Deri më 2015-n, Maqedonia, Serbia, Bosnja e Mali i Zi do të rriten më shpejt se ne
Të ardhurat mesatare të shqiptarëve gjatë pesë viteve të ardhshme do të rriten me vetëm 32 për qind, ndërsa në shumicën e vendeve të tjera të rajonit, rritja do të jetë më e madhe, megjithëse ekonomitë e tyre janë në nivel më të lartë zhvillimi se sa Shqipëria. Ky është konkluzioni i vërejtur nga parashikimi i Fondit Monetar Ndërkombëtar. Sipas statistikave të FMN-së, Prodhimi i Brendshëm Bruto për frymë i shqiptarëve në vitin 2015 do të jetë 4925 dollarë, me një rritje prej vetëm 32 për qind nga niveli i këtij viti. PBB për frymë këtë vit vlerësohet se do të jetë 3733 dollarë. Në të njëjtën periudhë, maqedonasit do të shijojnë rritje ekonomike prej 35 për qind dhe do të kenë të ardhura mesatare prej 6136 dollarësh për frymë, ndërsa Mali i Zi do të rritet me 37 për qind deri në 14 mijë dollarë. Në bazë të parashikimit të FMN-së, Shqipëria do të vijojë të ketë damkën e vendit më të varfër në Europë edhe për shumë vite të tjera. Vendi tjetër në nivel të ngjashëm ekonomik me Shqipërinë, Bosnja dhe Hercegovina, do të shohë rritje të ardhurash nominale me 38 për qind, ndërsa PBB për frymë në vitin 2015 do të jetë gjithsesi 1 mijë dollarë më e lartë se sa vendi ynë. Shqipëria vlerësohet se ka kushte gjeografike shumë më të përshtatshme se sa Maqedonia e Bosnja për zhvillim ekonomik, veçanërisht për shkak të bregdetit, por pavarësisht kësaj, FMN-ja parashikon rritje të ngadaltë ekonomike.
Hendeku thellohetStatistikat tregojnë se edhe vendet e Europës Qendrore apo të Ballkanit, të cilat janë anëtarësuar në BE apo janë kandidate si ne, do të zhvillohen në shumë raste më shpejt se Shqipëria, duke thelluar kështu hendekun në mirëqenie. Bullgaria do të rritet me 41 për qind gjatë kësaj periudhe, duke arritur në 9474 dollarë për frymë, duke siguruar mirëqenie dy herë më të lartë se Shqipëria. Serbia parashikohet të rritet me 43 për qind. Vendet që kanë aktualisht PBB për frymë mbi 10 mijë dollarë në vit dhe që klasifikohen si vende me të ardhura të mesme, do të rriten pak më ngadalë, por edhe këtu ka përjashtime. Hungaria p.sh., të ardhurat për frymë të së cilës janë sakaq 3.9 herë më të larta se sa Shqipëria, do të vijojë të rritet shpejt duke akumuluar 32 për qind më shumë mirëqenie se sa sot. E njëjta gjë do të ndodhë edhe me Kroacinë, Malin e Zi e Rumaninë.
#