E Diel, 1 Nëntor 2026

Moisiu: “Bojkoti i opozitës, përpjekje për ti dhënë fund manipulimit të zgjedhjeve”



Eljona Ballhysa
Ish-Presidenti i Republikës, Alfred Moisiu, ka reaguar dje në lidhje me bojkotin që opozita i ka bërë punimeve të Kuvendit të Shqipërisë. Sipas Moisiut, bojkoti është një përpjekje e opozitës për t’i dhënë fund praktikës së manipulimit të zgjedhjeve në Shqipërisë. Ish-presidenti mendon se është e udhës që të hapen kutitë e votimit, dhe kjo të vendoset si një praktikë demokratike dhe që i shërben realizimit të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, në përfundim të të cilave asnjëra nga partitë politike të mos ketë dyshime për rezultatin e zgjedhjeve. Këtë deklaratë, ish-kreu i shtetit e ka bërë gjatë ceremonisë së promovimit të librit të tij “Midis Nanos dhe Berishës”, të zhvilluar në qytetin e Beratit. Moisiu gjithashtu i është përgjigjur edhe pyetjes për vendimin e qeverisë për kufijtë detarë midis Shqipërisë dhe Greqisë, për të cilin Moisiu e cilëson si element të politikës servile të qeverisë shqiptare ndaj asaj greke.
Qëndrimi
Përsa i përket bojkotit të opozitës, ish-presidenti Moisiu mendon se çështja e manipulimit të zgjedhjeve duhet të marrë fund me hapjen e kutive të votimit dhe numërimit të votave në ato qendra për të cilat PS-ja ka pretendime për manipulim të rezultatit. “Çështja e manipulimit të zgjedhjeve duhet të marrë fund njëherë e mirë. Nuk mund të them se është apo jo bojkoti mënyra më e mirë, por gjykoj se kjo është një përpjekje që vërtet kërkon që të përfundojë njëherë e mirë manipulimi i zgjedhjeve në Shqipëri”, - është shprehur ish-presidenti Moisiu. Ndërsa pyetjes nëse është dakord me hapjen e kutive, ai u përgjigj se hapja e kutive duhet të vendoset si një procedurë normale në një shtet demokratik dhe që u jep fund të gjitha pretendimeve për manipulim. “Nuk ka se si mos të bëhet. Hapja e kutive të votimit do t’i japë fund procesit të deformimit të votës dhe do të shërbejë për t’i dhënë fund në proceset e tjera zgjedhore manipulimit të votës”, - është shprehur ish-kreu i shtetit shqiptar. Gjatë pjesëmarrjes në ceremoninë e promovimit të vëllimit të ri të librit me titull “Midis Nanos e Berishës”, ish-kreu i shtetit kërkoi që të rishihet marrëveshja e kufijve me Greqinë. “Më duket një servilizëm i qeverisë sonë ndaj qeverisë greke. Fakti që ka një reagim në lidhje me këtë çështje tregon se diçka aty duhet parë”, - është shprehur ish-presidenti Mosiu. Ndërsa, duke iu referuar tekstit të Historisë së klasës së 12-të, Moisiu akuzoi historianët se po bastardojnë në mënyrën më të rrezikshme historinë e shqiptarëve.
Opozita
Partia Socialiste nuk ka marrë pjesë në asnjë seancë parlamentare, duke shpallur bojkotin e Kuvendit të dalë nga zgjedhjet e 28 qershorit. Madje selia rozë ka njoftuar fillimin e protestave popullore deri në zbardhjen e plotë të procesit zgjedhor. Socialistët kanë vendosur disa kushte për rikthimin e tyre në Kuvend. Një ndër kushtet parësore është hetimi i zgjedhjeve, që synon ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar dhe hapjen e disa kutive të votimit në ato qendra votimi ku ka pasur parregullsi, të cilat, sipas PS-së, kanë sjellë deformim të rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve. Por, përfaqësues të maxhorancës, duke përfshirë këtu edhe kryeministrin Berisha, e kanë cilësuar antikushtetuese këtë kërkesë, pasi, sipas tyre, për kutitë e votimit ka një vendim të prerë të Kolegjit Zgjedhor dhe se Kuvendi nuk mund të veprojë dhe të marrë nisma të tilla. Për këtë qëllim, PS-ja, ditën e shtunë, më datë 10 tetor, do të protestojë në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, në mënyrë që t’i jepet fund njëherë e mirë manipulimeve në zgjedhje.

7 Tetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›