Rama: Kuvendi garanton që çdo institucion të kryejë detyrën në procesin e anëtarësimit

TIRANË, 26 qershor/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama, njëherësh kryetar i Partisë Socialiste, u shpreh sot se “Kuvendi është i vetmi institucion sipas Kushtetutës që ka rolin e mbikëqyrësit dhe garanton që çdo institucion të kryejë detyrën në procesin e anëtarësimit”.
Në mbledhjen e grupit parlamentar të PS-së, Kryeministri argumentoi nevojën e ngritjes së komisionit të posaçëm parlamentar antikorrupsion.
“Le të shikojmë pak se sa e rëndësishme është nisma jonë dhe sa e domosdoshme është ajo që ne kemi bërë, duke ngritur komisionin e posaçëm parlamentar, duke parë institucionet që kanë pjesën e tyre të peshës për të mbajtur në zbatimin e rekomandimeve dhe masave që duhen adresuar. Ato fillojnë nga Kuvendi, vazhdojnë me Kryeministrinë, me Departamentin e Administratës Publike e me radhë dhe shkojnë më tutje tek Shkolla e Magjistraturës, Avokati i Popullit, Inspektorati i Punës, Ministria e Brendshme, Shkolla e Administratës Publike, Qendra e Koordinimit kundër Ekstremizmit dhe kështu me radhë”, tha Rama.
Duke u ndalur te drejtësia, Rama tha se në gjithë këtë bllok, 59% të punës sot që flasim e zë drejtësia.
“Shikoni Reformën në Drejtësi, sa rekomandime ka në këtë proces nga BE, jo nga PS, për Reformën në Drejtësi. 32 rekomandime. Të cilat përkthehen në masa. Pra, ky proces është jo thjesht i nevojshëm, është i domosdoshëm dhe vetëm fakti që përveç nesh që e morëm përsipër dhe po e çojmë përpara, askush tjetër nuk e kupton dhe prandaj e keqinterpreton. Vetëm ky fakt tregon se sa i rëndësishëm është roli ynë dhe sa e domosdoshme është që kjo punë të bëhet duke pasur në Kuvend një sy, që është sot komisioni i posaçëm, dhe nesër çfarëdoqoftë që ky komision mund të propozojë”, tha Rama.
Kryeministri nënvizoi fuqinë që ka Kuvendi, si fuqia supreme e këtij vendi, për të ndjekur këtë proces duke shfytëzuar kapacitetin që i jep Kushtetuta dhe ligji, dhe ta koordinojë procesin.
“Kuvendi duhet të koordinojë këtë skuadër të përbërë nga një numër aq i madh institucionesh. Po të shikoni institucionet zbatuese janë shumë qartë institucione që lidhen drejtpërdrejt me ekzekutivin, dhe një pjesë shumë e madhe janë institucione të pavarura zbatuese. Kush e garanton popullin shqiptar, kush e garanton shtetin shqiptar, që gjithë kjo masë institucionesh që është detyrimisht pjesë e kësaj skuadre kombëtare, do të luajë si skuadër?!”, shtoi Rama.
“Kush ia jep garancinë Shqipërisë që në tryezën e negociatave nuk do të ketë disa lojtarë që do të shkëlqejnë, disa lojtarë që do ia hedhin fajin shokëve dhe disa lojtarë që do paraqesin raport për mosparaqitje në ndeshje?! Sepse institucioneve të pavarura kush i kërkon llogari? Qeveria? E pamundur”, tha Rama.
Sipas tij, “ka vetëm një institucion, sipas Kushtetutës, ku mund të kërkohet llogari për këdo, kurdoherë, Kuvendi”.
“Mbi çfarë baze Kuvendi mund ta kërkojë llogarinë për paraqitjen e Shqipërisë në këtë ndeshje që zgjat disa vite? Këtë duhet të bëjë ky proces. Në fund fare ky proces duhet t’i japë Kuvendit dhe të gjitha pjesëve të skuadrës sonë kombëtare një plan, një udhërrëfyes të kalendarizuar. Nga njëra anë dihet se çfarë masash duhen marrë, nga ana tjetër dihet se cili duhet të bëjë çfarë, por ajo që nuk dihet është ‘si’ dhe ‘kur’. Këtë duhet ta bëjmë ne”, tha Rama.
/r.e/