Urdhri i Alibeajt, shkarkime në Gjykatën e Tiranës
TIRANË- Pas debateve për cënimin e pavarësisë së Prokurorisë, kreu i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj hap një tjetër debat me sistemin e drejtësisë. Përkundër kërkesave të shumta të kancelarit të Gjykatës së Tiranës për shtimin e stafit, ministri Alibeaj ka urdhëruar shkurtimin e një pjese të administratës në gjykatën më të madhe të vendit. Me datë 22 gusht, kur thuajse i gjithë personeli i kësaj gjykate ishte me pushime, Alibeaj ka firmosur heqjen nga puna të rojeve të sigurisë, të ekonomistes, zëdhënëses dhe disa punonjësve të tjerë. Në urdhrin e Alibeajt suprimoheshin pesë vende pune, duke ndryshuar kështu strukturën e personelit të kësaj gjykate. Sipas urdhrit me nr. portokolli 5895, të firmosur nga vetë Alibeaj ndryshon struktura ekzistuese, duke liruar nga detyra zëdhënësen e Gjykatës së Tiranës, ekonomistët e këtij institucioni, dy rojet e vetme të sigurisë si dhe inspektorin e personelit pranë kësaj gjykate. Gjithashtu, parashikohet dhe një ndarje e re e punës në këtë gjykatë, pas kalimit të 15 gjyqtarëve penalistë në ndërtesën ku ndodhet tani Gjykata e Krimeve të Rënda. Me urdhrin e tij, ministri Alibeaj ka vendosur që Gjykata e Shkallës së Parë në Tiranë, e njohur për volumin më të madh të çështjeve në vit nuk ka nevojë për zëdhënës shtypi, pasi ka faqe interneti, nuk ka nevojë për roje të sigurisë, pasi kjo punë kryhet nga policia si dhe nuk ka nevojë për ekonomisë, pasi pagat merren në bankë. Po sipas ministrit, kjo gjykatënuk ka nevojë për inspektor të personelit, pasi puna do të kontrollohet nga vetë inspektorët e Ministrisë së Drejtësisë. Ky urdhër që tashmë ka hyrë në fuqi, edhe pse sipas Kodit të Punës, punëdhënësi është i detyruar të lajmërojë punonjësin 15 ditë më parë, është kundërshtuar ashpër nga punonjësit e kësaj gjykate, duke e cilësuar atë si: “urdhri i çuditshëm i radhës” i Alibeajt. Ndërkaq, është kjo gjykatë që vetëm për 7- mujorin e parë të këtij viti ka kontribuar në buxhetin e shtetit me 100 milionë lekë të reja, të ardhura këto të siguruara nga shumë çështje civile që janë fituara nga përqindjet e pagesave dhe shpenzimet gjyqësore. “Në një gjykatë qëka volumin më të madh të punës se në të gjitha gjykatat e tjera, ku ka nevojë dhe është kërkuar gjithmonë personel shtesë, ministri Alibeaj nxjerr urdhra pa sens, duke dëmtuar funksionimin normal të punës”,-tha njëri nga gjyqtarët e kësaj gjykate, që nuk dëshiron të identifikohet.