuar për bashkëpunim në vrasjen e Lalës. Në seancat gjyqësore të mbajtura në ngarkim të tyre, Reçi nuk ka pranuar të ketë avokat, duke u vetëshpallur i pafajshëm. Sipas tij, nuk qëndron asnjë nga akuzat e ngritura nga prokuroria. Dosja ndaj Luftar Reçit, pasi u nis të hetohet nga Krimet e Rënda, iu përcoll Prokurorisë së Matit, e cila po përfaqëson akuzën në sallën e gjyqit.
 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›