E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topi u propozon palëve një draft pune për arritjen e kompromisit

Eljona Ballhysa
Presidenti i Republikës pritet t’u propozojë palëve një draft pune mbi të cilin do të diskutohen pikat për arritjen e kompromisit dhe për të kënaqur të dyja kampet e politikës në vend. Pas caktimit të datës nga Presidenti i Republikës për mbajtjen e një tryeze bisedimi, të dyja kampet e politikës janë shprehur publikisht pro dhe në vlerësim të kësaj përpjekjeje për të startuar zgjidhjen e krizës politike në vend. Por, nga ana tjetër, që të dyja forcat kryesore politike në vend kanë deklaruar se vazhdojnë të mbajnë fort qëndrimet e tyre të mëparshme. Kështu, kryesocialisti Rama është shprehur në mënyrë të qartë dhe të prerë se kërkesa për hapjen e kutive është kusht parësor për të hetuar procesin zgjedhor dhe se është e panegociueshme. Nga ana tjetër, demokratët vazhdojnë të deklarojnë se nuk do të shkelin vendimet e gjykatave duke nënkuptuar mos hapjen e kutive të votimit. Në këto kushte, Presidenti i Republikës pritet t’u parashtrojë palëve një draft pune mbi të cilin do të punohet gjatë kësaj jave deri në mbajtjen e tryezës së dialogut ditën e shtunë.
Drafti
Për hartimin e këtij drafti kreu i shtetit ka mbledhur qëndrimet e dy kampeve të politikës, kushtet, kërkesat, por edhe propozimet e tyre. Ndërkaq, prej ditësh Presidenti Topi ka marrë mbështetjen e faktorit ndërkombëtar në Shqipëri. Takimet e ditëve të fundit me ambasadorët më të rëndësishëm në Tiranë tregojnë për zgjerimin e mbështetjes ndaj nismës që ka ndërmarrë Presidenti Topi. Ashtu sikurse është bërë e ditur edhe pas këtyre takimeve, ambasadorët janë njohur me qëndrimin e Presidentit dhe i kanë dhënë garanci atij që do të ushtrojnë presion ndaj partive politike në mënyrë që të arrihet një marrëveshje që t’i japë fund krizës politike në vend. Kuptohet që në këtë draft pune që Topi do t’u propozojë palëve, përveçse janë shprehur qartë qëndrimet e dy partive politike, janë dhënë propozime dhe pika konkrete për të arritur kompromisin. Këto propozime kapërcejnë debatin e fundit për hapjen ose jo të kutive të votimit, por u kërkojnë dy forcave politike që të angazhohen për të hartuar një kuadër të ri ligjor për mbarëvajtjen e proceseve zgjedhore dhe të gjithë infrastrukturën e nevojshme që lidhet me këto procese, në mënyrë që të mos ketë vend për kontestim rezultati apo për manipulimin e tij. Po kështu, kreu i shtetit do të kërkojë bashkëpunim për reformat e rëndësishme në vend që kërkojnë shumicë të cilësuar në Kuvend, veçanërisht në reformën e Drejtësisë. Kjo kërkesë vjen edhe në vazhdën e kërkesave të ndërkombëtarëve për të realizuar këtë reformë të rëndësishme për vendit. Që të gjitha këto pritet të diskutohen në tryezën e së shtunës, ku palët pritet të mos përqendrohen vetëm te çështja e kutive, por të zhvillojnë një debat më të gjerë që në thelb do të ketë mbrojtjen e interesave të vendit, që është realizimi i reformave dhe integrimi europian.

Bosh: “Politika shqiptare të lexojë me kujdes Rezolutën e KiE-së”

Ambasadori i OSBE-së në Tiranë, Robert Bosh, fill pas publikimit të Projektrezolutës së KiE-së, u bëri thirrje partive politike në Tiranë që të lexojnë me kujdes rekomandimet e bëra në këtë dokument të rëndësishëm. Ai tha se është koha që partitë politike në Shqipëri të ulen në një tryezë dialogu në të mirë të Shqipërisë dhe shqiptarëve. Sipas kreut të Prezencës së OSBE-së në Tiranë, është momenti që palët të arrijnë në një kompromis, pasi kjo është në të mirë të interesave kombëtare të Shqipërisë.
“Mendoj se Projektrezoluta e Këshillit të Europës, e cila shpresojmë se do të pranohet këtë javë në Strasburg, do të krijojë një situatë ku partitë mund të mblidhen së bashku. Jam i gëzuar me reagimet pozitive të deritanishme ndaj sugjerimit nga të dyja palët, që është gjë e mirë. Tani thjesht duhet të merren hapa të tjerë nga të dyja palët. Nëse kemi dy grupe apo palë që kanë opinione të ndryshme, duhet arritur një lloj kompromisi, se nuk është një lojë futbolli që mund të ketë një fitues, madje këtu, për hir të interesave të vendit, nuk duhet të ketë në fakt as dy fitues, por fitues duhet të jenë të 3.5 milionë njerëzit që jetojnë në këtë vend. Është në të mirë të vendit që të kërkohet një kompromis në përputhje me sugjerimin e bërë nga Këshilli i Europës”, - është shprehur Bosh.

Lohan e Montobio, dy negociatorët kyçë të krizës

Në prag të fillimit të sesionit të ri parlamentar, Diplomacia ndërkombëtare ndërmori disa ecejake diplomatike në përpjekje për të zgjidhur krizën e rëndë politike në vend. Në përpjekje për të ulur palët, me qëllim gjetjen e një zgjidhjeje të arsyeshme politike dhe për t’i nxjerrë nga qorrsokaku ku janë futur, ambasadori i Komisionit Europian në Tiranë, Helmut Lohan dhe ambasadori spanjoll, Emanuel Montobio, vend i cili ka dhe kryesinë e radhës së Presidencës së BE-së, kanë zhvilluar së fundi një sërë takimesh të rëndësishme me aktorët politikë shqiptarë. Në këto takime, Brukseli, nëpërmjet zyrtarëve të lartë të saj në Tiranë, është përfshirë në një tur negociatash me qëllim zgjidhjen e krizës politike në vend. Pas takimit për rreth 90 minuta me dyer të mbyllura në selinë e PS-së me kreun e saj Edi Rama dhe me deputetë të kësaj force politike, ambasadori Montobio, përsa i takon bojkotit, tha se Komisioni Europian ka bërë të ditur prej kohësh vendimin e tij, duke deklaruar se “dialogu duhet të vendoset mes palëve dhe të bëhet në institucione”. “Qëllimi i këtij takimi, siç e kam thënë edhe më parë, është prezantimi i prioriteteve të Presidencës spanjolle. KE e ka bërë të qartë se mënyra më e mirë për të mbrojtur pozicionet e tyre është dialogu konstruktiv nga ana e të gjitha partive politike. E unë këtu përfaqësoj Këshillin Europian, komunitetin europian”, - tha ambasadori Montobio.

10 Shkurt 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›