E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkeljet ligjore më të spikatura të procesit zgjedhor

Kandidatët për deputetë nuk e kanë gjetur votën e tyre në kuti. Mospërputhje midis numrit të votuesve dhe fletëve të votimit

Eljona Ballhysa
Edhe ky proces zgjedhor që pritej të ishte në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe të shënonte një kthesë për mënyrën e realizimit të zgjedhjeve në Shqipëri, rezultoi me një sërë shkeljesh ligjore. Ashtu si në proceset e kaluara zgjedhore, shkeljet u vunë re në të dyja etapat e procesit; si gjatë ditës së votimit, ashtu dhe gjatë maratonës së numërimit të tyre. Madje shkeljet më të shumta dhe që mund të ndikojnë në rezultatin e zgjedhjeve janë shënuar gjatë procesit të stërzgjatur të numërimit të votave.
Shkeljet në numërim
Personat që janë marrë me procesin e numërimit të votave dhe që kanë qenë pjesë e grupeve të numërimit njoftojnë se në shumicën e rasteve kishte parregullsi përsa u përket procesverbaleve të kutive të votimit. Ka pasur raste të shumta ku procesverbali ishte futur në kutinë e votimit ndërkohë që duhej të dorëzohej veçmas kutisë. Edhe plotësimi i procesverbaleve ka qenë i mbushur me gabime. Në shumicën e rasteve ka pasur mospërputhje të numrit të fletëve të votimit të marra në ngarkim dhe numrit të fletëve të përdorura gjatë votimit. Po kështu, në procesverbale janë vënë re një numër më i vogël votuesish në krahasim me fletët e votimit që ndodheshin në kuti, që vinin në dyshim rregullsinë e kutisë së votimit. Kandidatë të ndryshëm për deputetë kanë deklaruar se kanë votuar në një qendër votimi dhe pas procesit të numërimit vota e tyre nuk ka ekzistuar. Kjo deklaratë ngre një pikëpyetje të madhe për procesin. Komisionerët e grupeve të numërimit njoftojnë për shumë fletë votimi të parregullta, me shenja apo pa vula, që janë konsideruar të vlefshme. Në procesverbale gjithashtu janë shënuar fletë votimi, ndërkohë që nuk janë shënuar numrat e kartave të identitetit, apo të pasaportave më të cilat kanë votuar zgjedhësit. Në shumë raste ka munguar firma e votuesit. Në mënyrë të jashtëligjshme, në qendrat e numërimit të votave është vënë re futja e personave të paautorizuar, të cilët pengonin procesin ose sillnin vonesa në proces për shkak të ndërprerjes. Por edhe kandidatët për deputetë kanë luajtur një rol negativ në disa qendra votimi, pasi prania e tyre në qendër ka rritur tensionin midis komisionerëve. Në kundërshtim me ligjin komisionerët kanë mbajtur të hapur telefonin celular dhe në shumicën e rasteve komunikimet telefonike me drejtuesit e partive që i përkisnin kanë ndërprerë procesin dhe kanë zgjatur pa fund numërimin e votave. Në qendrat e numërimit është ndërprerë energjia disa herë, gjë që ka ndikuar në zgjatjen e procesit. Shqiptarët vërtetuan edhe në këtë proces zgjedhor se nuk heqin dorë nga votimi kolektiv familjar. Në komuna të ndryshme, por edhe në qytete, u bënë përpjekje që një person të votojë për të gjithë familjen.
Edhe në këtë proces zgjedhor nuk munguan akuzat e ndërsjella të partive politike për shitblerje të komisionerëve të qendrave të votimit. Pritet që të gjitha këto shkelje të jenë marrë shënim nga vëzhguesit ndërkombëtarë dhe do të shënohen në raportin përfundimtar për zgjedhjet në Shqipëri, gjë që do të ndikojë në vlerësimin përfundimtar të procesit zgjedhor në vend.
Shkeljet në votim
Në raportin paraprak ndërkombëtarët renditën një sërë shkeljesh ligjore të vëna re gjatë procesit të votimit. Gjatë ditës së votimit u vu re hapja me vonesë e shumë qendrave të votimit. Megjithëse ishte përcaktuar që qendra e votimit duhej të hapej në orën 7:00 të mëngjesit, shumë prej tyre janë hapur pas këtij orari, madje në mesditë. Kjo për faktin se mungonte infrastruktura zgjedhore dhe komisionerët ende nuk kishin marrë në dorëzim materialet. Këto zgjedhje vërtetuan nivelin e dobët menaxhues të komisionerëve. Shumica e tyre nuk kishin trajnimin e duhur dhe nuk kishin dijeni për detyrën e tyre. Shumë komisionerë u përpoqën të mbanin qëndrim politik në ndihmë të partisë që e kishte emëruar. Vëzhguesit ndërkombëtarë e cilësuan problematike përdorimin e bojës shënjuese në gishtin e madh të dorës së majtë. Sipas tyre, boja fshihej shpejt dhe në shumë raste votuesit nuk shënjoheshin.

SHKELJET

Mospërputhje të numrit të fletëve të votimit të marra në ngarkim dhe numrit të fletëve të përdorura gjatë votimit

Në procesverbale ekzistonte një numër më i vogël votuesish në krahasim me fletët e votimit që ndodheshin në kuti

Kandidatë të ndryshëm për deputetë kanë deklaruar se kanë votuar në një qendër votimi dhe pas procesit të numërimit vota e tyre nuk ka ekzistuar

Komisionerët e grupeve të numërimit njoftojnë për shumë fletë votimi të parregullta, me shenja apo pa vula, të cilat janë konsideruar të vlefshme

Në procesverbale gjithashtu janë shënuar fletë votimi, ndërkohë që nuk janë shënuar numrat e kartave të identitetit apo të pasaportave

Në mënyrë të jashtëligjshme në qendrat e numërimit të votave është vënë re futja e personave të paautorizuar, të cilët pengonin procesin

Komisionerët kanë mbajtur të hapur telefonin celular dhe në shumicën e rasteve komunikonin me drejtues të partive

Shqiptarët vërtetuan edhe në këtë proces zgjedhor se nuk heqin dorë nga votimi kolektiv familjar

Akuzat e ndërsjella të partive politike për shitblerje të komisionerëve të qendrave të votimit

Taktika e bllokimit të kutive të fundit të votimit për shkak të përllogaritjes së rezultatit të partive

2 Korrik 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›