Pranga në Tiranë vrasësit nga Kukësi
TIRANË- Një 32-vjeçar ka përfunduar në qeli, pasi ishte shpallur prej kohësh në kërkim për vrasje. Specialistët e Drejtorisë së Luftës Kundër Krimeve të Rënda në Departamentin e Hetimit të Krimeve në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit arrestuan dy ditë më parë të shumëkërkuarin Vullnet Lisha, lindur e banues në Kukës. Burime zyrtare nga policia e shtetit thanë se Lisha u arrestua në Tiranë, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Kukës, më datë 20 nëntor të vitit 2000 e ka dënuar atë me 17 vjet burgim për veprën penale të vrasjes. Ngjarja për të cilën është shpallur fajtor 32-vjeçari ka ndodhur në Kukës, në vitin 1998, kur Vullnet Lisha ka vrarë me armë zjarri shtetasin Urim Lisha. Pas krimit, Lisha u largua menjëherë duke u shpëtuar prangave të policisë. Kjo e fundit mundi të zbulonte shkaqet dhe autorin e vrasjes duke e shpallur atë në kërkim. Sipas policisë vrasja ndodhi pas një sherri për motive të dobëta mes dy të rinjve. Gjykata e dënoi në mungesë 32-vjeçarin me 17 vite heqje lirie. Ndërkohë që pak ditë më parë policia kishte siguruar informacione në rrugë operative se i kërkuari strehohej në një lagje të Tiranës. Kështu ditën e djeshme pas lokalizimit të vendndodhjes së saktë të Vullnet Lishës, forcat e policisë organizuan një operacion, i cili u finalizua me kapjen e tij.