E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: Berisha të reflektoje, kosto e rëndë per vendin

Tiranë- Kreu i Partisë Socialiste ka ritheksuar sot kërkesën për dorëheqjen e kryeministrit të vendit, Sali Berisha, si një shërbim i mirë për të gjithë, pasi qëndrimi i tij në pushtet po shton dita ditës koston për vendin dhe qytetarët.

Gjatë një konference për shtyp, pak minuta më parë, Rama ka deklaruar se partia që ai drejton është në rrugën e fitores, por ka shtuar se Berisha duhet të largohet për uljen e kostos që po bëhet e papërballueshme, edhe në sytë e ndërkombëtareve.

“Është skandaloze që Berisha nuk gjen kurajon të reflektojë ndaj kritikave të ashpra që i bëhen nga të katër anët. Ai është në konflikt me të gjithë, me opozitën, median, drejtësinë, bashkësinë ndërkombëtare për shkak të një politike tërësisht jo dekomratike dhe të vënë në dispozicion për interesa të paligjshme. Berisha gënjen për të njëjtën arsye që ne marrim frymë. Njerëzit marrin frymë për të jetuar, Berisha gënjën për të mbijetuar. Ky kryeministër gënjeshtar është turpi i Shqipërisë dhe shqiptarëve, që sot e shohin veten në kurthin e një qeverisjeje të paaftë, të papërgjegjshme dhe të korruptuar”- tha Rama para gazetarëve.

Ai e ka quajtur kosto në rritje qëndrimin e Berishës në krye të një pushteti të korruptuar dhe njëherësh fatkeqësi të madhe për të gjithë.

Sipas tij, është e papranueshme dhe e patolerueshme këmbëngulja e tij për të vijuar në rrugën qorre të konfliktit me drejtësinë dhe prokurorinë, të mosdëgjimit të këtyre kritikave që i bëhen, të keqqevrisjes, ndërkohë që padyshim shërbimi më i mirë që mund t’u bëhej, do të ishte të dorëhiqej.

“Muajt e mbetur deri në momentin kur Shqipëria do ta lërgojë atë përmes votës janë një kosto e keqqeverisjes”- tha ai, duke konfirmuar vullnetin e palëkundur të forcës politike që përfaqëson për t’i dhënë vendit një alternativë të re qeverisëse dhe se PS-ja, vazhdon të rezistojë e vendosur ndaj dallgës që Berisha ka nisur mbi drejtësinë dhe prokurorinë për të mbuluar zullumet që dalin përditë në dritën e diellit falë fakteve dhe jo shpifjeje, investigimit të shtypit të lirë dhe jo akuzave politike.Rama ka garantuar se PS-ja do t’i japë jetë politikës së re pa sharë, pa akuzuar për arsye politike, por duke nënvizuar gjithçka që del mbi bazën e fakteve dhe faktet dëshmojnë punën që është bërë nga qeveria për të lehtësuar trafikun e armëve, për përfitime marramendëse, për të krijuar një kuadër ligjor që favorizon zullumin.

Ai e ka quajtur skandaloze këmbënguljen e Berishës dhe tellallëve të tij për t’i ikur ballafaqimit me faktet, duke shpifur, akzuar e sharë PS-në dhe kreun e saj. Fakt për të cilin Rama ka deklaruar se nuk i bën shumë përshtypje, duke qenë i mësuar me politikën e vjetër të Berishës që është përsëritëse e keqe e vetvetes. “Ajo që është rrënqethëse është që 18 vjet pas fitores së lirisë mbi diktaturën, gjendemi në të njëjtën kornizë aktiviteti politik të çoroditur e çoroditës të lidershipit të PD-së”- tha ai.

Duke pohuar nisjen e fushatës zgjedhore, Rama është shprehur i bindur se PS-ja është në rrugën e fitores përmes zgjedhjeve të lira e të ndershme të vitit të ardhshëm dhe kërkesa për dorëheqjen e Berishës është e përsëritur në të gjitha ato raste kur konflikti mes tij dhe Shqipërisë del në pah bazuar në fakte dhe kur ai tregon me fjalë se me papërgjegjshmërinë e tij krijon kosto shtesë.

“Jemi në fushatë elektorale, në kapitullin e fundit të kësaj keqqeverisje, në rrugën e ballafaqimit final të forcave të së shkuarës dhe të së ardhmes. Kërkesa për dorëheqje për një kryeministër që gjendet sot në këtë pozitë kaq të rëndë e të papranueshme, buron nga sensi etik moral, praktik për të mos lejuar që kostoja të rritet dita ditës”- tha ai, duke sqaruar se kërkesa për dorëheqjen e tij është e bazuar në koston shumë të lartë që qeverisja e tij po i shkakon shqiptarëve, Shqipërisë në sytë e botës, kosto që do të shkojë duke u rritur deri ditën e fundit të qëndrimit të tij në vendin ku u ul për të luftuar korrupsionin dhe është kthyer tutor i korrupsionit dhe sekser i atyre që e përdorin ashtu si i përdor ai ata.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›