E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama-Berishës: Hapi kutitë,heto zgjedhjet

Kreu i Partisë Socialiste Edi Rama i ka kërkuar edhe një herë kryeministrit Sali Berisha të hapë kutitë dhe të hetojë zgjedhjet e 28 qershorit. " I bëj apel Berishës të hapë kutitë. Të bëjmë bashkë hetimin e plotë të zgjedhjeve dhe të nisim një histori të re", tha Rama. Kryesocialisti Edi Rama tha se nëse Berisha kërkon të shkulë korrupsion në vend, duhet të shkulë veten e tij nga karrikja, po ashtu edhe zëvendëskryeministrin Meta. Edi Rama pohoi se asnjë antimiting nuk mund të lëkundë bindjen se ky pushtet po sjell rrënim për shtetin dhe ekonominë e qytetarëve. " Ne jemi më të vendosur se kurrë për të çuar para betejën me forcën e arsyes, dhe jo arsyen e forcës", shtoi Rama. Kreu i PS-së ka kërkuar gjithashtu që Prokuroria të nisë hetimin për rrugën Durrës-Kukës. "Kërkoj shpjegimin e Prokurorisë lidhur me mos marrjen e provave për hetim për rrëzimin e tunelit te Kalimashit dhe rrugës Durrës-Kukës. Heshtja bëhet fajësuese për Prokuroinë e cila është nën presion, por nuk mund të braktisë rolin e saj kushetues dhe ligjor", nënvizoi ai.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›