Rama: Borxhi real publik është 100%, të ulen taksat

Nga tryeza e djeshme e PS
Partia Socialiste mbledh tryezën e programit për politikat e saj fiskale.
Në buxhet mungojnë 100 milionë USD nga hidrokarburet
Kreu socialist, Edi Rama, tha dje se borxhi real publik në Shqipëri është 100%, ndërsa i kërkoi qeverisë të bashkëpunojë me opozitën që të ulet barra fiskale për qytetarët dhe fermerët.
Në tryezën e Partisë Socialiste për politikat fiskale të programit të saj, Rama solli shifra dhe argumente, të cilat vërtetojnë sipas tij se borxhi publik është i barabartë me prodhimin e brendshëm bruto. Borxhi publik, sipas statistikave zyrtare është 60%. Por qeveria ka një borxh ndaj sipërmarrësve, ndaj qytetarëve, ndaj pronarëve, ish-të përndjekurve, ish-ushtarakëve. Sot borxhi është të paktën 100 për qind e PBB-së së vendit, ose aq sa çështë prodhimi i brendshëm bruto, u shpreh Rama. Ai shtoi se borxhi publik pas vitit 2005 është rritur me 3 miliardë dollarë dhe rritja e tij e vazhdueshme i kushton çdo familjeje 55 dollarë në muaj. Gjatë fjalës së tij, Rama deklaroi se politika e gabuar fiskale e qeverisë solli rritje zero të ekonomisë. I sugjeruam qeverisë të zbusë klimën e acaruar që ka krijuar për biznesin. Por qeveria refuzoi sugjerimin për ngrirjen e përkohshme të taksave ndaj biznesit. U deshën 2 vjet e gjysmë që të dëgjoheshin propozimet tona, por tani skanë efekt, deklaroi Rama. Kreu socialist shprehet më tej se kriza ekonomike në Shqipëri sa vjen e rëndohet. Ai shtoi se janë dyfishuar taksat për biznesin, ndërsa ekonomia po fundoset nga monopolet. Ai i kërkoi qeverisë që në këto kushte të marrë parasysh propozimet e opozitës për të ulur TVSH, duke garantuar votën e socialistëve në Kuvend. Ekonomia është në rrënim të mëtejshëm nëse nuk ka kthesë radikale. Kriza është reale, prek përditë familjet e sipërmarrjet. Qeveria të ulë taksat për bukën, sheqerin, vajin. Të ulë taksat për mësuesit, infermierët, policët. Të ulë taksat për uré, nitrat, fosfat, të ulë akcizën e naftës, propozimet i ka, ne i votojmë menjëherë, shtoi Rama. Duke folur për keqadministrimin e sektorëve të ekonomisë nga ana e qeverisë, Rama tha se humbjet në sektorin e hidrokarbureve janë shumë të larta. Mungojnë në buxhetin e shtetit 100 milionë dollarë të ardhura në vit vetëm nga keqmenaxhimi i sektorit të hidrokarbureve, u shpreh Rama. Kryesocialisti iu përgjigj dhe skeptikëve të programit të PS. Na akuzojnë se ku do ti gjejmë paratë për të bërë realitet këtë program. Do garantojmë barazi në trajtimin e sipërmarrësve, do shkatërrojmë monopolet dhe çmimet e referencave, do jemi transparentë në shifra dhe në prokurime. Janë 1.5 miliardë dollarë që nuk figurojnë asgjëkund në ekonominë shqiptare nga ryshfetet dhe korrupsioni. Ja ku do gjejmë paratë për programet tona, u shpreh Rama.
Objektivat e PS
. Rikthim në një rritje të qëndrueshme ekonomike. Shëndoshje e financave publike
. Politikë e re fiskale, që ti shërbejë zhvillimit ekonomik të vendit dhe vendosjes së ekuilibrave socialë
. Politika fiskale që ulin kostot e prodhimit dhe TVSH
. Liri e garantuar për çdo biznes
. Çmontim të monopoleve dhe çmimeve të referencave
. Bashkëpunim me grupet e interesit dhe bizneset
ARISTIR LUMEZI