PDR: Shqipëria rrezikon ftesën për NATO-n
Pas tragjedisë së Gërdecit, Partia Demokrate e Re trembet për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO më 2-4 prill. Politika shqiptare ka kuptuar fare mirë se tragjedia e ndodhur do të rrezikojë seriozisht ftesën e Shqipërisë për në Samitin e Bukureshtit.
Numri dy i Partisë Demokrate të Re bën me dije se "shpresoj që kjo situatë të mos ndikojë në pranimin e vendit tonë në NATO".
Partia Demokrate e Re e ka cilësuar dorëheqjen e ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu, si një gjest politik të drejtë dhe të përgjegjshëm. Nënkryetari i PDR-së, Tritan Shehu, kërkoi thellimin e hetimeve dhe zbardhjen e vërtetë të kësaj ngjarjeje, si dhe i kërkoi deputetëve dhe forcave politike që "në veprimet politike që do të marrin lidhur me këtë ngjarje, të ruajnë sensin e gjakftohtësisë dhe përgjegjësisë për të mirën e vendit". Gjithashtu, Shehu, i kërkoi opozitës që "të mbajë qëndrim konstruktiv, atë qëndrim që ka mbajtur që nga ditët e para të kësaj ngjarjeje dhe të mos kthehet në gabimet e së kaluarës". "Është detyrë e politikës shqiptare, e medias dhe e gjithë opinionit publik, që të shmangin qëndrimet destabilizuese dhe qëndrimet, të cilat cenojnë imazhin e vendit tonë më tej seç duhet, tashmë që jemi në prag të ftesës për anëtarësim në NATO, një ngjarje e madhe dhe unike kjo për të gjithë ne", tha Shehu. Sipas tij "të gjithë së bashku duhet të përpiqemi për të minimizuar efektet negative që kjo ngjarje mund të ketë në rrugën e integrimit në NATO". Lidhur me ndryshimet në kabinetin qeveritar kanë reaguar edhe Partia për të Drejtat e Njeriut. Kreu i PBDNJ-së, Vangjel Dule, ka pohuar në këtë moment se lëvizja e vetme e cila duhet të bëhej brenda qeverisë ishte largimi i Fatmir Mediut. Për pjesën tjetër të ministrave, Dule e ka cilësuar si të tepruar për shkak të situatës së rëndë në të cilën ndodhet vendi. "Kjo ishte lëvizja e vetme për momentin. Është vulgare të mendohet për ndryshimet kur kemi ende kufoma nëpër këmbë", tha Dule. Edhe republikanët kanë përshëndetur dje mënyrën e largimit të kryetarit të tyre nga posti i ministrit të Mbrojtjes. Në emër të Kryesisë së PR-së, Neritan Alibali, u shpreh se "PR-ja e konsideron vendimin e Mediut si një akt të një politikani me përgjegjshmëri të lartë, qytetare, politike dhe humane". Gjithashtu Alibali i bëri thirrje të gjithë republikanëve, që "në këto momente të vështira për vendin të bashkojnë radhët, të rrisin përgjegjshmërinë e tyre politike dhe të japin kontributin e tyre maksimal në të gjitha nivelet e qeverisjes qendrore dhe lokale për realizimin e reformave të rëndësishme që ka nisur qeveria".