E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: Berisha të angazhohet për reformat

Ai apeloi që Shqipëria të mos e humbë statusin e vendit kandidat këtë vit.

“Shprehem sot i shqetësuar sepse koha nuk pret. Berisha nuk po reflekton për asgjë. Deklarata më e fundit e komisionarit Fule dhe vizita e sotme e ministrit danez të çështjeve evropiane tregojnë qartë se jemi në një moment kur miqtë dhe partnerët ndërkombëtarë po bëjnë gjithçka për të na ndihmuar në emër të interesave të vendit tonë dhe familjes evropiane, të cilët kërkojnë t’i ndihmojmë me rezultate konkrete”, theksoi Rama.

Ai shtoi se kryeministri nuk po shfaq asnjë shenjë vullneti. “Berisha nuk po shfaq asnjë shenjë vullneti për të vënë interesat e vendit mbi ato personale. Nuk po reflekton në asgjë dhe për asgjë. Ky moment historik për Shqipërinë përballë udhëkryqit të zgjedhjes së Presidentit, dhe të provimit të madh të vjeshtës e imponon reflektimin e krejt klasës politike shqiptare, dhe të kryeministrit në radhë të parë”, tha Rama.

Duke folur për çështjen e Presidentit të ri të vendit, Rama kërkoi edhe një herë që kreu i Shtetit të zgjidhet me konsensus. “Ne nuk mund ta marrim statusin nëse nuk mbyllim reformën zgjedhor përpara 24 majit. Ne rrezikojmë vetë procesin e integrimit për të mbrojtur KQZ-në e Ristanit apo për të mos lejuar asnjë transparencë për materialet zgjedhore. Në këtë moment, historik kryeministri po bën shurdhin ndaj kërkesës tonë për dialog për zgjedhjen e presidentit. Por a mund të sakrifikohet interesi kombëtar vetëm e vetëm se kryeministri kërkon me çdo kusht dhe Prokurorin e Përgjithshëm, dhe SHISH, dhe kreun e Forcave të Armatosura”, shtoi ai.

Shefi i opozitës tha gjithashtu se në këtë moment, Berisha nuk duhet të flasë për suksese imagjinare. “Berisha t’i lërë akuzat, shpifjet dhe sukseset e tij imagjinare, sepse koha nuk pret. Kjo është koha për reformat që Shqipëria të marrë Provimin e Vjeshtës. Të garantojë unitetin e kombit me rastin e 100 vjetorit të vendit. Të bashkojmë të gjitha energjitë në funksion të zgjedhjeve që sot te bëhet zgjedhja për reformën zgjedhore, zgjedhja për presidentin e republikës për reformën parlamentare përbëjnë një moment kryq në këtë udhëkryq nga ku Shqipëria duhet të dalë faqebardhë të vazhdojë me hapa të tjerë deri në ditën tjetër kur duhet të kalojë provimin e Vjeshtës”. /S.Ll/Start/

                                                                                             2012-05-16 15:00
   

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›