E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: “Berisha të mos guxojë ti asgjësojë kutitë e votimit”



Shaban Sulçe

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka lëshuar një apel të fortë në drejtim të kryeministrit Sali Berisha. Gjatë një konference për shtyp, Rama i ka bërë thirrje kryeministrit Berisha që të mos i prekë kutitë e votimit duke i asgjësuar ato. Kreu i PS-së theksoi se asgjësimi i kutive të votimit nuk do ta shpëtojë Berishën nga përballja me popullin opozitar, teksa theksoi se nëse ndodh një gjë e tillë, ajo do të konsiderohet shprehje e patolerueshme e dhunës ndaj opozitës. “I bëj apel Sali Berishës të kuptojë se prekja e kutive të votimit apo, larg qoftë, për të e për ushtarin e tij fanatik në krye të KQZ-së, asgjësimi i kutive ndërkohë që ne kërkojmë hapjen e tyre, jo vetëm që nuk do ta shpëtojë këtë pushtet të korruptuar e korruptues nga përballja me të vërtetën e popullit opozitar, por përkundrazi, do të konsiderohet prej nesh si një shprehje e patolerueshme e dhunës ndaj opozitës”, - tha Rama. Duke folur për protestën e 10 tetorit, kreu i PS-së i ftoi të gjithë qytetarët shqiptarë që të jenë të pranishëm në një betejë shumë të rëndësishme qytetare.

Kërkesa
Edhe gjatë ditës së djeshme Edi Rama nuk ka ngurruar të përsërisë kërkesën e Partisë Socialiste për të hapur kutitë e votimit dhe për të siguruar transparencën e zgjedhjeve të 28 qershorit. Ai i bëri apel kryeministrit Berisha që të mos vijojë të shfaqet indiferent ndaj kërkesave legjitime të opozitës. Rama theksoi se PS-ja do të vijojë bojkotin dhe protestat deri në plotësimin e kërkesave të saj. “I bëj apel Sali Berishës të kuptojë se shurdhëria ndaj kërkesave tona legjitime për të normalizuar jetën parlamentare të vendit vetëm po e rëndon e do të rëndojë edhe më shumë përgjegjësinë e tij. Të shtunën pasdite, më 10 tetor, populli opozitar do t’ia bëjë këtë apel kryeministrit pa legjitimitet edhe përpara zyrës së tij. I bëj apel Sali Berishës të kuptojë se Partia Socialiste nuk hyn në Parlament pa u plotësuar kërkesa e patjetërsueshme për transparencën e zgjedhjeve të 28 qershorit dhe me të gjithë opozitën ne do të përshkallëzojmë manifestimin e protestës për shkeljen e ligjit që garanton hapjen e kutive të votimit. Manifestimi opozitar i së shtunës, 10 tetor, është vetëm fillimi i një përpjekjeje që ne do ta shtrijmë në çdo rrugë të vendit, në qoftë se pushteti i lindur nga grabitja e votave nuk hap kutitë e 28 qershorit”, - u shpreh kryetari i Partisë Socialiste.

Protesta
Rama nënvizoi se më 10 tetor, e gjithë opozita, paqësisht, por me shumë forcë, do të protestojë për t’i dhënë fund çdo lloj dhune mbi votën e mbi njerëzit që masivisht po vazhdojnë të hiqen nga puna për shkak të bindjeve e përkatësive të tyre politike.
Kreu i PS-së tha se kryeministri Berisha nuk mund ta pengojë dot opozitën në këtë protestë. Ai u bëri thirrje të gjithë qytetarëve që të jenë të pranishëm në këtë protestë, të cilën e cilësoi një betejë të rëndësishme qytetare. “I bëj apel Sali Berishës të kuptojë se asgjë nuk e ndal opozitën në rrugën e saj për të çliruar zgjedhjet nga zgjedha e shtetit të bërë njësh me pushtetin dhe për t’i dhënë fund një historie të turpshme zgjedhjesh të deformuara e të kontestuara, duke bërë çdo përpjekje e përballuar çdo vështirësi, në një betejë që nuk është beteja e radhës mes një pale e një pale tjetër, po beteja qytetare e një populli që jeton në mes të Europës dhe nuk ka arsye në botë që të mos bëjë zgjedhje njësoj si kudo në Europën ku jeton. Të shtunë pasdite, 10 tetor, kjo betejë qytetare hyn në një fazë të re dhe ne do të jemi në krye të saj sepse përfaqësojmë shpresën, nevojën, bindjen e palëkundur që pa i dhënë fund historisë së dhunës mbi votën e qytetarit shqiptar, pa rivendosur barazinë para ligjit dhe pa çliruar çdo qytetar nga ija e hakmarrjes politike të pushtetit të radhës, nuk ka Shqipëria europiane për të gjithë. Ne na intereson Shqipëria europiane për të gjithë, dhe jo Shqipëria europiane për Sali Berishën, Ilir Metën, Fatos Nanon dhe për kompaninë e tyre, bashkë me oborret e tyre, klanore dhe familjare”, - tha kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama.

Balla ankohet tek Internacionalja Socialiste për zgjedhjet

Deputeti i Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka marrë pjesë dje në punimet e Internacionales Socialiste për vendet e rajonit të Mesdheut, të cilat po zhvillohen në Spanjë. Balla është në krye të delegacionit të Partisë Socialiste dhe pritet të mbajë një fjalim gjatë këtij takimi me krerët socialistë të Ballkanit. Deputeti socialist pritet të paraqesë të gjitha kundërshtimet e PS-së si dhe pretendimet e saj për manipulimin e zgjedhjeve të 28 qershorit. Balla do të shpjegojë gjithashtu arsyet e vendimit të Partisë Socialiste për të bojkotuar Kuvendin dhe për nisjen e protestave popullore. Punimet e Internacionales Socialiste për rajonin e Ballkanin do të zgjasin tri ditë dhe pritet që në fund të këtyre punimeve të mbahet edhe një deklaratë për procesin zgjedhor në Shqipëri.

7 Tetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›