E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zbardhen vendimet e Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste

Forumi i lartë i selisë rozë miraton bojkotin për zgjedhjet e pjesshme të 15 nëntorit. Asambleja miraton nisjen e zgjedhjeve të reja në parti dhe në organizatat bazë

Shaban Sulçe

Asambleja Kombëtare e Partisë Socialiste ka zyrtarizuar dje vendimin e marrë nga Kryesia e PS-së për të bojkotuar zgjedhjet e pjesshme lokale të 15 nëntorit. Forumi i lartë vendimmarrës i selisë rozë ka vendosur gjithashtu aksionin politik të PS-së që ka të bëjë me vazhdimin e bojkotit të Kuvendit, vazhdimin e protestave popullore dhe ankimimin në Gjykatën Kushtetuese të
Marrëveshjes midis qeverisë shqiptare dhe asaj greke për përcaktimin e kufijve ujorë midis dy vendeve. Asambleja Kombëtare ka vendosur gjithashtu të miratojë nisjen e procesit të zgjedhjeve në parti dhe në organizatat e saj.

Vendimet
Vendimet e marra nga Asambleja Kombëtare e PS-së u bënë publike nga kryetari i saj, Gramoz Ruçi, i cili, duke sqaruar kryesisht vendimin për bojkotin e zgjedhjeve të pjesshme, tha se ai ka ardhur pasi maxhoranca nuk ka reflektuar ndaj kërkesave të ligjshme të PS-së. “Asambleja miratoi propozimin e bërë nga Kryesia e PSSH-së, që Partia Socialiste nuk do të marrë pjesë në zgjedhjet e pjesshme të 15 nëntorit 2009 për 4 komuna dhe 1 minibashki. Në vazhdim të qëndrimit të saj politik lidhur me kërkesat e parashtruara për maxhorancën, ku PS-ja ka mendimin se procesi zgjedhor i 28 qershorit është i deformuar dhe nga ana tjetër jemi ndeshur në këtë periudhë që ka kaluar me një heshtje të maxhorancës aktuale, për moshapje rrugë të transparencës për të hetuar krimin elektoral që ka ndodhur në zgjedhjet e 28 qershorit”, - tha Ruçi. Ai sqaroi gjithashtu se ishte miratuar axhenda politike e PS-së. “Së dyti, Asambleja miratoi axhendën politike të subjektit tonë politik, me një ndryshim, që kjo axhendë do të pasurohet duke bërë të qartë të gjithë atë problematikë që ka paraqitur edhe Progres-Raporti i KE-së lidhur me vendin tonë”, - vijoi kreu i Asamblesë Kombëtare të PS-së. Më tej Ruçi tha se Asambleja ka miratuar nenin lidhur me zhvillimin e zgjedhjeve të reja në parti dhe në organizatat bazë të saj. “Gjithashtu, Asambleja miratoi pa ndryshime grupin e punës për përmirësimet dhe ndryshimet në programin politik dhe në Statutin e partisë, si dhe një projektvendim për organizimin e strukturave të PSSH-së, në emigracion, në ato vende ku ka shqiptarë dhe ku legjislacioni i tyre e lejon këtë”, - deklaroi Ruçi.

Bojkoti

Numri i dy i Partisë Socialiste theksoi se vendimi për të bojkotuar zgjedhjet e pjesshme nuk është dalje e PS-së nga sistemi, por përkundrazi, opozita ka nisur një aksion politik për të ngritur sistemin e duhur. “Përkundrazi, axhenda u pasurua me gjithë ato probleme që Progres-Raporti ka për Shqipërinë dhe që nuk kanë ndonjë ndryshim thelbësor, sepse ato që kërkon opozita shqiptare, kërkon edhe Progres-Raporti. Nëse Progres-Raporti thotë që standardet e zgjedhjeve nuk i realizuam, ne kemi thënë se zgjedhjet u deformuan, kështu që opozita është në rrugën e saj si opozitë. Meqenëse opozita shqiptare ka parime të saj; lirinë e votës, lirinë e fjalës, lirinë e punës, luftën ndaj korrupsionit, luftën kundër krimit, pavarësinë e organeve kushtetuese të vendit tonë, pikërisht këto janë kushtet apo kërkesat që janë bërë pjesë e aksionit politik të opozitës shqiptare. Nuk ka dalë opozita jashtë sistemit, opozita ka aksionin e saj politik për të ngritur një sistem, ku vota të jetë e lirë dhe demokratike, ku fjala të jetë e lirë, ku institucionet të jenë të pavarura, ku e drejta e pronës dhe punës të jenë vërtet të siguruara dhe ku lufta ndaj krimit dhe korrupsionit të jenë reale. Këto janë pjesë e aksionit opozitës”, - tha Ruçi.

