E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama-Berisha paralajmerojne dhune., SHBA ruani qetesine

21/01/2011  SHBA: Shmangni retorikën provokuese e mos toleroni asnjë formë dhune

SHBA-të shprehen të shqetësuara për vijueshmërinë e demonstratës së paralajmëruar nga Partia Socialiste për t’u zhvilluar sot. Kjo ambasadë mbështet plotësisht të drejtën e shprehjes përmes formave të grumbullimit, por referuar retorikës së fundit politike, ajo apelon për shmangien e saj kur është provokuese. “Ambasada e Shteteve të Bashkuara mbështet plotësisht të drejtën për lirinë e shprehjes dhe grumbullimit për të gjithë popullin e Shqipërisë. Në një shoqëri demokratike si Shqipëria, është e rëndësishme që shprehje të tilla të jenë paqësore dhe konstruktive. Respektimi i institucioneve, sundimit të ligjit dhe të drejtave të të tjerëve duhet të zbatohen gjatë të gjitha tubimeve e demonstratave. Ditët e fundit, retorika dhe gjuha e disa udhëheqësve politikë kanë marrë një ton që sugjeron mbështetje për akte çrregulluese dhe të dëmshme e sjellje të papërshtatshme. Kjo gjuhë është e papranueshme”, thuhet në deklaratë. Përdorimi i retorikës provokuese, vijon ambasada, dhe sugjerimi apo tolerimi i ndonjë forme dhune është në dëm të popullit të Shqipërisë. “Populli shqiptar meriton më mirë se kaq. Ai ka punuar me seriozitet dhe durim drejt përmbushjes së reformave për të cilat ka nevojë urgjente dhe përparimin e vendit të tyre e përmbushjen e aspiratave të tyre demokratike”, nënvizojnë SHBA-të. Në mbyllje të deklaratës, ambasada vlerëson profesionalizmin e Policisë së Shtetit deri tani, duke shpresuar në të edhe për demonstratën e sotme. “Vlerësojmë sjelljen profesionale që Policia e Shtetit ka ushtruar në mënyrë konsekuente në përmbushje të përgjegjësive të tyre gjatë demonstratave të kaluara. Presim që i njëjti nivel profesionalizmi të demonstrohet në protestën e planifikuar për ditën e premte, më 21 janar”, përfundon ambasada e SHBA-ve.

