Media “MAPO” , Gazeta 7 ditë, Revistat të përmuajshme
Gazeta “MAPO” del shtatë herë në javë. Revistat “MAPO” e “Madame Mapo” bëhen të përmuajshme. Të rejat që do vijnë të gërshetuara me traditën dhe të gjitha arsyet e këtij shndërrimi.
Gazeta “MAPO” do të jetë me lexuesit e saj edhe të dielave, duke u bërë kështu një e përditshme klasike. Ndërkohë, “Madame Mapo” kalon nga e përjavshme në të përmuajshme, dhe e njëjta gjë, edhe me revistën tjetër të përjavshme “MAPO”. Kjo e fundit do të shndërrohet me pretendimin për të shënuar një profil të ri ndër periodikët e shtypit të shkruar. Sigurisht, ajo do të bazohet te tradita e mirë e paraardhëses së përjavëshme, e detyruar të mos anashkalojë kontributin e vyer të kolegëve, por në përqindje të lartë, vjen si risi në formë dhe përmbajtje. MAPO e përmuajshme, do të jetë një revistë politike duke i pasqyruar ngjarjet dhe personazhet, me një qasje që i shkon përshtat një lexuesit të ekuilibruar shoqërisht dhe politikisht.
Stili i saj do të jetë diçka mes dy revistave amerikane, Vanity Fair dhe Esquire. Ajo do të ketë një ‘Feature story’ në çdo numër, me një raportim të llojit “insight” (të thelluar) shoqëruar me foto të bollshme kapur pas idesë se lexuesi është po aq, në mos më shumë në kërkim të imazhit se sa të tekstit. Kolona të tjera të MAPO-s së përmuajshme do të jetë ‘Intervista politike’, e cila do të kapë sa momentet dhe personazhet e politikës së ditës a të muajit, të gërshetuara me backgroundin personal e atë të shoqërisë e të kohës.
Mendimi politik do të vijë në formën tradicionale të editorialit, mbështetur edhe nga rubrika (columns) nga pena të artikulura e tashmë themeltare në publicistikën e vendit. Libri, sigurisht do të zërë vendin e tij si pjesë e pazëvendësushme e infrastrukturës shpirtërore dhe rrjedhimisht asaj të MAPO-s. Sepse revista e re do të vazhdojë ta kërkojë lexuesin e saj, sidomos ndër lexuesit. Lexues të kultivuar edhe si ata të rubrikës ‘Shqipni e harrume’ e Artan Lames.
Do të ketë edhe një pyetësor të MAPO-s; njëfarë interviste të ngulitur dhe të shkrifët në të njëjtën kohë. Këto do të jenë kolonat, por sigurisht do të farkëtohen, ndërkohë edhe elementë të tjerë që do të vijnë si surprizë.
Media “MAPO”
Ngulmimi te shtypi i shkruar ose scripta manent
Shtypi i shkruar është në krizë. Kjo është kthyer tashmë në aksiomë, jo vetëm në Shqipëri por edhe në botë. Megjithatë të sigurtë se nuk do të zhduket, editorët në mbarë globin u janë vënë përpjekjeve për të gjetur forma të shndërrimit dhe sigurisht mbijetesës. Duke kuptuar fillimisht një gjë që është edhe më e rëndësishmja: shtypi do të mbijetojë si model komunikimi, por jo të gjithë organet e tij do të mbijetojnë. Shtypi i shkruar është kthyer në një lloj komoditeti të rrallë e cilësor, ose duhet kthyer në të tillë. Mbi këtë paradigmë e ndërton edhe Media “MAPO”, aksionin e saj më të ri në tregun e shtypit të shkruar. Me kredon e krijimit të profileve nëpërmjet botimeve të saj, të cilat, më pas do të shërbejnë si urë komunikimi me mediat e tjera; ato të rejat si Facebook etj., apo ato që tashmë konsiderohen tradiconale si Televizioni.
Një revistë që shndërrohet në javën e 245-të. Një e përjavshme që bëhet e përmuajshme. Kryeredaktori i edicionit të përjavshëm shpjegon rrugën e tij e të stafit dhe të themeluesve e bashkëpunëtorëve.
“MAPO”, fundi i një cikli
Skënder Minxhozi
Në plan të parë një maskë mortore e Enver Hoxhës, e zbuluar në bodrumet e Muzeut Kombëtar. Pak më poshtë, një histori gjysmë rozë e Ana Oksës, e cila kishte ardhur në Tiranë, me një të njohur të saj të ri. Kjo ishte kopertina e parë, e të shtunës së 14 tetorit 2006, e revistës së sapodalë “MAPO”. Një ndërmarrje që asokohe kishte më shumë përmasën e një eksperimenti, të një dëshire të mirë dhe të një rrugëtimi
në një treg mediash të shkruara, që e kishte humbur prej kohësh sugjestionin dhe sharmin e titujve të rinj.
