E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqipëria në NATO, Sllovenia shqyrton sot përsëri Protokollin

 

Sllovenia shqyrton sot në Parlament Protokollin e Anëtarësimit të Shqipërisë në NATO. Këtë e konfirmoi dje kreu i diplomacisë sllovene Samuel Zbogar. Përveç vendit ballkanik janë edhe pesë shtete të tjera, të cilat nuk e kanë ratifikuar ende protokollin. Kështu Hollanda, Portugalia, Islanda, Greqia dhe Luksemburgu nuk e kanë hedhur ende firmën mbi Protokoll. Kjo është seanca e dytë që Kuvendi i Lubjanës zhvillon për miratimin e Protokollit të anëtarësimit të Kroacisë dhe Shqipërisë në NATO. Debati i një jave më parë u shty për shkak të rrezikut se dokumenti mund të rrëzohej. Gjithçka ka të bëjë me problemin ende të pazgjidhur të kufirit mes Sllovenisë dhe Kroacisë, Protokolli i së cilës ishte gjithashtu për t’u ratifikuar në seancën e javës së kaluar. Zyrtarët sllovenë konfirmuan pas shtyrjes së seancës se bllokimi nuk ka të bëjë me Shqipërinë, por vetëm me Zagrebin. Në fund të asaj seance, Kryeministri Borut Pahor ngriti shqetësimin se shtyrja e votimit mund të ndikojë në marrëdhëniet mes Tiranës dhe Lubjanës. “Kjo që ndodhi prek besueshmërinë e Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kroacisë ndaj shtetit të Sllovenisë, sepse për anëtarësimin e tyre në NATO është i domosdoshëm ratifikimi”. Nga ana tjetër, Tirana zyrtare ka siguruar se bllokimi nuk ka të bëjë me Shqipërinë, por vetëm me Kroacinë. Gjithashtu senati i Holandës ka nisur tashmë shqyrtimin e procesit dhe sipas të gjitha parashikimeve pritet ta votojë këtë javë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›