Aldo Bare: Në Shqipëri më duan të vdekur, më ekstradoni në Itali
TIRANË- Kreu i bandës së Lushnjes, Aldo Bare, që ndodhet i arrestuar në Ankara të Turqisë ka kërkuar të ekstradohet në Itali, duke pretenduar se në vendin e tij e duan të vdekur. Gjatë seancave gjyqësore të shqyrtimit të kërkesës për ekstradim, Aldo Bareka shprehur dëshirën për ekstradimin e tij në Itali, duke refuzuar të kthehet me pranga në duar në Shqipëri. Burimet zyrtare pranë Ministrisë së Drejtësisë dhe organit qendror të akuzës konfirmojnë këtë lajm, duke u shprehur se një tjetër pengesë për ekstradimin e Aldo Bares është edhe pretendimi i tij se jeta e tij vihet në rrezik, në rast se kthehet në Shqipëri. Sipas këtyre burimeve mësohet se pak ditë më parë, kur pranë Gjykatës Administrative të Ankarasë po shqyrtohej kërkesa e të pandehurit Aldo Bare për azil politik, vetë i pandehuri gjatë fjalës së tij ka shprehur dëshirën pro ekstradimit për në Itali, shtet i cili kërkon ta gjykojë për akuzën e trafikut të lëndëve narkotike.
Para treshes gjykuese të Gjykatës Administrative në Ankara, Aldo Bare ka kërkuar t’i pranohet kërkesa për azil politik, pasi sipas tij, në Shqipëri e duan të vdekur. “Nëse kërkesa ime për azil politik nuk pranohet, atëherë kërkoj nga Gjykata të pranohet kërkesa e shtetit italian për ekstradimin tim në Itali dhe jo në Shqipëri, pasi në vendin tim më rrezikohet jeta dhe disa individë më duan të vdekur atje”,-mësohet të ketë thënë Bare para Gjykatës Administrative në Ankara. Pas shqyrtimit të kësaj kërkese për azil politik dhe dëgjimit të palëve në proces, kjo gjykatë vendosi të mos pranojë kërkesën e Aldo Barespër azil politik, duke i hapur rrugën Gjykatës së Apelit të këtij qytetit për shqyrtimin e kërkesave të autoriteteve italiane dhe shqiptare për ekstradimin e tij.
Kreu i Bandës së Lushnjes, Aldo Bare, ka pranuar edhe para gjykatës kërkesën e autoriteteve italiane për ekstradimin e tij në Itali, për t’u përballur me akuzat e “trafikimit të lëndëve narkotike” në bashkëpunim, në kuadër të organizatës kriminale të drejtuar nga ai vetë dhe krahu i djathtë i tij, Enver Dondollaku, i cili tashmë është dënuar me 16 vjet burg. Ndërkaq, autoritetet shqiptare, menjëherë pas arrestimit të Bares i kanë dërguar homologëve të tyre kërkesën për ekstradim, duke administruar në dosje vendimin e Gjykatës së Apelit në Durrës, ku Aldo Bare është dënuar me 7 vjet heqje lirie për kryerjen e veprës penale të “falsifikimit të dokumenteve”. Ndërsa pas dërgimit të letër-porosisë së parë me kërkesën për ekstradim, autoritete shqiptare kanë nisur në drejtim të drejtësisë turke kërkesën e dytë për qëllim ekstradimin e Bares, këtë radhë duke renditur ndaj tij akuzat e reja atë të “vrasjes me paramendim, më shumë se një herë”; “shkatërrim të pronës me zjarr”; “vrasjes me paramendim të mbetur në tentativë”; “dhunim të varreve”; “vjedhje me dhunë në bashkëpunim” dhe “krijim të organizatave kriminale dhe kryerjen e veprave penale në kuadër të kësajorganizate”. Për kryerjen e këtyre veprave, i pandehuri Aldo Bare bashkë me shokët e tij, Enver Dondollaku, Arben e Enver Boriçi, Ilir Stërgu, Afrim Hoxha, Erion Cici, Rexhep Gina, Arjan Aliçko dhe Jorgo Muzaka po gjykohet pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda në kryeqytet. Edhe pse kanë kaluar dy vjet që nga dita e 25 marsit të viti 2006,kur Aldo Bare u arrestuanë qytetin e Ankarasë në Turqi, fati i ekstradimit të tij ende nuk dihet.
KUNDËR ALDO BARES
Petrit Liçi
Është konsideruar si i penduari i bandës së Lushnjës. Megjithëse u akuzua për pothuajse të gjitha atentatet e kësaj bande, Petrit Liçi rrëfeu për prokurorinë të gjitha krimet, që sipas tij kanë kryer Aldo Bare dhe banda e tij. Liçi është dëshmitar i prokurorisë edhe në procesin e dytë kundër bandës
Mimoza Demiraj
Bashkëshortja e njërës prej viktimave të bandës së Lushnjës, Hysni Demirajt, ka rrëfyer pak javë më parë vrasjen që ndodhi para syve të saj. Ajo ka pohuar në gjyq se autorët e krimit ishin të veshur me uniforma policie dhe e kishin ekzekutuar të shoqin me gjakftohtësi
Arben Kicja
Miku i hershëm i Artur Dajës është një tjetër dëshmitar i prokurorisë, në procesin penal kundër bandës së Lushnjës. Ai pohoi dje nëpërmjet një video-konference për krimet që anëtarët e bandës së Aldo Bares kanë kryer në Lushnje, për privatizimin e një hoteli në këtë qytet