Mazhoranca në krizë numrash, e miraton me vetëm 68 vota ligjin për Pronat
Kuvendi i Shqipërisë miratoi me 68 votat e deputetëve të mazhorancës projektligjin që lidhet me çështjet e pronësisë së tokës bujqësore, ndërsa opozita abstenoi këtë nismë me argumentimin se po abuzohet me titujt e pronësisë. ligji për Kalimin në pronësi i titujve për tokat e ndërmarrjeve ish- Bujqësore, ka sjellë përplasje mes forcave politikë ne parlament, edhe në seancën e djeshme. Opozita abstenoi këtë ligj duke akuzuar mazhorancën për përfitime klienteliste, ndërsa tre deputetë votuan kundër kësaj nisme.
PR kunder ligjit
Nga ana e tij, Ministri i Mjedisit Fatmir Mediu, ka votuar kundër këtij ligji, duke e quajtur këtë nismë të mazhorancës si antikushtetuese dhe që nuk zgjidh çështjen e pronave. “Ky projektligj në gjykimin tim zvogëlon, ose hedh poshtë mundësinë e kthimit të tij fizik apo kompensimit fizik, sepse aktualisht ne të gjithë jemi koshientë. Nuk ka asnjë pëllëmbë tokë të lirë në territorin e Shqipërisë, e gjitha është zaptuar në mënyrë të paligjshme është tjetërsuar në mënyrë të paligjshme. Atëherë ku do të gjendet fondi për kthimin dhe kompensimin fizik të pronarëve?”, tha Mediu.
Qëndrimi i opozitës
Kundërshtimet ndaj këtij ligji erdhën edhe nga përfaqësuesit e opozitës ku deputeti Erjon Braçe, akuzoi mazhorancën se ka vendosur një kriter përjashtues lidhur me përfitimin e titujve të pronësisë, duke përcaktuar se tokën e përfiton ai që e ka kultivuar për qëllime bujqësore. “Bëhet fjalë për 11 mijë hektarë dhe këtë duhet ta dëgjojë çdo shqiptar, 11 mijë hektarë dhe për 8 mijë familje. Po i theksoj këto dy shifra sepse thelbi i ligjit, është në dëm, pikërisht të këtyre 8 mijë familjeve, dhe natyrisht të çlirimit të 11 mijë hektarëve nga këto familje për t’i lënë të lira pastaj për të gjithë klientët e qeverisë, tha Braçe.
Qëndrimi i Mazhorancës
Nga ana e tij, Ministri i Bujqësisë Genc Ruli sqaroi se nismat bëjnë fjalë vetëm për toka bujqësore dhe jo për ato që vendimet e KKRT-ve u kanë ndryshuar destinacionin, duke i shpallur nga tokë bujqësore në tokë të zhvillimit urban. “Bëhet vetëm plotësimi me dokumenta të ligjshëm, të rregullt, të marrjes së tokës në pronësi, duke ruajtur të njëjtat kritere dhe sidomos kriterin bazë, të vlerësimit që duhet të ketë qenë subjekt i përfitimit të tokës, që në ligjin e asaj kohe, ai qe e merr titullin e pronësisë sot dhe pa dyshim të mos ketë ndryshuar vendbanimin”- tha ministri Ruli.
PS akuzon Berishën për shmangie
ndaj kontrollit parlamentar
Partia Socialiste akuzoi kryeministrin Berisha se përpiqet ti shmangët kontrollit parlamentar duke mos u paraqitur në interpelancën e kërkuar nga opozita disa ditë më parë lidhur me zbatimin e marrëveshjes koncesionare për shfrytëzimin e kromit në Bulqizë. Në nisje të seancës plenare kryetari i grupit parlamentar të PS-së, Gramoz Ruçi, tha se me këtë qëndrim të kryeministrit është shkelur rregullorja dhe kjo synon të shmangë kontrollin parlamentar ndaj ekzekutivit. Në reagimin e saj kryeparlamentarja u përgjigj se për të njëjtën temë kryeministri është përgjigjur në interpelancat e mëparshme në Kuvend, të kërkuara nga opozita, në muaj shtator dhe nëntor të vitit të kaluar. Por, shtoi ajo, kërkesës për interpelancë mund të vijë dhe t’i përgjigjet dhe ministri i linjës.
Debati Shalsi-Mediu, akuza të ndërjellta për Gërdecin dhe Pronat
Debatet në Kuvend për tokën bujqësore kanë degjeneruar në akuza të ndërsjellta mes ministrit të Mjedisit Fatmir Mediu dhe deputetit socialist Eduart Shalsi lidhur me tragjedinë e Gërdecit. Partia Socialiste akuzoi sërish ministrin Mediu për tragjedinë e Gërdecit, ndërsa nga ana e tij, ky i fundit akuzoi përfaqësuesit e Partisë Socialiste se ka përjashtuar ish- pronarët. Shalsi më kërkon të kërkoj falje, por ju duhet të kërkoni falje që i keni burgosur, që i keni thënë ish-pronareve nuk jeni pjesë e partisë tonë, deklaroi Mediu. Si replikë, deputeti socialist Shalsi akuzoi Mediun për tragjedinë e Gërdecit. Do të them një ndryshim të madh, nuk më bën përshtypje qe ke qenë ministër në kohën që Shqipërisë i ka ndodhur një fatkeqësi, duhet të ishe kokulur, janë vrarë 26 veta dhe ke kurajë të më tregosh faljen mua, tha Shalsi. Ministri Mediu deklaroi se ndjen vetëm dhimbje morale, ndërkohë kërkoi nga opozita që ‘të përballet hapur me të vërtetën dhe të mos luajë rolin e kukuvajkës’. Të kishe pasur minimunim tim të kurajos, atëherë duhet të kërkoje vërtetë ca ka ndodhur dhe të mos bëjë kukuvajkën, por ju e bëni vetëm për interes politik, pozicionin tim e kam bërë të qartë, dhe kam vetëm dhimbje morale dhe jo lidhore, deklaroi Mediu.
