Rama, Berishës: Nuk ka vendim gjykate që pengon hapjen e kutive
Edi Rama ka zbuluar dje para protestuesve opozitarë dhe në prani të grevistëve të urisë, atë që mund të quhet si element i radhës i mosbindjes civile. Refuzimi për të paguar taksat ka gjasë të jetë një akt i parashikuar dhe demonstrativ, i cili si objektiv të parë ka parashikuar Televizionin Publik Shqiptar. Duke marrë shkas nga pasqyrimi i njëanshëm dhe qëndrimi cinik i këtij të fundit lidhur me protestën dhe grevën e urisë së opozitës, Edi Rama bëri të ditur publikisht se ruajtja e statusit të një borie propagandistike të TVSH-së do të sjellë refuzimin e pagesës së taksës për të. “Paralajmëroj sot publikisht tutorin e TVSH, se nëse shfaqja e ulët e TVSH nuk ndërpritet, atëherë do të ndalet kontributi i çdo votuesi opozitar për të”, ka deklaruar kreu i PS. Edhe pse një masë që në pamje të parë “zhgënjen” pritshmëritë e aksioneve të forta, duhet thënë se ky paralajmërim përmban në vetvete farën e një reagimi paralizues, nëse zgjeron terrenin e veprimit. Kapja e TVSH si objektiv, në të vërtetë lidhet edhe me Ditën Botërore të Medias që e gjen Shqipërinë në një gjendje aspak optimiste. Por nga ana tjetër, ai hap një mundësi veprimi që e vendos qeverinë para një perspektive shumë të komplikuar nëse PS ka realisht kapacitetet për të refuzuar pagimin e taksave. Apeli për ndryshimin e situatës është lidhur edhe me sjelljen e pushtetit që po shpërfill situatën, duke e prezantuar veten vetëm përmes sigurisë që jep forca dhe arbitrariteti. Leximi i këtij realiteti që riciklon aktet e harruara të pushtetit të Berishës në vitet ‘92-‘97 është përkthyer mirë nga socialistët në mesazhe të qarta dhe efektive propagandistike. “Kjo është fytyra e mbretërisë së pashpallur, që grabit votat për të rrëmbyer pasurinë. Kjo është fytyra e së ardhmes sonë, në rast se ne nuk zhdukim të shkuarën”, ka thënë Rama. “Një mbretëri e pashpallur”, me këtë emërtesë kreu i PS ka rihedhur në qarkullim atë imazh të Sali Berishës që përbënte ankthin e dikurshëm të opozitës dhe që pati efektin e vet në referendumin e vitit 1994. Këto përkufizime radikale të pushtetit me personalizim të përgjegjësisë dhe emetim publik të fajeve të qeverisë synojnë dukshëm të kondensojë te publiku ndjenjën e reagimit dhe mandej mobilizimit. Rama këmbënguli se nuk ka asnjë vendim gjykate që pengon hapjen e kutive të votimit, teksa ftoi Berishën ta bëjë atë publik nëse e pretendon. Në vetvete ndarja mes palëve përligj edhe gjuhën e përdorur që dje është përshkallëzuar edhe nga aleatët e Partisë Socialiste. “Ultimatum për këtë Kryeministër të papërgjegjshëm, i sëmurë psikik, që të garantojë jetën e 200 grevistëve. Sepse nuk mund të durojmë dot një sakrificë pa fund”, ka theksuar Ngjela. Kështu dita e tretë e grevës së urisë po zbulon hapa të rinj të strategjisë së tensionit që është e detyrueshme në raste të aksioneve të kësaj natyre. Thirrje të ngjashme janë dëgjuar dje pasdite edhe nga kreu i Partisë Demokracia Socialiste, Paskal Milo, i cili nuk ka munguar që të adresojë apelin politik ndaj të gjithë qytetarëve shqiptarë. “Kjo rezistencë duhet të shkojë deri në fund. Kjo protestë është një stafetë ku duhet të marrin pjesë të gjithë qytetarët, pasi nuk bëhet për pushtetin e një partie, por për lirinë”, tha Milo. Në sinkron të tillë kanë qenë edhe Vangjel Dule, Preç Zogaj, por edhe përfaqësuesi i minatorëve Fiqiri Xibri. Në njëfarë mënyre retorika e opozitës që e afishon protestën si shprehje të kërkesës për liri, denoncon standardin e një vendi anëtar të NATO-s, që krizën e ka premisë ekzistenciale që prej 20 vjetësh.
#