Kanë kaluar thuajse pesë vjet nga ajo ditë. Shumë më tepër se ç’kishin shpresuar themeluesit, botuesit dhe gazetarët e saj, teksa çonin në shtyp, numrin e parë.
Këtë të diel, MAPO nuk do të dalë. Pas 245 javësh botimi, “MAPO” javore do të pushojë së ekzistuari, për t’i lënë vendin një edicioni të përmuajshëm. Sot, duhet t’i themi “Lamtumirë” edicionit tradicional javor, natyrshëm me ndjesinë e keqardhjes e nostalgjinë e rastit, por të qetë, për faktin që kësaj krijese i dhamë atë që mundëm dhe që besuam.
Kur një titull, sado simbolik, largohet nga tregu, ky është në vetvete një lajm jo i mirë për shtypin dhe atë, që rëndom quhet liria e shprehjes. Por për MAPO-n nuk ka vend për të spekuluar më larg se kaq. Ishte në thelb, ashtu siç janë të gjitha mediat, një produkt tregu, i cili i bindet disa ligjësive që shpesh janë të pamëshirshme, pasi i tejkalojnë ato që mund të quhen “standarde profesionale”.
MAPO qe një demarsh për të ofruar një prezencë serioze në tregun e mediave të shkruara periodike, që s’mbeti thjesht në tentativë. Përtej fundit të rrugës që po prekim me dorë, mbetet padyshim përvoja unike që botuesit dhe gazetarët e këtij ekipi miqsh e kolegësh, krijuam me kalimin e muajve dhe viteve. Jemi krenarë që sot, pas 245 numrash, mundëm të botojmë lajme, dosje dhe komente, të cilat besojmë se krijuan një profil të dallueshëm në morinë e medias së shkruar shqiptare.
Stafi i revistës shpreson fuqishëm se Erion Veliaj, Endri Fuga dhe Arbër Mazniku, themeluesit e kësaj reviste, sot kanë një motiv real për të qenë të kënaqur me projektin e tyre të hershëm. Ashtu siç dëshirojmë të besojmë se kështu duhet të ndjehen edhe Agim Shënediella, botuesi afatgjatë e filantrop i MAPO-s, si dhe Henri Çili, i cili iu bashkua vitin e fundit projektit, duke i dhënë atij një përmasë të re, me krijimin e Media “MAPO”. Ekipi i gazetarëve të revistës i falenderon ata, për faktin se bënë të mundur, gjatë thuajse pesë vjetëve, krijimin e një ambjenti ku u shkrua në bazë të mendimit të lirë të gjithsecilit, larg imponimit, bërrylave dhe urdhërave “editorialë”. Ndjehemi realisht të respektuar në profesion, që kjo marrëdhënie qe e tillë nga dita e parë e daljes së revistës në treg, e deri sot, kur po shkruhen këto rradhë.
Është gjithashtu momenti që të falenderojmë bashkëudhëtarët tanë të vjetër e të rinj. Të gjithë atë grup penash, karikaturistësh e fotografësh të njohur, si Preç Zogaj, Sokol Balla, Gianni Pitella, Artan Lame, Auron Tare, Mustafa Nano, Andi Bushati, Mark Marku, Bujar Kapexhiu, Fjodora Fjora, Roland Tasho, Jutta Benzenberg, Paul Cohn e plot të tjerë (ndjesë të gjithë atyre, të cilëve s’po u përmendim emrin), të cilët, javë për javë, me pasion dhe durim, ndërtuan emrin dhe reputacionin e kësaj reviste, që besojmë se u ka krijuar hapësirë dhe mundësi të plotë shprehjeje.
Fundi i një projekti mediatik nuk është fundi i profesionit. “Kush nuk vdes, rishihet”, thotë një proverb italian. Kemi të gjithë bindjen se “MAPO” ka qenë një stacion, për të gjithë ne, jo destinacioni final. Udhëtimi vazhdon!
Drejtoresha e revistës “MADAME MAPO” shpjegon kalimin e revistës nga e përjavshme në të përmuajshme: Në verë testuam tregun; tani jemi këtu për të qëndruar. Të shtunave do të vijmë si minirevistë brenda gazetës “MAPO”
Iva Tiço: Me “Madame”, takime çdo javë, “dashuri” një herë në muaj
“Madame Mapo” u shndërrua, në rrugë e sipër, nga një e përjavshme në një të përmuajshme. A ishte kjo “kërkesë” e tregut apo “kërkesë” që ju si redaksi, i vutë vetes për më shumë kohë, e rrjedhimisht më shumë cilësi?
