Rama: Dënimet për Gërdecin, farsë

Kreu i PS, Edi Rama
Kreu i PS e cilësoi tronditës vendimin e Gjykatës: Pushteti po rrënon themelet e barazisë para ligjit.
Vrasja e 26 qytetarëve të pafajshëm u katandis në dëmtim prone
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka lëshuar dje akuza të ashpra ndaj vendimit të Gjykatës së Tiranës për tragjedinë e Gërdecit, duke e quajtur atë si zhgënjimin e radhës. Në mbledhjen e Grupit Parlamentar të PS-së, Rama e ka konsideruar vendimin një farsë dhe goditjen e radhës për drejtësisë. Një ditë pas procesit të tragjedisë së Gërdecit, drejtësia ka vazhduar të trondisë opinionin publik. Katandisja e gjykimit të një krimi shtetëror me pasojë vrasjen e 26 qytetarëve të pafajshëm, në një farsë ku nuk flitet për vrasje po për dëmtim prone e për pakujdesi teknike, ishte një tjetër goditje rrënuese për besimin e shqiptarëve, por edhe të partnerëve ndërkombëtarë, te Drejtësia në Shqipëri. Procesi i përjashtoi shkaktarët e mëdhenj të tragjedisë dhe dha dënime selektive, edhe ato tejet zhgënjyese për opinionin publik, duke goditur përsëri vetë Prokurorinë e Republikës, deklaroi Rama. Kreu i opozitës pohoi se kur socialistët do të vijnë në pushtet, atëherë drejtësia do të jetë e barabartë për të gjithë. Përsëri zgjedhja është e qartë, drejtësi e barabartë apo rrënim i mëtejshëm i themeleve të barazisë para ligjit. Edhe në këtë rast është e qartë që pushteti i sotëm kërkon medoemos ti rrënojë të gjitha themelet e barazisë para ligjit. Ndërkohë që ne do të bëjmë çmos që barazia para ligjit të jetë themeli jo vetëm i programit, por edhe i angazhimeve tona publike përballë shqiptarëve, i kontratës sonë qeverisëse me ta, pohoi Rama.
Imuniteti
Shefi i opozitës deklaroi dje para Grupit Parlamentar se nisma e kufizimit të imunitetit është një prioritet i së majtës, por pa u shkëputur nga vizioni që kanë për sistemin e Drejtësisë. Heqja e imunitetit të zyrtarëve të lartë është prioritare për ne. Ka kohë që jemi shprehur publikisht për këtë. Por, si për të gjitha çështjet, as kjo nuk mund të jetë e shkëputur nga një vizion tërësor i reformës në Drejtësi. Zgjedhja është e qartë, drejtësia, një shërbim publik që jepet sipas ligjit dhe jo sipas mundësisë për ta blerë atë, theksoi kryetari i PS-së. Gjithashtu Rama në fjalën e tij theksoi rëndësinë që merr diskutimi për Gjykatën Administrative, që duhet ndarë me ekspertët vendës dhe të huaj.
Gjykata Administrative është një sfidë e madhe, që duhet ndarë me patjetër me ekspertët më të mirë të vendit dhe ekspertizën e huaj të pranishme në Shqipëri, me komunitetin e juristëve dhe me komunitetin e biznesit pa dyshim. Një dëgjesë e hapur është e domosdoshme dhe unë i falënderoj organizatorët e saj që do ta bëjnë të mundur që nesër. Por nuk mjafton, sepse sidomos komuniteti i biznesit duhet bërë patjetër pjesë e gjithë procesit në Komisionin e Ligjeve. Me shumë rëndësi janë edhe ndryshimet që lidhen me ato që Komisioni Europian rekomandon për emërimet e gjykatësve të lartë dhe gjykatësve në Gjykatën Kushtetuese, theksoi kryetari i PS-së.
Programi i PS
Në mbledhjen e Grupit Parlamentar të PS-së, Edi Rama theksoi se shqiptarët ndodhen sot para dy zgjedhjesh ose të përqafojnë programin e PS-së, ose rrënimin, që sipas tij, ofron maxhoranca aktuale. Rilindje Shqiptare ose rrënim i mëtejshëm; punësim real ose rritje e papunësisë; taksim i ndershëm ose taksë e sheshtë; shërbime publike posaçërisht në arsim e shëndetësi, por në tërësi sipas nevojave ose sipas mundësisë për të paguar; mbështetje biznesit ose shfrytëzim i biznesit; zhvillim modern rural ose braktisje e mëtejshme e fshatit në gjendjen e vet mesjetare, deklaroi kreu i PS-së.
Kryesia e PS: Riorganizim të PS në Tiranë, Lezhë, Shkodër e Vlorë
Kryesia e Partisë Socialiste e mbledhur dje pasdite pranoi propozimin e anëtarit të saj dhe njëkohësisht kryetar i PS-së së Tiranës, për riorganizim të strukturave të saj në të njëmbëdhjetë minibashkitë e kryeqytetit. Procesi i zgjedhjes së drejtuesve të PS në këto minibashki ka ngecur që para Kongresit të 5 nëntorit 2011 për shkak të kandidaturave të shumta për kandidim. Me këtë vendim pritet që situata të zhbllokohet. Në mbledhjen e djeshme mungonte anëtari i saj, Erjon Braçe, por dhe Namik Dokle, i cili bashkë me Ditmir Bushatin ndodhen në Londër bashkë me anëtarët e maxhorancës të Komisionit të posaçëm Parlamentar për Reformën Parlamentare. Riorganizim të PS do të ketë dhe për degët e Shkodrës, ndërkohë që në Lezhë dhe Vlorë ky proces ka nisur. Mbledhja e fundit e Asamblesë Kombëtare vendosi që procesi i zgjedhjes së drejtuesve të PS-së në të 117-të njësitë vendore në të gjithë vendin, të përfundonte deri më 15 mars, periudhë kjo e pamundur për të përfunduar për shkak të proceseve të riorganizimit të PS. Dje, Kryesia miratoi disa nga kandidaturat që do të jenë në fazën finale të zgjedhjes për kreun e PS në disa komuna dhe bashki, nga asambletë e zgjeruara të tyre. Kryesia dëgjoi nga grupi i caktuar nga ky forum platformën e parë të strategjisë së PS për komunikimin me publikun. Sipas hartuesve, kjo strategji do të bëjë të mundur unifikimin dhe orientimin e të gjithë të zgjedhurve të kësaj partie lidhur me mesazhin që do të përçohet në publik. Ata kishin përcaktuar mesazhet kryesore për publikun që do të ketë PS për sfidat afatgjate, siç janë zgjedhjet e përgjithshme 2013, por dhe sfida më e afërt, siç është zgjedhja e Presidentit.
FATION BINJAKU