E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: Berishës t’i vijë turp për dyfytyrësinë

Nga Daniela Bonollari
Edi Rama është treguar i ashper sot ndaj deklarimeve të Berishës për ligjin e dosjeve bere nje dite me pare. Rama deklaroi sot se Kryeminisitri po tenton të fshehë me cdo kusht, faktin se ka qënë sekretar i Enver Hoxhës 

TIRANE-Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama deklaroi sot se Kryeminisitri Sali Berisha po tenton te fshehe me cdo kusht, faktin se ka qene sekretar i diktatorit Enver Hoxha. Kreu socialist tha se shfaqja e mbrëmshme e Berishës, nuk ishte për të dënuar diktaturën komuniste, por për të mbrojtur diktaturën e korrupsionit.
Në një konference për shtyp sot në mesditë në selinë e PS, kreu i socialistëve, Edi Rama duke marrë shkas nga deklarimet e kryeministrit Sali Berisha një ditë më parë në seancën e Kuvendit gjatë diskutimit pët ligjin e dosjeve, e akuzoi atë si shkelës të etikës dhe dinjitetit të shqiptarëve, e sidomos të persekutuarve. Rama tha se, akuzat se ai vetë qenka një komunist nuk qëndrojnë pasi thuhen nga goja e njeriut, që sipas Ramës përvec kryeministër i sotëm “dje ka qënë sekretarin e djeshëm të partisë së Enver Hoxhës”.
“I dyfytyri Sali Berisha,i cili në moshën time ishte ende shërbëtor në partinë e Enver Hoxhës, u tha mbrëmë shqiptarëve se unë, Edi Rama, paskam qenë i lidhur me diktaturën, dhe për t'i bindur shkeli mbi kujtimin e të ndjerit babait tim”.
Kryetari i PS theksoi se pavarësisht sharjeve në publik për familjen Rama, si kryetar opozite ai nuk do të flasë në emrin personal, por në emër të gjithë shqiptarëve dhe sidomos të persekutuarve.
“Unë jam këtu sepse nuk jam i vetmi që i preket familja nga ky njeri... Unë jam këtu sepse kjo politikë që hyn cdo mbrëmje në shtëpitë e shqiptarëve për të mbjellë urrejtje, për të trazuar mendje e zemra prindërish e fëmijësh me egërsinë e saj, për të rënduar shpirtërisht e moralisht miliona njerëz që duan shpresë”.
Dukë iu mëshuar “dyfytyrësisë” së Berishës, Rama deklaroi se Berisha duhet të ndihet i turpëruar për gjuhën e përdorur dhe për shkeljet që po i bën shtresës së të përsekutuarve. Rama akuzoi Berishën se po i përdor këta të fundit.
“Sali Berishës duhet t'i vijë turp nga shfaqja e shëmtuar e dyfytyrësisë që dha mbrëmë, sepse ndërkohë që të përndjekurve politikë u ka marrë prej 17 vjetësh jo vetëm votën, por kërkon që me gjakun, plagët, vuajtjet, sakrificat, të mbulojë duart e pista të kësaj qeverie të kalbur nga korrupsioni, po edhe të marrë përsëri një mbështetje tërësisht të pamerituar për të përfaqësuar këtë shtresë të vrarë e të torturuar nga Enver Hoxha”.

“Janë të panumërta arsyet përse kryeministrit të Shqipërisë duhet t'i vijë turp teksa mandati i tij po mbaron. Sali Berishës duhet t'i vijë turp nga shfaqja e shëmtuar e dyfytyrësisë që dha mbrëmë sepse qëllimi i tij nuk ishte dënimi i diktaturës së komunizmit, po mbrojtja e diktaturës së korrupsionit”.

Më tej, Rama theksoi se Kryeministri duhet të ndihet i tuprëruar edhe për mos kompensimin dhe djegien e fondeve për të persekutuarit nga diktatura komuniste. Një ndër arsyet e turpërimit që Rama numëroi ishte dhe biznesmeni Fazllic, që sipas kryesocialistit, me paratë që ai ka bërë me korrupsionin si sekser i Berishës do dëmshpërblente mijëra ditë burg për të persekutuarit.

Dje Kryeministri Berisha gjate seances parlamentare ku po diskutohej lidhur me projektligjin “për pastërtinë e figurës” akuzoi liderin e opozitës, Edi Ramën se po mban peng të majtën për shkak të lidhjeve të tij genetike me komunizmin sikunër pretendoi. “Juve ju mban peng Edi Rama, i biri i një anëtari të Komitetit Qendror që kishte mision të lustronte Enver Hoxhën, që e merrte të atin e tij si kone për të lustruar bustet. Është nipi i Spiro Kolekës, një intelektual kriminel që çoi në litar me dhjetra inxhinierë të tjerë vetëm e vetëm sepse ishim shumë më të aftë se ai. Megjithatë unë e ftova në ’91 që ai të bëhet deputet i PD-së”, u shpreh dje Berisha.
(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›