E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: Berisha, plan për manipulimin e zgjedhjeve

Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama, deklaron nga selia rozë se po bëhet presion mbi anëtarët e grupeve të numërimit të votave.  Nuk ka asnjë sens që të ketë personazhe gjithfarësh që futen në Qendrat e Numërimit e të bëjnë presion, të pengojnë procesin e numërimit në mënyrë të dëshpëruar, ashtu si është dëshpërimi i atyre që nxisin këto lëvizje, tha Rama, duke shtuar se ka plane për bllokimin e zgjedhjeve dhe për nxjerrjen e kutive të pavlefshme. Ai ka deklaruar se PS është e informuar për vënien në lëvizje të një plani për bllokime të QN, kutive, për zgjedhje të pavlefshme. Një operacion, i cili është shtrirë në të gjitha ato qendra numërimi ku rezultati është qartësisht duke u thelluar për Partinë Socialiste, dhe me shërbëtorët e tij të oborrit qeveritar ka nisur një mësymje për bllokimin e qendrave të numërimit në Lushnje, Fier, Elbasan. Pikërisht, në ato qendra numërimi ku ne presim qetësisht numrat që dalin nga kutitë e votimit, e që nuk kanë të bëjnë me numrat që ndiqen në rezultatet paraprake të kompanisë, e cila në rrugë operative merr dhe i servir numra publikut prej kthjellimit të procesit të numërimit, tha Rama. Më tej, kreu i selisë rozë u shpreh se rezultatet e marra në rrugë operative janë rezultate legjitime për secilin që i mbledh apo i publikon ato, por nuk janë rezultate zyrtare, dhe nga ana tjetër, duke theksuar që rezultatet e marra në rrugë operative nga ana e ECA në disa raste kontradiktojnë me rezultatet e marra nga ana e PS në rrugë operative. Është shumë e rëndësishme që të theksojmë për të gjithë opinionin publik se rezultatet e numërimit janë rezultatet zyrtare. Deri në daljen e rezultateve zyrtare, e gjithë pjesa tjetër është sigurisht një hapësirë për diskutim, por nuk përbën një bazë për të folur për përfundimin e një procesi në një qendër apo në një qendër tjetër. Jam këtu për të ritheksuar se jemi shumë të shqetësuar për përshkallëzimin e veprimeve trysnuese, e veprimeve kërcënuese, e veprimeve të paligjshme, që ministra të qeverisë të Sali Berishës, po bëjnë në vazhdimësi në qendrat e numërimit në ato zona që unë përmenda. Ashtu sikundër po ushtrojnë trysni edhe në Shkodër, ku me sa duket kërkojnë të ndikojnë, siç po kërkojnë të ndikojnë në zonat që thashë, vijoi ai. Rama u shpreh se për kryeministrin e Shqipërisë, në radhë të parë, është një sfidë që ta përfaqësojë Shqipërinë si person i autorizuar në këtë proces me dinjitetin dhe seriozitetin që procesi kërkon, për tu quajtur një proces i vlefshëm dhe jo ta kërcënojë procesin duke bërë nga njëra anë njeriun që del për të buzëqeshur dhe për të folur për standarde, standarde që jo vetëm po zbehen, por po çbëhen orë pas ore dhe nga ana tjetër pastaj, duke yshtur këto presione të patolerushme në qendrën e votimit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›