E Shtunë, 31 Tetor 2026

Konferenca e Kryetarëve, lule dhe ballakume për Ditën e Verës

Konferenca e kryetarëve

Konferenca e Kryetarëve të grupeve parlamentare, i cili miratoi kalendarin trejavor të punimeve të Kuvendit të Shqipërisë, u përfshi dje në atmosferën e festës pagane të Ditës së Verës. Nënkryetari i Kuvendit, deputeti i qarkut të Elbasanit, Ardian Turku, u shpërndau nga një ballakume të gjithë anëtarëve të Konferencës së Kryetarëve me rastin e kësaj feste. Si përfaqësues i qytetit ku Dita e Verës festohet më shumë, Turku kishte dje tagrin e të zotit të shtëpisë për të qerasur kolegët e tij, të maxhorancës dhe opozitës me këtë ëmbëlsisë karakteristike të Ditës së Verës, të njohur në të gjithë Shqipërinë. Gjithashtu, kryetarja e Komisionit të Medias, socialistja Valentina Leskaj, deputete e qarkut të Elbasanit, ka marrë një buqetë me lule, të cilën ia kanë dhënë punonjësit e administratës, edhe kjo me rastin e Ditës së Verës. Këto simbole të ardhjes së pranverës janë komentuar me batuta gjatë mbledhjes për një pranverë në marrëdhëniet e mëtejshme mes maxhorancës dhe opozitës.
Debati
Në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve, debati i zhvilluar mes palëve u fokusua te dy projektligje që janë në diskutim në komisionet parlamentare. Maxhoranca kishte përfshirë në kalendarin 3-javor miratimin e projektligjit për regjistrimin e pasurive të paluajtshme, projektligj që po diskutohet momentalisht në Komisionin e Ligjeve. Maxhoranca kishte parashikuar që ky projektligj të futej për miratim në seancën e javës së ardhshme, e cila do të zhvillohet ditën e mërkurë, për shkak se e enjtja është ditë feste. Por opozita e ka kundërshtuar këtë propozim. Sipas kryetarit të Grupit Parlamentar, Ruçi, ky projektligj duhet të marrë kohën e duhur të diskutimit dhe konsultimit në komisione. Nuk duam të miratojmë një ligj të nxituar për të cilin të rikthehemi përsëri e të krijojmë kosto të pariparueshme, mësohet të jetë shprehur kreu i Grupit Parlamentar socialist, Ruçi. Gjithashtu, kryetarja e Komisionit të Medias, Leskaj, ka kërkuar përfshirjen e ligjit për median në kalendarin trejavor të Parlamentit, pasi ai tashti është shumë i vonuar dhe duhet miratuar sa më shpejt. Por maxhoranca nuk e ka pranuar këtë propozim, duke e lënë jashtë kalendarit trejavor si ligjin për median, ashtu dhe ligjin për pasuritë e paluajtshme.

Pasuritë
Komisioni i Ligjeve po punon shumë ngadalë me ligjin për regjistrimin e pasurive të paluajtshme. Në Komisionin Parlamentar të Ligjeve janë miratuar vetëm 14 nene, nga 79 që ka gjithsej ligji i ri. Gjatë seancave të fundit, opozita dhe maxhoranaca është përfshirë në debate lidhur me përbërjen dhe kompetencat e ZRPP-së, për ta shkëputur atë nga lidhja me Kryeministrin, ndërsa opozita ka kërkuar që të ketë në të një anëtar të saj.

Media
Ligji i Mediave vazhdon diskutimin në Komisionin Parlamentar të Medias. Në diskutimin e fundit në këtë komisionin, kryetarja e tij, Valentina Leskaj, tha: Për ligjin e transmetimeve me zë dhe figurë ka kaluar mjaft kohë dhe besoj se tani jemi në pikën e duhur, pasi relatorët kanë përfunduar punën e tyre, të fillojmë shqyrtimin e projektligjit, fillimisht në parim dhe më pas nen për nen. Por, maxhoranca, përmes deputetit Mark Marku, ka akuzuar opozitën për vonesa për shkak të bojkotit të saj të gjatë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›