Kryeministri akuza opozitës se po tenton të shkaktojë trazira

Berisha: Krerë të lartë të PS-së kanë marrë kontakt me grupet kriminale

Kryeministri Sali Berisha është shprehur dje, se drejtues të lartë të Partisë Socialiste, kanë marrë kontakte me eksponentë të krimit ordiner në Shqipëri, për t’i përdorur në protestën e sotme që do të organizohet nga opozita. Kryeministri paralajmëroi se në rast se do të tentohet të prishet rendi kushtetues, atëherë ligji do të veprojë me të gjithë forcën e tij. Këto deklarata Kryeministri i bëri gjatë një interviste të dhënë dje në emisionin “Opinion”, të gazetarit Blendi Fevziu në televizionin Klan. “Ka tre ditë që eksponentë të PS-së kanë marrë kontakt me grupe thellësisht të inkriminuara dhe ka tre ditë që bosë të sh.p.k kanë dorëzuar qindra milionë lekë, shpërndajnë 200-300 mijë lekë në përputhje me porosinë. Qytetarëve u është thënë merrni dyfishin, por vepra të paligjshme mos bëni”, tha Berisha. Ndërkohë gjatë fjalës së tij, Kryeministri ka zbardhur dhe detaje të tjera për sa i përket videos së përgjimit Prifti-Meta. Kryeministri u shpreh se Dritan Prifti ia ka sjellë kasetën në zyrë ditën që LSI-ja mori vendimin për rotacionin e ministrive, duke i kërkuar që të mos e shkarkonte nga posti. “Më pas ai erdhi në zyrën time e më njoftoi për kasetën. Unë nuk e mora videon sepse në atë moment zoti Prifti mendonte se unë nuk do ta zbatoja marrëveshjen me LSI-në, por unë ja bëra të qartë se problemet ai duhet t’i zgjidhte me partinë e tij. Unë i thashë çoje ku të duash absolutisht, por ky Kryeministër ka një parim që kurrë nuk ndërhyn apo të pranojë as marrje peng, as të merret peng apo të marrë peng. Dritan Prifti e solli kasetën kur partia e tij po e largonte nga ministër. Ai ma solli kasetën dhe i thashë jo. Nuk i thashë as ma jep e mos i thuaj njeriu, nuk i thashë as prit e të shohim”, tha Berisha. Duke folur për dorëheqjen e Metës, Berisha tha: “Nuk ja kam kërkuar unë dorëheqjen. Ka qenë kërkesë dy herë e Metës absolutisht. Në mëngjesin e asaj dite që tha këtu jo, në mëngjes erdhi e më tha se do ikte. Më ka bërë përshtypje sepse erdhi dhe në mënyrë të parevokueshme dha dorëheqjen. Unë jam zv/kryeministër tha dhe pavarësisht se hoqa imunitetin nuk më shkon të ulem para një djali apo vajze prokurore si zv/kryeministër, por do të ulem si qytetari Ilir Meta. Unë e përgëzova dhe i kërkova falje pasi është një gjest i guximshëm. Ata që shprehen se me dorëheqjen ai mori përgjegjësinë ata dëshmojnë se janë skllevër të modelit Rama që çdo gjë monton”, shtoi Kryeministri.

Kontaktet

Ka tre ditë që eksponentë të PS-së kanë marrë kontakt me grupe thellësisht të inkriminuara dhe ka tre ditë që bosë të sh.p.k kanë dorëzuar qindra milionë lekë, shpërndajnë 200-300 mijë lekë në përputhje me porosinë. Qytetarëve u është thënë merrni dyfishin, por vepra të paligjshme mos bëni, sepse ligji do veprojë me gjithë forcën e tij.

Videoja

Unë nuk e mora videon sepse në atë moment zoti Prifti mendonte se unë nuk do ta zbatoja marrëveshjen me LSI-në, por unë ja bëra të qartë se problemet ai duhet t’i zgjidhte me partinë e tij. Unë i thashë çoje ku të duash absolutisht, por ky Kryeministër ka një parim që kurrë nuk ndërhyn apo të pranojë as marrje peng, as të merret peng apo të marrë peng.

Dorëheqja

Nuk ja kam kërkuar unë dorëheqjen. Ka qenë kërkesë dy herë e Metës absolutisht. Në mëngjesin e asaj dite që tha këtu jo, në mëngjes erdhi e më tha se do ikte. Më ka bërë përshtypje sepse erdhi dhe në mënyrë të parevokueshme dha dorëheqjen. Unë jam zv/kryeministër tha dhe pavarësisht se hoqa imunitetin do të ulem para Prokurorisë si qytetari Ilir Meta.

Rendi, plan masash të posaçme për protestën

2200 policë do të ruajnë rendin gjatë demonstratës

Një plan special masash sigurie është hartuar nga policia e Tiranës për ruajtjen e rendit gjatë zhvillimit të demonstratës së paralajmëruar nga Partia Socialiste mesditën e 21 janarit 2011.

