E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: Berisha dhe Meta duhet të largohen

Kryetari i PS-së Edi Rama i ka cilësuar si shfaqje të turshme deklaratat e sotme të kryeministrit Berisha dhe zv.kryeministrit Ilir Meta në lidhje me videon e publikuar në media.

Në një konferencë për shtyp kreu i selisë rozë theksoi se Berisha dhe Meta duhet të largohen dhe se qytetarët e kanë kuptuar fare mirë të vërtetën e korrupsionit të kësaj qeverie.
 

“Berisha dhe Meta duhet të largohen pasi me qeveri të inkriminuar dhe që mohon sy më sy një shfaqje tronditëse dhe të sulmojë opozitën si të lidhur me krimin nuk ka bashkëpunim” theksoi Rama.


Ai gjithashtu theksoi se koalicioni qeverisë është i zhytur në llumin e hajdutërisë dhe po përpiqen ta budallepsin një popull të tërë me broçkulla montazhesh që i paska bërë opozita
 

“Ky çift llumi ka lindur për të vjedhur Shqipërinë dhe vazhdon të mendojë se ky popull nuk meriton më shumë se sa këta matrapazë në pushtet. Sot më shumë se dje doli në pah mbasë më qartë se asnjëherë për shumëkënd se çfarë respekti kanë për vendin dhe popullin që qeverisin. Duan jo vetëm të plaçkisin gjithçka por edhe të tallen pafundësisht me popullin e tyre dhe të baltosin çdo burim opozitarizmi përmes pushtetit të parasë. Aq të zhytur janë në batakun e korrupsionit saqë Saliu nuk ndahet dot nga Meta dhe të dy bashkë kanë marrë përsipër ta gënjejnë popullin në sy. Në vend që të largohen nga detyra që shpërdorojnë çdo ditë thonë dhe rithonë se populli nuk pa atë që pa dhe nuk dëgjoi atë që dëgjoi”, theksoi Rama.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›