Për tokën vret kushëririn e veten
DURRES/ OERD ULQINI
Tragjedi e dyfishtë brenda fisit Djaloshi. Një 35-vjeçar është ekzekutuar me çifte, ndërsa agresori që është djali i tij i xha-
xhait është vetëhelmuar dhe më pas zhdukur pa lënë asnjë gjurmë drejt pyllit të Manzës.Ka qenë ora 16:35 kur i shtyrë nga një sherr pronësie 53-vjeçari Jak Djaloshi humb logjikën, duke qëlluar me armë gjuetie mbi trupin e kushëririt Dritan Djaloshi. Ky i fundit ka mbetur pa jetë brenda pak sekondash, duke mos dhënë kohë për transportin në spital. Saçmat me diametër të madh të dala nga arma e gjuetisë janë qëlluar nga një distancë e afërt mbi 35-vjeçarin, duke i shkaktuar atij plagë vdekjeprurëse. Me të kryer krimin Jak Djaloshi shfaq shenja të qarta pendimi dhe tronditjeje psikike njëkohësisht. Ai vetëhelmohet duke gëlltitur një sasi të lartë fostoksine. Pas sekonda pas vrasjes ai e lë në shtëpi çiften që e kishte me leje dhe pasi pi helmin kundër minjve zhduket në mes të pyllit të fshatit Shkallë, në bashkinë e Manëzës. Ka qenë gruaja ajo e cila ka raportuar në polici, se kutia e helmit ishte e hapur. Në kushtet e tronditjes së thellë psikike, Jaku merr arratinë në mes të “xhunglës”. Një skuadër speciale e policisë ka shkuar me urgjencë në vendngjarje, duke marrë me vete edhe dy qen me nuhatje të lartë për operacione kërkim-shpëtimi. Pas gati 90 minutash arrati, njëri prej qenve e ka gjetur vrasësin në mes të ferrave. Ai kishte humbur ndjenjat nga helmimi por ishte akoma gjallë. Në kushte kritike për jetën Jak Djaloshi është transportuar me urgjencë në spitalin Rajonal të Durrësit, ku ka ndërruar jetë brenda një kohe të shkurtër.
Në një kohë rekord policia ka arritur të zbardhë tërësisht mekanizmin e vrasjes dhe shkaqet e saj. Dy kushërinjtë e rangut të parë kishin pasur mosmarrëveshje të vjetra lidhur me një parcelë toke bujqësore, që gjendej thuajse në distancë të baraslarguar nga dy shtëpitë. Ajo tokë ishte në pronësi të fisit Djaloshi, por secila nga palët kishte pretendime të forta për ta zotëruar. Gjakrat janë ndezur të mërkurën, kur pas shkëmbimit të fjalëve të ashpra Jak Djaloshi merr armën e gjahut, duke qëlluar në gjaknxehtësi mbi Dritanin. Rrëfimi i gruas së Jakut se “u zinë vetëm për një copë tokë!”, u mjaftoi policëve për të ndërtuar në kohë rekord shkaqet dhe mekanizmin e tragjedisë. Rreth orës 18:00 policia ra në gjurmën e vrasësit. Efektivat blu duke parë se Jak Djaloshi ishte thuajse pa puls e kanë dërguar me urgjencë në spital. Vrasësi nuk ka mundur të rrëfejë asgjë, për të zbardhur më mirë para hetuesve ngjarjen, pasi ndërroi jetë brenda pak orësh nga krimi.
Mjekët: Helmi i depërtoi në organizëm
Trupi pa ndjenja i tij është gjetur afro 1500 metra larg shtëpisë. Sipas mjekëve ai ka pirë një sasi të lartë helmi, çka i solli vdekjen rreth 2 orë pas krimit. Mendohet se Jak Djaloshit do t’i ketë rënë të fikët 15-20 minuta pas vetëhelmimit, kohë gjatë së cilës helmi fillon të depërtojë në gjak përmes aparatit tretës. Bluzat e bardha bënë të pamundurën, duke e trajtuar të arrestuarin me lavazhe në stomak, por pa dobi, duke e mbyllur çështjen me një tragjedi të dyfishtë.