Zyrtarë të policisë kanë pohuar, se plani përfshin angazhimin e rreth 2200 efektivave të policisë në të gjithë territorin e Tiranës. Pjesë dërrmuese e policëve, do të jenë të vendosur në afërsi të institucioneve kryesore, ndërkohë që “brezi i dytë” i sigurisë, përbëhet nga grupe të gatshme që do të qëndrojnë të stacionuara në zona të veçanta të gatshme për ndërhyrje në momente të caktuara. Institucione të rëndësishme si Kuvendi, Presidenca apo Kryeministria do të qarkohen nga dy radhë efektivesh të stacionuar në mënyrë të dukshme. Në rrugicat mes këtyre institucioneve do të qëndrojnë grupet e gatshme, si dhe struktura të tjera të nevojshme si autoambulancat dhe grupet mbështetëse të policisë. Ministri i Brendshëm, Lulzim Basha, deklaroi se ata që do të cenojnë rendin dhe sigurinë do të përballen me ligjin. Ndërkohë policia ka paralajmëruar një ditë para demonstratës, se një pjesë e mirë e aktivitetit masiv do të jetë nën mbikëqyrjen e kamerave të sigurisë. Ndërkaq policia e qarkut të Tiranës njoftoi se në bashkëpunim me Policinë Rrugore kanë marrë të gjithë masat e nevojshme për sigurimin e rendit e të qetësisë publike para, gjatë dhe pas zhvillimit të tubimit të 21 janarit. Në një njoftim për shtyp, policia e Tiranës tha se tubimet sipas itinerarit të njoftuar, do të monitorohen me kamera. Për më tepër pjesëmarrësit e këtij tubimi u ftuan që të respektojnë me korrektësi dispozitat ligjore dhe të shmanget çdo lloj provokimi ndaj forcave policore në rrugë.

Apeli

Ministri i Mbrojtjes, Arben Imami, i kërkoi opozitës që të ushtrojë funksionet e saj parlamentare dhe dialogun normal politik. Në një deklaratë për mediat, ku prezantoi prioritetet e ministrisë për vitin 2011, Imami paralajmëroi se ata që bëjnë thirrje për dhunë do të mbajnë përgjegjësi. “Kush bën thirrje për mospërmbajtje do të mbajë përgjegjësi jo vetëm politike”, tha dje ministri i Mbrojtjes. Ai tha gjithashtu se qeveria aktuale ka dalë nga zgjedhje të lira dhe se demonstratat nuk e rrëzojnë. “Nuk mund të rrëzohet me demonstrata një qeveri e ligjshme. Çdo përpjekje në këtë drejtim, do të ishte kthim prapa i vendit”, deklaroi ai.

Mazhoranca sulmon drejtorin e “Fiks Fare”

Bogdani: Çakalli i Ramës spiun prej 30 vjetësh

Mazhoranca qeverisëse, përmes deputetit të Partisë Demokratike, Gerti Bogdani, ka sulmuar politikisht drejtorin e emisionit investigativ “Fiks Fare”, që publikoi videon e përgjimit të ish-zv/kryeministrit Meta me ish-ministrin prifti, Filip Çakuli. Demokrati e akuzoi atë për ushtrim të veprimtarisë së tij 30-vjeçare si agjent i Sigurimit të Shtetit shqiptar. Në këtë kontekst ai përmend dënimin me 8 vjet burg të gjimnazistit Fatbardh Kupi, për shkak të ekspertizës letrare që Çakalli, siç e quan Bogdani, bëri për hartimin e tij në gjimnaz, me titull: “Gëzuar Vitin e Ri!”. “Eksperti i atëhershëm, Çakalli i sotëm i Edvin Ramës, Filip Çakuli, shërben si dëshmitar kryesor për dënimin e Fatbardh Kupit. Në ekspertizën e tij ky xhelat i të rinjve shqiptarë shkruan se ‘besimi është kauza për të cilën ka shërbyer dhe i ka kushtuar jetën, kurse dimri që do të marrë të tatëpjetën në stuhi të re është pushteti popullor, i cili është dhe pengesa për të që të arrijë qëllime të larta’”, theksoi deputeti në deklaratën e tij. “Ky fakt, - përfundoi Bogdani, - dëshmon se kryeçimka në krye të Partisë Socialiste, nxjerr nga gjirizet e analeve të Sigurimit të Shtetit çakej, për të krijuar prova të rreme ndaj Kryeministrit të vendit dhe përdor sot ‘Top Channel’ si hanxhar krimi, njëlloj si dikur bënte ekspertizën për Sigurimin e Shtetit”.

