PS-ja drejt bojkotit të zgjedhjeve të pjesshme
Partia Socialiste është shumë pranë marrjes së një vendimi për të bojkotuar zgjedhjet e pjesshme lokale të 15 nëntorit. Partia më e madhe e opozitës do të refuzojë të marrë pjesë në përballjen e parë elektorale të pas 28 qershorit, si shenjë proteste ndaj qëndrimit dhe vendimit të maxhorancës për të mos hapur kutitë e zgjedhjeve dhe për të mos ofruar transparencën e kërkuar. Pritet që një vendim të ngjashëm të marrin edhe 4 partitë aleate të PS-së, të koalicionit “Bashkimi për ndryshim”. Një gjë e tillë do të bënte që në zgjedhjet lokale të pjesshme të paraqiteshin vetëm kandidatë nga maxhoranca. Dje, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka vendosur afatet ligjore për regjistrimin e partive për pjesëmarrjen në këto zgjedhje. Sipas vendimit të KQZ-së, koalicionet që duan të konkurrojnë në këtë proces zgjedhor kanë afat deri më 15 tetor për t’u regjistruar, ndërkohë që afati për kandidatët është vendosur deri më 18 tetor. Përsa u përket propozimeve të partive për anëtarët e komisioneve zonale të administrimit të zgjedhjeve, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka vendosur si afat datën 12 tetor. Zgjedhjet e pjesshme lokale do të zhvillohen në datën 15 nëntor, datë e dekretuar pak ditë më parë nga Presidenti i Republikës, Bamir Topi. Ato do të zhvillohen në pesë njësi vendore, pasi ish-drejtuesit e tyre dhanë dorëheqjen, për shkak se kandiduan për deputetë në zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit. Kështu, procesi zgjedhor do të zhvillohet në komunën Otllak, në bashkitë Fushë-Arrëz, Klos dhe Fierzë, si dhe në Njësinë Bashkiake Nr. 10 në Tiranë.
7 Tetor 2009