E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shirat e rrëmbyeshëm ndotin ujin e pijshëm në Tiranë

Drejtoria e Higjienës: Probleme kemi konstatuar në disa lagjet të kryeqytetit. Specialistët klorinojnë ujin për të shmangur problemet nga konsumi

Emanuela Sako

Uji i pijshëm rezulton i ndotur në disa zona të kryeqytetit për shkak të shirave të rrëmbyeshëm të kohëve të fundit. Drejtoria e Higjienës bën të ditur se nga 80 mostrat e marra në disa pika të të tubacioneve rezulton se uji është i ndotur në një pjesë të zonave. Specialistët e kësaj drejtorie, theksuan se nga analizat laboratorike uji i ndotur është vënë re në zonën e “Ali Demit”, “Rruga e Elbasanit”, “Irfan Tomnini” etj. Shirat e rrëmbyeshëm kanë bërë që uji i pijshëm të përzihet me ujin e shirave dhe si rezultat, të prodhojë ndotje të ujit në tubacionet që nga specialistët konsiderohen si të prekura nga ndotja. Aktualisht, Drejtoria e Higjienës ka marrë masat paraprake për parandalimin e kësaj situate dhe për të mos shkaktuar probleme shëndetësore te konsumatorët.
Masat
Drejtoria e Higjienës ka bërë inspektimin e ujit gjatë periudhës maj – qershor, ku gjatë këtyre muajve ka pasur shira të rrëmbyeshëm që kanë bërë të mundur bashkimin e ujit të pijshëm me atë të ndotur. Në bazë të rezultateve të analizuara gjatë këtyre muajve është bërë e zakonshme që në të tilla situata të ketë dhe probleme me ujin e pijshëm. Kjo drejtori ka marrë masa për klorinimin e ujit në shkallën maksimale dhe brenda parametrave për të parandaluar ndotjen bakteriale. Sipas specialistëve, uji që ka qarkulluar në tubacione shmanget në mënyrë të tillë, ku çezmat duhet të lihen hapur deri sa të dalë jashtë qarkullimit të tubacioneve i gjithë uji i ndotur dhe të qarkullojë ai i pastër. Në këtë mënyrë, bëhet pastrimi i tubacioneve dhe uji mund të konsumohet. Megjithatë, specialistët bëjnë të ditur se aktualisht situata është Brenda kontrollit dhe nuk ka probleme për përhapjen e sëmundjeve apo problemeve të tjera shëndetësoren që vijnë nga ndotja bakteriale e ujit.
Situata
Situata të tilla ndodhin zakonisht gjatë kohës së verës, ku uji shpeshherë ka rezultuar me përmbajtje bakteriale, në disa zona të vendit. Por, nuk përjashtohen rastet kur shirat e rrëmbyeshëm bëjnë që uji i pijshëm të ndotet nga rrëketë e shumta që grumbullohen nga shiu i tepërt. Përveç situatës në Tiranë, Instituti i Shëndetit Publik do të monitorojë ujin e pijshëm në 500 pikat kyçe në të gjithë vendin. Ministria e Shëndetësisë ka bërë të ditur se tashmë është përfunduar rishikimi i skemës së monitorimit të cilësisë së ujit të pijshëm në qytetet e vendit. Numri i pikave të monitorimit ka arritur në 500 nga 353 që kanë qenë në sistemin e mëparshëm. Në këtë mënyrë është rritur niveli i kontrollit të cilësisë së ujit të pijshëm nga DSHP-të e rretheve. Vlerësimi i rrezikut për ndotjet e ujit të pijshëm dhe vlerësimi i situatës higjieno -sanitare të furnizimit me ujë të pijshëm, vitet e fundit, është bërë në bazë të analizës së Indikatorëve të Shëndetit Mjedisor të rekomanduar nga OBSH-ja.

Situata epidemiologjike, disa sëmundje i rezistojnë vaksinave

Disa sëmundje i rezistojnë vaksinave që kryhen në vegjëli. Të dhënat e Ministrisë së Shëndetësisë tregojnë sëmundje si rubeola, tetanozi dhe difteria, shfaqen e dhe pas kryerjes së vaksinave. Sipas MSH-së, sëmundjet që kanë rezultuar më të shmangshme janë rastet me poliomielit dhe fruth. Por sipas tyre, edhe rastet për rubeolën, difterinë dhe tetanozin janë në shifra të ulëta. Gjithashtu, është ulur zeropozitiviteti i hepatit B tek fëmijët nën 1 vjeç. Situata epidemiologjike në vend gjatë viteve të fundit është mbajtur nën kontroll, duke mos pasur asnjë shpërthim epidemie edhe në rastet e ndonjë vatre sporadike, janë marrë të gjitha masat për izolimin e saj, duke mbajtur nën kontroll të plotë situatën. Ministria e Shëndetësisë, për të pasur kontroll të plotë situatën ka hartuar programe të parandalimit të sëmundjeve, në veçanti kryerjes së plotë të vaksinimeve masive, sigurimit me vaksina dhe imunizimit me vaksina të detyrueshme etj. Strategjia e re e vaksinimit, e aprovuar këtë vit do të zbatohet në praktikë, duke fuqizuar strukturat e programit kombëtar të vaksinimit, rritjen e mbulesës vaksinale në grupet e margjinalizuara (përfshirë romët, zonat infomale dhe fshatrat e thella), si dhe krijimin e terrenit për futjen e antigjeneve të rinj si rotaviruset, pneumokoku apo mbështetja e vaksinimit kundrejt gripit në grupe të caktuara të popullatës. Vaksinimi parandalon dhe shpëton jetën e fëmijëve nga disa lloj sëmundjesh. Një pjesë e vaksinave bëhen që në muajt e parë të jetës së foshnjave, e më pas ndiqen këshillat e mjekëve për moshën dhe kohën e kryerjes së vaksinave të tjera. Sëmundjet që shmangen nga kryerja e vaksinës janë: Tuberkulozi, me vaksinën BCG; Hepatiti Viral B, me vaksinën Hep.B; Difteria, Tetanozi, Kolla e Mirë, me vaksinën DTP; Poliomyeliti, me vaksinën OPV; Fruthi, Rubeola, Shytat, me vaksinën FRV. Ndërsa në vitin 2009 me futjen e vaksinës pentavalente DTP-Hep B-Hib kemi futjen edhe të vaksinës ndaj infeksioneve të shkaktuara nga Haemofillus Influenca. Të gjitha foshnjat deri në 6 muajsh do të kryejnë vaksinën pentavalente, e cila i mbron nga 5 sëmundje. Kjo vaksinë po kryhet për herë të parë në vendin tonë dhe tashmë i është shtuar programit të vaksinimit.

3 Korrik 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›