PD akuza kreut të PS-së për videon

Boçi: Rama krijoi prova të rreme për Kryeministrin

Partia Demokratike vijon të denoncojë përgjimin e Ilir Metës përmes asaj që ajo e quan akt kriminal dhe antikushtetues të Edi Ramës, kryetarit të Partisë Socialiste. Deputeti i saj, Luçiano Boçi, përmes një konference për mediat tha se Rama, në bashkëpunim me punonjës të Sigurimit të Shtetit të videos, bënë manipulimin e videos për të akuzuar për qëllime puçiste Kryeministrin e vendit. “Edvin Kristaq Çimka, edhe pasi mediat transmetuan pjesët e prera të videos dhe faktuan se zoti Meta bënte fjalë thjesht për kërkesën paraqitur Kryeministrit për zëvendësimin, në përputhje me marrëveshjen PD-LSI, të drejtorit të KESH-it, mbrojti krimin e tij të shëmtuar të krijimit të provave kundër Kryeministrit, duke u deklaruar shqiptarëve se videoja nuk është e montuar”, tha Boçi. Sipas tij, kreu i PS-së, duke prerë mbi 30 sekonda videon, për të krijuar prova të rreme për Kryeministrin e vendit, ripërsërit aktet e të atit biologjik, Kristaq Rama, që firmoste ekzekutimin dhe varjen e kundërshtarit të pafajshëm politik edhe pas rënies së Murit të Berlinit. “Edhe pasi mediat faktuan montimin e tij, duke provuar se në 30 sekondat e prera bëhej fjalë për emërime në krye të KESH-it, në vend të Muharrem Stojkut Engjëll Zeqon, dhe jo për një hidrocentral, Edvin Kristaq Rama vazhdon të mbrojë videon, u deklaron shqiptarëve se videoja nuk është e montuar”, vijoi ai. Boçi nuk ka kursyer as akuzat personale ndaj numrit një të opozitës, duke e quajtur atë pinjolli i Bllokut, që 22 vjet më parë, sipas dosjes së Gjykatës së Tiranës, të botuar në gazetë nga bashkëpunëtori i tij më i ngushtë sot, ka akuzuar të atin si baba të djalit të vet.

