E Diel, 1 Nëntor 2026

Tension në Fushë-Kuqe, bllokohet procesi, 6 kuti mbërrijnë në KQZ



Tiranë - Gjashtë kutitë e votimit në Fushë-Kuqe të Kurbinit, që po mbanin peng shpalljen e rezultatit për qarkun e Lezhës, janë nisur për në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve rreth orës 9:30 të paradites së djeshme. Për numërimin e fletëve të votimit në këto kuti, KZQ-ja do të marrë një vendim që mund të ndikojë edhe në rezultatin përfundimtar të qarkut të Lezhës, ku Partia Demokratike pretendon një mandat më shumë. Një natë më parë në KZAZ-në e Kurbinit u vu re një prani e madhe e forcave të policisë. Edhe pse kanë kaluar tashmë disa ditë nga votimi, numërimi i votave të zonës së Fushë-Kuqes në Laç ka mbetur i bllokuar. Mbrëmjen e së martës qyteti i Laçit është rrethuar nga forca të shumta të policisë, pjesa më e madhe e të cilave kishin ardhur nga Tirana. Rreth 24 orë më parë në këtë qytet zbarkuan më shumë se 6 automjete me forca speciale të shoqëruara edhe nga dy blinda të policisë. Edhe ambientet e shkollës ku duhet të kryhet numërimi i votave kanë qenë të rrethuara nga më shumë se 50 forca të Policisë së Shtetit. 6 kutitë që kanë rezultuar me probleme të shumta kanë mbajtur peng gjatë gjithë natës në presion të vazhdueshëm komisionerët. Kutitë e kontestuara janë të shoqëruara me procesverbalet përkatëse, në të cilat nuk janë shënuar numrat e kartave të identitetit apo pasaportave. Fakt ky që ka bërë që komisionerët e majtë të dyshojnë në manipulimin e këtyre kutive. Gjatë orëve të vona të së martës kërcënimet nuk kanë munguar as për mediat nga persona, të cilët kanë kërkuar me ngulm largimin e tyre. E gjithë situata është shkaktuar në praninë e uniformave blu, të cilat në asnjë moment nuk kanë ndërhyrë për qetësimin e saj. Në një situatë të tillë nuk dihet ende fati i administrimit të votave. Edhe pse kanë kaluar tri ditë nga 28 qershori zgjedhjet kanë mbetur në mëshirë të fatit.

2 Korrik 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›