E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama, Berishës: Zgjidhja, në tavolinë

Lideri i opozitës: Draftin e ke në tryezë, pranoje. Vonesat, përgjegjësi e qeverisë

Lideri i opozitës, Edi Rama, i është kundërpërgjigjur Kryeministrit Sali Berisha, duke i bërë të ditur se “draftin e ke në tavolinë, ndaj jepi zgjidhje vendit”. Duke folur në mitingun e organizuar në momentet e fundit në sheshin ku ndodhen çadrat e grevistëve të urisë, kreu i PS-së, duke iu drejtuar kreut të qeverisë tha: “E ke zgjidhjen në tavolinë, bëhu burrë dhe pranoje duke i hapur rrugë popullit tënd”. Socialistët kanë organizuar në momentin e fundit një miting poshtë selisë së Kryeministrisë, pikërisht përpara çadrave ku përpara 16 ditëve janë ngujuar 22 deputetë dhe 180 përkrahës të opozitës në një grevë urie, e cila po merr përmasa dramatike. Në këtë miting, ku kishin ardhur përkrahës nga Tirana dhe Durrësi, edhe pse binte shi i rrëmbyer, kreu i opozitës bëri të ditur se protestat nuk do të ndalen për asnjë çast deri sa mazhoranca të pranojë zgjidhjen. Lideri socialist deklaroi se Kryeministri është i dëshpëruar se nuk u realizua skenari që priste mazhoranca për të degraduar në dhunë mitingu i së premtes. “Protesta manifestoi forcën e arsyes, që është arma jonë e pathyeshme. Ndjehem i keqardhur, por nuk i ndihmoi dot kundërshtarët e zhgënjyer, që nuk u këput asnjë lule dhe nuk cenoi uniformën e asnjë polici. Ata kishin mbushur opinionin publik dhe miqtë ndërkombëtarë me mendimin se protesta ishte rrezik që i kanosej qetësisë dhe stabilitetit të vendit, ndërkohë që mezi e prisnin për të pasur në dorë një justifikim. Kjo rezistencë nuk do të thyhet, kjo opozitë nuk do të zmbrapset”, insistoi Rama. Më pas, ai ka lëshuar paralajmërimin e ashpër: “Ky pushtet do të thyejë qafën, nëse nuk do t’i vërë gishtin kokës”. Në fjalën e tij, Spartak Ngjela, përdori një gjuhë më të ashpër ndaj Kryeministrit: “E detyruam tiranin të rrijë 2 mijë kilometra larg. Do jepni llogari të gjithë që nga Kryeministri barbar e deri te kukullat hajdute, të gjithë do të akuzohen se kanë grabitur shqiptarët. Kryeministri do t’i dorëzojë të gjitha paratë këtu”.
Ndërkaq, dje në mesditë, vetëm pas 30 minutash nga deklarata e ashpër e kreut të grupit parlamentar, Astrit Patozi, që hidhte poshtë hapjen e kutive të materialeve zgjedhore, lideri socialist, nga spitali ku vizitoi grevistët në gjendje të rëndë, deklaroi se vonesa e zgjidhjes së krizës bie vetëm mbi shpinën e qeverisë. “Plagët e kësaj beteje shkojnë duke u shtuar, gjendja e grevistëve duke u rënduar dhe çdo orë që kalon është një përgjegjësi e rritur mbi supet e këtij pushteti që kokëfortësisht mban peng një zgjidhje të arsyeshme për t’i hapur rrugë transparencës, duke hapur kutitë e të gjithë dokumentacionit zgjedhor dhe duke pritur nga një instancë e pavarur gjykimin mbi fletët e votimit”, u shpreh Rama. Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, edhe pse ka marrë përgjigje negative nga krerët e PD-së nuk ka kundërvepruar ashpër, por gjithsesi ka bërë të ditur se opozita është e vendosur që të mos heqë dorë nga aksioni i saj politik deri në arritjen e kompromisit që do të thotë “hapja e kutive të materialeve zgjedhore”. Në këtë pikë, drejtuesi i grupimit opozitar që prej fundit të muajit të shkuar ka nisur një protestë maratonë dhe dramatike, ka përsëritur sërish thelbin e draftit që është ofruar nga ndërkombëtarët dhe u shpall publikisht nga kreu i Prezencës së OSBE-së në Tiranë, Robert Bosch. Kreu socialist deklaroi se “është domosdoshmëri jetike që kjo zgjidhje të jepet dhe që duke hapur rrugën e transparencës të hapet edhe rruga që çliron zgjedhjet, që çliron procesin demokratik, çliron gjykim e popullit nga trysnia e një pushteti që nuk e lë popullin të zgjedhë”.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›