Kreu i PS-së reagon një ditë para demonstratës popullore

Rama: Qeveria “Berisha” frikë nga populli, zgjidhja vetëm largimi

Oli Xhilaga

“Nuk është opozita që duhet ta zgjidhë këtë krizë që nuk e ka shkaktuar opozita, po është qeveria, Saliu, që duhet të vënë në tryezë dorëheqjen për të filluar me dialog e kompromis politik shërimin e plagëve që kjo krizë po thellon e do thellojë përditë deri në përmasa të paparashikueshme, nëse nuk do t’i jepet fjala sovranit për t’u shprehur me votën e lirë”. Ky ka qenë qëndrimi i ardhur nga Partia Socialiste një ditë para organizimit të demonstratës. Ishte kreu i kësaj partie, Edi Rama, ai i cili gjatë një konference për shtyp ritheksoi dhe një herë tjetër arsyet se përse populli do të jetë sot në shesh kundër qeverisë. “Çfarë kërkon populli? Të mos vidhet e gënjehet më kështu, kaq rëndë, kaq ultësisht e egërsisht, sy për sy dhe ata që jo vetëm e vodhën, po dhe e gënjyen si askund në botën demokratike, të largohen duke pranuar zgjedhjet e reja si një mundësi e re për popullin që të gjykojë atë që ka ndodhur dhe të zgjedhë ata që populli kërkon ta qeverisin më tutje”, vuri në dukje Rama. Po në të njëjtën linjë, kreu i PS-së sqaroi dhe pozicionin e opozitës në këtë demonstratë. “Çfarë kërkon opozita? Vetëm atë që kërkon populli, asgjë më shumë. Përmes demonstratave ne nuk kërkojmë as përmbysjen e pushtetit me dhunë, as marrjen e pushtetit pa zgjedhje. Ne kërkojmë thjesht e vetëm largimin e kësaj qeverie, rikthimin e gjendjes demokratike në parlament, garantimin e votës së qytetarëve dhe zgjedhjet e reja ku të fitojnë ata që do populli”. Për këtë arsye, Rama theksoi se “llogarinë populli e kërkon sot ende përmes nesh, përmes opozitës, e për sa kohë ndodh kështu nuk ka as dhunë, as trazira, as shkatërrime, po ka demonstrim popullor të vullnetit të sovranit, për t’i hapur rrugë gjykimit të vet me zgjedhje të reja, duke kërkuar largimin e qeverisë”. Por nga ana tjetër, në fjalën e tij Rama iu kundërpërgjigj dhe deklaratave të ardhura nga mazhoranca qeverisëse. “Duke parë ekzagjerimin e përditshëm në fjalorin e Saliut, ministrave, po edhe të ish-zëvendëskryeministrit, që i rri ngjitur Saliut si Meta këpucës, kupton lehtësisht se çfarë lepuri të madh ka rritur frika nga populli në barkun e kësaj qeverie kusarësh e matrapazësh. Frika natyrale e hajdutit të zënë me presh në duar që bërtet, shqelmon, vret”, deklaroi Rama gjatë fjalës së tij, sa i takon një çështjeje të tillë.

Spartak Ngjela

“Nuk ka banda opozita. Opozita mbështet popullin për të sjellë demokracinë liberale, perëndimore në Shqipëri me këtë devizë. Shqiptarëve u duhet një kryeministër që të mos jetë mbret midis njerëzve, por njeri midis njerëzve. Data 21 janar e zgjidh këtë çështje përfundimisht në një shtet, në një shoqëri që vuan prej dekadash për të sjellë demokracinë, votën e lirë dhe dinjitetin kombëtar. Të tria janë konverguar në një pikë, nesër në datën 21 janar”, u shpreh në emër të Opozitës së Bashkuar, kreu i PDL-së, Spartak Ngjela. Sipas tij, Opozita e Bashkuar është me popullin. “Të tërhiqet qeveria, të caktohet një datë zgjedhjesh të lira e të ndershme, të japë menjëherë dorëheqjen KQZ dhe të fillojë reforma e thellë zgjedhore me ligjin përkatës. Të tëra këto në një vend që s’ka pushtet gjyqësor të pavarur, siç thotë i gjithë monitorizmi ndërkombëtar, është vetëm populli që e zgjidh. Nesër do ta shikojmë”, tha ai.

Itinerari i demonstratës

Qytetarët që do të vijnë nga rrethe të ndryshme të vendit do të bashkohen dhe do të marshojnë nga akse të ndryshme të kryeqytetit, deri në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, në orën 13:30. Ndërkohë që Partia Socialiste nga ana e saj ka përcaktuar dhe itinerarin që do të ndjekë kjo demonstratë. Kështu, në të gjitha pikat do të ketë grumbullime në 13.30, duke parashikuar që qytetarët të mblidhen në qendër në orën 14:00 dhe itinerari do jetë ky: Stacioni i Trenit-bulevardi “Zogu i parë”, Zogu i Zi-Rruga e Durrësit, 21 dhjetori-Rruga e Kavajës, Pallati me shigjeta-Unazë, Filologjiku-Rruga e Elbasanit. Ndërkohë që PS nisi që dy ditë më parë lajmërimet derë më derë në të gjitha njësitë bashkiake, për t’iu bashkuar demonstratës së 21 janarit. Kështu, partia më e madhe opozitare e ka konceptuar organizimin e kësaj demonstrate si një reagim qytetar ndaj korrupsionit dhe keqqeverisjes së pushtetit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›