E Shtunë, 31 Tetor 2026

Krimet e Rënda: 26 vite burg për trafik narkotikësh

Edhe pse u rigjykua, gjykata sërish i cilësoi fjator të pandehurit. Dosja dhe provat për zbardhjen e trafikut nga Afganistani drejt Kosovës

Laureta Rryçi

Tiranë - Tre persona, njëri nga të cilët shtetas kosovar, të akuzuar për “trafik narkotikësh”, të mbetur në tentativë dhe “vjedhje me dhunë”, u dënuan dje me 26 vite burg nga Gjykata e Krimeve të Rënda. Kjo Gjykatë shpalli fajtor dhe dënoi me 10 vjet burg të pandehurin Ismail Kllokoqi, nga Kosova si dhe me nga 8 vjet burg të pandehurit Paulo Gjoka dhe Artan Kamberi, nga Tirana. Ndërsa, veçoi çështjen ndaj të pandehurit tjetër të procesit, Fatmir Maliqi,nga Kosova.
Rigjykimi
Dosja me këta të pandehur u rikthye vetëm pak muaj më parë për rigjykim nga Gjykata e Apelit të Krimeve të Rënda. Prokuroria edhe pse për herë të dytë, sërish nuk u tërhoq nga akuzat e ngritura ndaj këtyre të pandehurve. Nga sa mësohet, ata akuzohen për veprën penale të trafikimit të lëndëve narkotike mbetur në tentativë, vjedhje me dhunë dhe prodhim e shitje të narkotikëve. Sipas kërkesës për gjykim, nga hetimet paraprake të kryera në lidhje me këtë procedim, ka rezultuar se më datën 14 qershor 2006, rreth orës 14:00, i pandehuri Ismail Kllokoqi, duke lëvizur me mjetin e tij tip “Opel” me targa 335 KS 851 në vendin e quajtur “Kthesa e Gëziqit” në aksin rrugor Rrëshen–Kukës, i ka prerë rrugën një automjet tip “Peugeot” me targë TR 58 96 K. Nga ky automjet ka dalë personi nën hetim Artan Kamberi, i cili sapo ka shkuar tek automjeti "Opel", i drejtuar nga Kllokoqi, i ka qëlluar këtij të fundit në kokë me një mjet si pistoletë dhe më pas i ka marrë një celular, rreth 100 euro si dhe 3000 lekë të vjetra. Pas njoftimit të bërë në polici për këtë ngjarje, forcat e policisë kanë mundur të ndalojnë te vendi i quajtur “Guri i Kishës”, Rubik, Artan Kamberin dhe Paolo Gjokën. Nga këqyrja e automjetit tip "Peugeot" në bagazh është gjetur një gomë tjetër rezervë, brenda së cilës janë gjetur 8 pako, 500 gramë secila, me peshë të përgjithshme 3936 kg, të dyshuara si lëndë narkotike.
Pengmarrja
"Pengmarrja" e kosovarit, zbuloi në atë kohë një trafik ndërkombëtar të drogës. Policia vuri në pranga katër persona, njëri prej të cilëve ish-polic i Antidrogës. Grabitja e kosovarit Ismail Kllokoqi, 56 vjeç, nga Prishtina, rezultoi se ishte tërësisht një stisje e paramenduar. Burime nga policia në atë kohë bënë të ditur se pengmarrja është bërë për të humbur gjurmët e një trafiku ndërkombëtar të mirëorganizuar. Burimet e policisë konfirmuan se droga e kishte origjinën nga Afganistani, për në Kosovë dhe më tej në shtetet kufitare me të. Ndërsa paraprakisht u tha se kishte të përfshirë edhe uniforma të policisë në segmentin rrugor Fush Arrës-Mirditë-Lezhë. Kjo, sepse në momentin kur është bërë pengmarrja, një mjet tip "Benz 1900", që i përket një pjesëtari të policisë, ka lëvizur nga vendi ku është bërë pengmarrja deri tek postblloku i policisë, tek Guri i Kishës në Rubik. Pista e parë u ngrit mbi faktin se vetë "grabitësit" kishin bërë para plan me kosovarin për të stimuluar grabitjen. Me anë të kësaj metode, paratë e drogës rreth 200 mijë USD mund të ndahej mes tyre, ndërsa grabitja me armë do të shërbente si alibi për baronin, ku ishte planifikuar për të mbërritur droga. Por ndalimi rastësor, ende pa u bërë denoncimi për grabitjen, ka bërë që të hidhet në erë ky plan. Ndërsa në pistën e dytë, që është në hetim, mendohet se mund të ketë një prishje të pazareve të tregtimit të drogës, ndërsa "grabitësit" pikërisht për të kanë realizuar marrjen në mënyrë të dhunshme të pakove për të cilën kanë pasur dijeni paraprakisht.

3 Korrik 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›