E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: Berisha e Mediu të dorëzojnë imunitetet

Edi Rama kërkoi dje publikisht imunitetin e Kryeministrit Sali Berisha dhe deputetit Fatmir Mediu. Kreu i Partisë Socialiste argumentoi se kjo duhet bërë jo me deklarata për gjoja gatishmëri për të mbështetur hetimet, po me votim në Kuvendin e Shqipërisë. Lideri i opozitës theksoi se Shqipëria mbarë, është sot solidare me fatkeqët e Vorës e të Gërdecit. "Çdo shqiptare e shqiptar është gati të kontribuojë për asistencë logjistike e financiare të tyre, si dhe për rindërtimin e shtëpive të rrafshuara nga bombardimi i qeverisë, por kryefajtori Sali Berisha, nuk mund të na fyejë të gjithëve, duke folur për ndihmë nga ana e qeverisë që shkaktoi tragjedinë", nënvizoi Rama. Kjo, sqaroi ai, jo vetëm sepse qeveria menaxhon pikërisht kontributet tona, por edhe sepse ky Kryeministër nuk ka më as moralin dhe as besimin e askujt për të menaxhuar pasurinë e këtij populli, që në 17 vjet nuk ia pa kurrë hajrin votës që i dha Sali Berishës. Kreu i opozitës konstatoi se për të tretën herë radhazi, Kryeministri, doli përpara shqiptareve dhe shqiptarëve, për të folur për gjithçka, përveç të vetmes gjë që ky popull, i goditur në zemër nga shpërthimi vdekjeprurës i papërgjegjshmërisë së qeverisë së vet, duhet të dëgjojë. Socialistët mendojnë se kreu i qeverisë së paaftë e të korruptuar deri në palcë duhet të pranojë përgjegjësinë morale e politike, përmes aktit të dorëheqjes. "Kryeministri i Shqipërisë, dje u tha shqiptareve dhe shqiptarëve, se e pranon dorëheqjen e ministrit të Mbrojtjes, a thua se edhe mund të mos pranonte", konstatoi Rama. Duke i përsëritur në emër të të gjithë shqiptarëve, se "ne nuk e pranojmë për Kryeministër dhe ai duhet të na japë dorëheqjen, jo justifikimet e patolerueshme të një fatkeqësie, që nuk është natyrore, po politike". Fatkeqësi që, sipas tij, nuk e kemi nga Zoti, por nga ata që kanë marrë votën për të na dalë zot. "Që nuk mund të mbulohet siç po mbulohet numri i viktimave, e që nuk mund të tolerohet pa dalë e plotë përgjegjësia morale, politike e ligjore, siç janë toleruar plot bëma e gjëma familjare, të shkaktuara nga papërgjegjshmëria e politikës së vjetër", theksoi Rama. Ai vuri në dukje se Kryeministri i Shqipërisë, që tronditi botën me shpërthimin vdekjeprurës, që ka shkaktuar një vendim i qeverisë së tij, doli përpara shqiptareve dhe shqiptarëve, jo për të dhënë dorëheqjen, por për të vijuar misionin e tij të pamundur, të shfajësimit përmes justifikimesh. "Të cilat vijuan të fyejnë inteligjencën e këtij populli të tradhtuar e gënjyer 17 vjet rresht nga një politikë pa din e iman, personifikimi i së cilës, është sot në krye të qeverisë", argumentoi Rama. Duke e konsideruar fjalimin e kreut të shumicës parlamentare një përçartje të tij, Rama shtoi se, të gjithë bashkë, shqiptaret dhe shqiptarët, kudo ku janë, organizatat joqeveritare dhe partitë e opozitës, kërkojnë dorëheqjen e tij, si më të voglën gjë që kryetari i qeverisë, që shkaktoi gjëmën më ë madhe, duhet të bëjë. "Në respekt të viktimave të kësaj tragjedie, të vdekur, të zhdukur e të mbijetuar, në respekt të popullit shqiptar, e të këtij atdheu të sakatuar nga bombat dhe papërgjegjshmëritë politike", sqaroi Rama. Deklarimet e djeshme për shtyp të kreut të Partisë Socialiste vijnë për të dytën ditë radhazi. Sakaq, kryetari i PS ka qenë gjatë paradites në familjen Deliu për të përcjellë personalisht, por edhe në emër të PS-së ngushëllimet më të sinqerta në këtë familje, e cila ka humbur pjesëtarë të saj në tragjedinë e Gërdecit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›