Rama: Berisha nuk ka mandate për të qeverisur
Aristir Lumezi
“Sali Berisha nuk ka fituar zgjedhjet, ai nuk ka mandate qeverisëse”. Pak minuta pas daljes publike të Berishës rreth mesditës së djeshme, Edi Rama në një komunikim nëpërmjet mediave nga selia rozë u shpreh sot se Berisha do të mësojë të vërtetën e këtyre zgjedhjeve vetëm pasi të lexojë të vërtetën e plotë të verdiktit të popullit. Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, shprehet se kundërshtari i tij politik Berisha në këto zgjedhje nuk fitoi mandate të dytë, por me dhunë po tenton të zgjatë procesin e numërimit të votave. Kryesocialisti bëri thirrje që të ruhet gjakftohtësia dhe se me të gjitha rrugët e mundshme ligjore do të kontestojë rezultatin në Shkodër, Berat e Fier. Sipas tij, Berisha do të mësojë të vërtetën e këtyre zgjedhjeve vetëm pasi të lexojë të vërtetën e plotë të verdiktit të popullit. “Pashë mundësinë të shihja pak më parë kryeministrin në detyrë, Berisha, që është vetëm një kryeministër në detyrë, pasi ai nuk ka marrë asnjë mandat për qeverinë, dhe se nuk do jetë kryeministri i shqiptarëve, pasi të dalë vendimi përfundimtar i popullit”, tha Rama para përfaqësuesve të medias. Duke përmendur një sërë fyerjesh që, sipas Ramës, Berisha bëri në adresë të njerëzve të thjeshtë dhe deputetëve socialistë që kërkuan numërim të votave në Fier, kryesocialisti bëri thirrje që të mos bihet pre e provokimeve të kryeministrit në detyrë, por të ruhet qetësia dhe gjakftohtësia. “Ishte një lajthitje në komunikimin e kryeministrit në detyrë, i cili përmendi emra qytetarësh të lirë të këtij vendi apo dhe emra të nderuar të PS-së, duke u vënë epitete që do t’i vinte kujtdo t’i përdorte, por ja që duke u gjendur pa mandatin e dytë në dorë dhe nën koalicionin qytetar të ditës së djeshme, ai nuk arrin dot të ruajë gjakftohtësinë dhe kërkon të ruajmë ne gjakftohtësinë, kur ne po e ruajmë denjësisht dhe në ato pjesë ku standardet janë thyer dhe janë të papranueshme”. “Dje kam kërkuar nga të gjithë njerëzit që të bëjnë ç’është e mundur për të garantuar qetësi dhe nga ana tjetër deputetëve që t’u kërkojnë qytetarëve dhe qytetareve që të ruajnë qetësinë dhe gjakftohtësinë. Gjë që kryeministri jo vetëm nuk e ka bërë, por kryeministri e ka provokuar me agjentë krimesh e funksionarë të Ministrisë së Brendshme gjithë këtë proces që nuk po arrin dot të mbyllet”, u shpreh Rama, duke falënderuar të gjithë ata qytetarë e qytetare që shprehën dje qetësisht, sipas kryesocialistit, revoltën për të drejtën e tyre. Sipas kryetarit të PS-ë, fyerjet janë të denja kur janë në gojën e një të dehuri dhe jo të një kryeministri. I pyetur nga mediat se si do të veprojë për padrejtësitë që i janë bërë PS-së, Rama theksoi se do të ndjekë e përdorë të gjitha mjetet e nevojshme ligjore për të kontestuar rezultatin në Bushat të Shkodrës, Fier e Berat.
Duke folur për problemet e konstatuara në disa KZAZ, Rama tha se PS-ja do të ndjekë të gjitha rrugët ligjore për të kontestuar atë rezultat. “Ne e kontestojmë rezultatin në Shkodër dhe do ta ndjekim në rrugë ligjore. Ne e kontestojmë rezultatin në Berat dhe do ta ndjekim në rrugë ligjore. Pa asnjë mëdyshje do të përgatisim të gjithë paketën e kontestimeve dhe në rrugë ligjore do të kërkojmë që votimi i popullit për të gjitha ato zona dhe territore, ku ne kemi arsye të plota të besojmë se ka pasur parregullsi të qëllimshme të dalë në dritën e diellit”, tha Rama.