Rama, Berisha, dhe posterat elektoralë
1./Një vështrim mbi posterat e PS, PD, LSI,& PR.
Me hapjen zyrtare të fushatës për zgjedhjet e 23 qershorit, të dy subjektet kryesore politike në vend, Partia Socialiste dhe Partia Demokratike, janë ndër të parat që kanë nxjerrë posterat elektoralë respektivë.
Kudo, në rrugët kryesore të Tiranës, në kryqëzime apo në çdo stacion autobusi, ndesh posterat e tyre në ato që quhen City Lights.
Partia Socialiste ka preferuar ti paraqitet elektoratit dhe publikut në përgjithësi, me fotografinë e kryetarit të saj, njëherësh kandidati i opozitës për kryeministër, zotit Edi Rama. Fotoja e tij është vendosur në një sfond ngjyrë vjollcë, tashmë ngjyra zyrtare e PS-së, që identifikon Rilindjen, sloganin kryesor të saj. Zoti Rama shfaqet me një buzëqeshje të lehtë në fytyrë që përcjell ngrohtësi dhe afrimitet me publikun. Në poster nuk lihet pa u nxjerr në pah edhe numri 29, që është numri përkatës përbri kutisë që shenjohet vota në fletën e votimit për Partinë Socialiste.
Në kampin tjetër, Partia Demokratike duket se në këtë fazë të fushatës elektorale nuk ka preferuar që posteri i saj të përmbajë fotografinë e kryeministrit Sali Berisha. Ajo ka vendosur që për këto zgjedhje ti ofrojë elektoratit sloganin e saj: Ne jemi ndryshimi. Përpara!
Slogani është vendosur në një sfond ku shquhet një qiell me re. Në dy zgjedhjet e fundit parlamentare fotografia e kryeministrit Berisha nuk ka munguar. Nuk dihet nëse selia blu është ende në përgatitjen e një fotografie që do kënaqte pritshmëritë e demokratëve, apo mungesa e saj do jetë një strategji e tyre që kësaj here fytyra (e lodhur) e kryeministrit Berisha të mos ekspozohet për publikun nëpërmjet posterave. Gjithsesi, këtë dyshim do kemi mundësi ta shuajmë vetëm në ditët në vijim.
Paralelisht me to, por më të rralla në numër, shfaqen posterat e Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe Partisë Republikane.
LSI-ja, ashtu si PD-ja, nuk ka preferuar të dalë me fotografinë e kryetarit Meta (në fakt se ka bërë asnjëherë). LSI ka dalë me moton: Voto Punësimin, shoqëruar nga slogani i përhershëm: Të ecim më shpejt. Slogani është vendosur në një sfond të kuq që është dhe ngjyra karakteristike e kësaj forcë politike.
Ndërsa PR-ja vijon të mos e ndajë nga posterat elektoralë fotografinë e kryetarit të saj, Fatmir Mediu. Ai shfaqet tejet i qeshur në një sfond bardheblu ku dallohet si gjithmonë slogani i kësaj partie: Familje, Komb, Zot.
2./Të ruajmë qytetin nga ndotja estetike
Atmosferës elektorale të muajit qershor pritet që tu shtohen edhe billborderat në rrugët kryesore të qyteteve, në autostrada, në fasadat e pallateve si dhe përgjatë rrugëve të kryeqytetit do të shohim autobusë të linjave urbane të veshur me posterat e partive. Të gjitha këto mbeten brenda kuadrit të respektimit të qytetit dhe frymës së ligjit.
Ajo që përbën shqetësim dhe që përsëritet në çdo palë zgjedhje, do jenë posterat e formateve të vogla që ngjiten nëpër mure dhe zhgarravinat në mure ndërtesash publike a private me logo partish dhe emra kandidatësh për deputetë, të cilat ndotin estetikisht qytetin. Në këtë drejtim, duhet që strukturat vendore të kontaktojnë me subjektet politike që të shmangin në maksimum përdorimin e militantëve të tyre që të bëjnë pis, jashtë çdo rregulli e ligji, ambientin tonë të përbashkët. Duket një mision i vështirë, po jo i pamundur nëse do të ketë angazhim dhe vullnet të mirë në këtë drejtim. Krijimi nga Bashkia i vendvendosjeve (stendave) të përkohshme, do i shërbente gjithashtu mbajtjes pastër të fasadave të mureve dhe ndërtesa, me qëllim që kjo traditë e shëmtuar që na ka shoqëruar për këto 23 vjet, të fillojë të futet në shinat e ligjit. Për ta pasqyruar atë çka forcat politike duan ti përcjellin elektoratit, vetëm në vendet e përcaktuara e të miratuara për këtë qëllim.
Por, nëse deri në këtë javë të parë të fushatës, dy partitë e mëdha, PS dhe PD, po e respektojnë ruajtjen e estetikën së kryeqytetit, kjo smund të thuhet për parti të tjera të vogla. Këto ditë në kryeqytet gjen rëndom me shumicë nëpër mure siglat: PLSHR, AK, LDP, LSI, etj. Duhet që secila parti të marrë përgjegjësinë që i takon dhe në respekt të ligjit e të qytetit të ndalë avancimin e mëtejshëm në këtë drejtim. Askush sua ka për borxh që për 30 e kusur ditë që zgjat fushata elektorale, kryeqyteti i Shqipërisë (dhe jo vetë ai) të kthehet në arenë gare sekush vendos më shumë sigla e postera partie, të cilat na shoqërojnë për disa vite me radhë, derisa vetë koha i zbeh nëpër mure. Le të tregojë kjo fushatë elektorale, fundin e Epokës së Ligjit të Xhunglës dhe fillimin e Epokës së Shtetit Ligjor. Qoftë edhe në këtë drejtim. Të shpresojmë!