Ishte një vendim, që e morëm tre muaj pasi revista “Madame Mapo” nisi rrugën e saj, dhe që erdhi i diktuar nga tregu. E filluam projektin e kësaj reviste në kohën më të përshtatshme për të fituar treg, në stinën e verës kur edhe ky lloj shtypi, revistat femërore apo suplementet rozë, lexohen edhe më shumë. Kjo bëri që Madame Mapo të bëhej shumë shpejt e njohur për lexuesit pa bërë asnjë fushatë promocionale. E menduam këtë si një periudhë prove, për të njohur mundësitë reale jo vetëm të tregut të blerësve, por edhe të reklamave. Kështu, në fillim të shtatorit, vendosëm që revista të jetë në treg, çdo fillim muaji, dhe njëkohësisht filloi dhe fushata publicitare për lançimin e revistës. Eshtë më e thjeshtë të reklamosh një produkt që nuk është një emër fare i panjohur, por që ka bërë ndërkohë lexuesit e vet besnikë.
Ju keni një përvojë të mëparshme me një tjetër revistë të përmuajshme që pati sukses; a mos kjo ishte një prej shtysave: donit të ktheheshit në një ‘shtrirje kohore’ që e njihnit më mirë?
Jo, sepse kam gjithashtu përvojë në një tjetër revistë të përjavshme apo gazetë të përditshme... Sigurisht që, fakti që deri gjashtë muaj më parë kam drejtuar një revistë që pati sukses në treg, më bën të besoj që ky është një mision i mundur. Për më tepër që stafi i Madame Mapo-s është i njëjti që ka punuar me mua, vitet e fundit. Jemi kthyer në njëfarë mënyre në këtë “shrirjen kohore” që ju thoni se e njohim më mirë, por kjo nuk do të thotë që do bëjmë të njëjtën revistë që bënim dikur. Madame Mapo është një revistë e re femërore, në formë e në përmbajtje. Dhe jo vetëm kaq, do ruajmë dhe pak nga ritmi i përjavshëm me të cilin e nisëm, do vijojmë të kemi një takim të përjavshëm me lexuesin, kësaj radhe në formën e një suplementi brenda gazetës “MAPO”.
Suplement që nuk ka të bëjë me revistën?
Në njëfarë mënyre ka të bëjë me revistën, sepse janë të njëjtat firma që shkruajnë. Ashtu si revista, edhe suplementi i drejtohet gjithashtu lexuesit femëror. Por nuk janë shkrime të revistës të ribotuara në gazetë. Eshtë një suplement i ndërtuar më vete, një minirevistë brenda gazetës “MAPO”, pjesë e numrit të së shtunës.
Na shtjelloni pak se si do të ndryshojë në cilësi dhe sasi ‘Madame Mapo’ pas riformatimit kohor?
Ajo që do ndryshojë, është numri i faqeve, tridhjetë përqind më shumë. Gjë që do të thotë më tepër shkrime, më tepër rubrika, më shumë sete fotografikë. Por edhe më tepër shkrime që kërkojnë kërkime, sepse tanimë na e lejon faktori kohë. Fatkeqësisht do humbasim pak nga aktualiteti, që e përmuajshmja nuk ta lejon siç ta lejon e përjavshmja.
Ka një mori periodikësh në treg, ose ato që konsiderohen si ‘revista femërore’. Ku dhe si do të ndryshojë Madame Mapo për të qenë një projekt që është këtu për t’u bërë një sigël që do të mbetet?
Nuk mund të hedh poshtë punën e kolegëve e të themi që ne jemi më të mirët. Thjesht e mendojmë revistën pak më ndryshe nga shumica e atyre që janë sot në treg. Nuk e mendojmë si një vitrinë surreale të një Shqipërie siç do ta donim ne të ishte, nuk e mendojmë si një pasqyruese të një jetë Hollivudi që këtu nuk ekziston, nuk e mendojmë një revistë që të lexohet brenda unazës së vogël të Tiranës. Mendojmë një revistë, ku një femër shqiptare mund të gjejë gjërat që ajo jeton dhe ato që ëndërron. Nuk mendojmë një revistë me ngjyra e me lustër që shfletohet dhe hidhet tej, por një revistë që lexohet. Me pak fjalë, projekti jonë mbështetet tek fjala e shkruar.
Për lexuesit e gazetës “MAPO”, cilat janë rubrikat që ju i mendoni si tërheqëse dhe “detyruese” që ata të bëhen të rregullt edhe me Madame Mapo?
Revista është e ndërtuar me shumë rubrika fikse. Përtej kopertinës, që është e para që të “detyron” ta blesh, çdo numër ka një dossier të plotë me disa shkrime për një temë të caktuar, janë rubrikat e Diana Çulit e Ilva Tares, është skaneri i aktualitetit i Alfred Lelës, ka pyetësorë argëtues dhe seriozë, ka çupërlina dhe zonja, djelmosha dhe xhentëllmenë, ka shkrime ekonomike apo ditarë rozë... nuk mungojnë personazhet që kanë ç’tregojnë, por dhe bukuroshet që pozojnë... Pastaj ka shumë rubrika, të vogla e të mëdha, me gjithfarë këshillash, mode, estetike, kuzhine, kopshtarie, psikologjike, juridike, praktike... Gjithçka që i përgjigjet asaj se çfarë duan gratë.