E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: “Berisha të heqë duart nga votat e Fierit”



Kreu i PS-së, Edi Rama, ka reaguar dje duke dënuar ashpër atë që ka ndodhur në qytetin e Fierit. “Jam këtu për të ritheksuar atë që është theksuar dy herë brenda ditës së sotme, që Sali Berisha duhet të largojë duart nga mandati i nëntë i Partisë Socialiste në Fier dhe duhet të largojë duart në tërësi nga një proces i cili po degjeneron nga ora në orë në një farsë dhe që po merr përmasat e një torture për njerëzit, që prej netësh qysh se nuk mbahet mend tanimë, qëndrojnë për të nxjerrë nga kutitë e fshehta të votimit vendimin e popullit. Sali Berisha duhet të bëjë garantin e rendit dhe të qetësisë në qendra votimi ku janë dyndur ministra të shoqëruar nga njerëz civilë të armatosur, të cilët largojnë nga qendrat e votimit edhe mediat dhe kërcënojnë në mënyrë të vazhdueshme njerëzit e pranishëm aty, duke bërë në të njëjtën kohë gjithçka që është krejt e paligjshme, inkurajimin e nxjerrjes së kutive të votimit jashtë dhe duke kërkuar në këtë mënyrë që përveç një pavlefshmërie e cila nuk ekziston, të përmbysin një rezultat që është tanimë i fiksuar. Sali Berisha, sipas vendimit të 28 qershorit, të lexuar deri tani, nuk është më kryeministri i Shqipërisë dhe i shqiptarëve, është një kryeministër në detyrë, i cili do të qëndrojë në detyrë deri në ditën kur do të duhet të lexohet dhe të jetësohet vendimi i popullit sovran në datën 28 qershor”, - deklaroi dje kreu i PS-së, Edi Rama. Më tej Rama ka shtuar se si kryeministër në detyrë Sali Berisha duhet të garantojë procesin ose atë pjesë të mbetur të procesit që po degjeneron nga ora në orë dhe që po kthehet në një torturë për ata njerëz që prej netësh e ditësh flenë dhe nuk lëvizin nga qendrat e numërimit, ku ushtrohet trysni, ku bëhet një situatë absolutisht e patolerueshme. “Dhe, nga ana tjetër, dua të theksoj se gara vazhdon, se Partia Socialiste është e vendosur që të mbrojë vendimin e popullit sovran të datës 28 qershor. Një vendim i cili jo vetëm e ka nxjerrë PS-në forcën e parë politike në vend, por që është qartësisht, deri në momentet që po flasim, lidhur me çfarë kemi lexuar deri tani, kundër vazhdimësisë së kësaj qeverie dhe të këtij kryeministri. Unë dëshiroj që me gjithë zhvleftësimin sistematik që i është bërë procesit nga ndërhyrjet e vazhdueshme dhe nga trysnia sistematike e njerëzve të errësirës, të shoqëruar nga ministra e nga agjentë krimesh të Ministrisë së Brendshme, e nga shërbëtorë personalë që kryeministri i ka vendosur aty në Ministrinë e Brendshme, të marrë fund. Të marrë fund sepse kështu ne po nxjerrim jashtë kontrollit një proces i cili duhet të mbarojë dhe që ka mbikëqyrjen tonë sistematike deri në fund. Ne do të bëjmë të pamundurën dhe do t’ia dalim që votat të numërohen ashtu siç duhet dhe nuk ka forcë që përmbys me dhunë, që përmbys me kërcënime, që përmbys me këtë trysni të patolerueshme atë që ka vendosur populli shqiptar më datën 28 qershor”, - ka theksuar Rama.

2 Korrik 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›