E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sarandë, kapet gomonia me 60 kg kanabis

SARANDË- Një gomone me droge, 10 metra e gjatë dhe me dy motorë nga 250 kuaj fuqi secila është kapur në brigjet e Sarandës.

Operacioni i policisë kufitare të Sarandës është zhvilluar rreth orës 05.00 të mëngjesit, në një hapësirë detare, nga Kanali i Çukës në Sarandë e deri në Gjirin e Manastirit në Ksamil. Pikërisht, në një gji detar midis kësaj hapësire, policia ka gjetur të fshehur një gomone të braktisur, bashkë me sasinë e drogës.

Sipas burimeve policore, në gomone janë gjetur disa çanta, brenda të cilave ka rreth 60 kg lëndë narkotike cannabis sativa.

Policia e Sarandës po vazhdon një operacion nga toka, pasi dyshohet se ka ende drogë të fshehur rreth vendngjarjes. Ndërkohë në bashkëpunim edhe me seksionin e anti-drogës dhe anti-krimit të organizuar, po punohet për identifikimin e autorëve të ngjarjes. Sasia e drogës, sipas burimeve policore, ishte e destinuar për të shkuar në Korfuz.

Shpresa DINE

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›