E Enjte, 5 Nëntor 2026

Rama: Shqipëria e bekuar që ka Bashkimin Evropian në krah

TIRANË, 26 qershor/ATSH/ Kryeministri Edi Rama tha sot se Shqipëria është e bekuar që ka në krah Bashkimin Evropian dhe të gjithë eksperiencën dhe dijen e saj shtetformuese.

Kryetari i Partisë Socialiste, i pranishëm në mbledhjen e Grupit Parlamentar, e vuri theksin e ligjëratës së tij tek procesi i Integrimit Europian, tek Komisioni i Posaçëm për Mirëqeverisjen – Sundimi e Ligjit – Antikorrupsionin dhe vijueshmërinë e reformave për Shqipërinë 2030 në BE.

Rama tha se modernizmi është një proces që realizohet hap pas hapi, por ka fatin të jetë në mes të Evropës, duke patur mbështetjen dhe dijen e BE në procesin e integrimit.

“Modernizimi është një proces që bëhet hap pas hapi, që kërkon një kompleksitet veprimesh dhe kushtesh, por që bekimi ynë si Shqipëri është që jemi një vend në mes të Evropës dhe që kemi BE që ka të gjithë dijen e nevojshme për ta transferuar tek vendet që duan të bëhen anëtare të BE”, tha Rama.

Kreu i qeverisë tha se Afganistani, pavarësisht të gjitha përpjekjeve, nuk kishte BE në krah, për sa i takon një procesi integrues dhe shtetformues.

“Vende jashtë Evropës kemi parë raste të tëra, që kanë dalë përkohësisht nga diktatura të ngjashme me tonën, kanë aspiruar demokraci, kemi vajtur dhe me ushtarë ne, bashkë me shokët tanë amerikanë e francezë, edhe anglezë dhe i kemi premtuar afganëve demokraci e prosperitet. Ku është sot Afganistani? Për mua, ata nuk kanë BE-në pranë. Nuk kanë një burim aq të thellë njohje të mënyrës se si funksionon shteti, si ndërtohen mekanizmat siç e ka BE dhe s’kanë proces integrimi. Ku do integrohej Afganistani, në cilin bashkim, me kë rreth e rrotull?”, tha Rama.

“Ne e kemi këtë bekim që e kemi BE-në, sepse me traditën dhe historinë që kemi pasur dhe me faktin që për herë të parë, po bëhen reforma reale shtetëformuese, jo reforma privatizo këtu dhe liberalizo atje, se këto i bëjnë të gjithë, por reforma reale shtetformuese. Shqipëria ka patur BE në krah, por nga krahu tjetër s’ka patur dijen, forcën dhe eksperiencën për ta ndjekur. Sot e ka, është kjo forca këtu. Mbyllni sytë, përfytyroni për një moment dhe vendoseni në këtë pozitë këdo tjetër, është njësoj si të çoje në kampionatin Evropian kombëtaren U-13 dhe të luante me Spanjën, Kroacinë e Italinë. Me gjithë respektin për 13-vjeçarët e mrekullueshëm që kemi”, tha Rama.

/r.e/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›