Vendimet e Asamblesë së PS-së

1-Bojkotimi i zgjedhjeve të pjesshme lokale të 15 nëntorit.
2-Miratimi i axhendës politike të PS-së.
3-Vazhdimi i bojkotit të Kuvendit deri në plotësimin e kushteve të vendosura nga PS-ja.
4-Vazhdimi i protestave popullore për të kërkuar hapjen e kutive të votimit.
5-Ankimimi në Gjykatën Kushtetuese të PS-së të Marrëveshjes midis Greqisë dhe Shqipërisë për përcaktimin e kufijve ujorë midis dy vendeve.
6-Zhvillimin e zgjedhjeve të reja në parti dhe në organizatat bazë.
7-Nisja e një procesi të gjerë konsultimi e debati brenda strukturave të partisë, me strukturat mbështetëse dhe grupet e interesit pranë saj për përmirësime dhe ndryshime në programin politik dhe Statutin e Librin e Rregullave të PSSH-së.
8-Në këtë proces, krahas diskutimit brenda strukturave të partisë, të konsultohen gjerësisht edhe figura të spikatura të historisë së Partisë Socialiste, drejtues të strukturave të saj në vite në nivel qendror e vendor, përfaqësues të forumeve të rinisë e gruas socialiste, bordet qytetare në qarqe, përfaqësues të shoqërisë civile, të grupeve të interesit dhe personalitete të fushës së akademisë e shkencave shoqërore mbështetës të alternativës së majtë etj.
9-Në funksion të këtij procesi të sigurohet përvoja dhe ekspertiza e partive simotra europiane si dhe Internacionales Socialiste e Partisë Socialiste Europiane.
10-Grupi i Punës për programin politik të Partisë drejtohet nga kryetari i PSSH-së, Edi Rama.
11- Grupet e punës në zbatim të këtij vendimi, ndër të tjera, kanë për detyrë që brenda datës 25 tetor të hartojnë: a) programin e punës në funksion të përmbushjes së detyrës në afatin e përcaktuar; b) çështjet themelore rreth të cilave do të orientohet debati dhe konsultimi për tërheqjen e kontributeve në këtë proces në strukturat e partisë e jashtë saj; c) veprimtaritë e gjera që do ta jenë pjesë e këtij aksioni të rëndësishëm politik, institucional dhe organizativ të PSSH-së.
12- Diskutimi dhe miratimi i dokumenteve të hartuara nga grupet e punës së mësipërme të zhvillohet në Kryesinë e PSSH-së brenda muajit janar 2010, në Asamblenë Kombëtare brenda muajit shkurt 2010 dhe në Kongresin e PSSH-së brenda muajit prill 2010.
13- Për realizimin, mbarëvajtjen dhe monitorimin e këtij procesi në strukturat vendore të partisë të angazhohen anëtarët e AK-së të PSSH-së në bashkëpunim me këshillat socialiste të rretheve përkatëse.
14- Sekretariati Ekzekutiv, në bashkëpunim me drejtuesit e grupeve të punës, ka përgjegjësinë e drejtimit dhe organizimit të të gjithë këtij procesi duke informuar periodikisht mbi ecurinë e procesit në mbledhjet e AK-së dhe Kryesisë së PSSH-së.
15- Ngarkohet Kryesia e PSSH-së të miratojë, brenda datës 25 tetor, udhëzimin përkatës për zhvillimin e këtij procesi në strukturat socialiste për programin politik dhe Statutin e Librin e Rregullave të PSSH-së.

19 Tetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›