E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: Do ndryshojmë sistemin e hyrjes në universitete. Janë bërë si skemat piramidale

VLORË-Në qytetin ku dhe po kandidon për deputet, kreu i PS ka zgjedhur të bëjë një bashkëbisedim me pedagogë, mësues e studentë. Edi Rama nga Vlora ka theksuar se kur PS të vijë në pushtet do të ndryshojë sistemin e hyrjes në universitet.
“Na duhet cilësi dhe jo sasi. Duhet të ndryshojmë gjithë sistemin e hyrjes në universitet. Por të hapim korsinë tjetër, që kush nuk ka mundësi të zhvillojë universitetin të marrë një zanat dhe jo të mbetet në rrugë. Pra universitetit ti japim cilësi më shumë se sasi”, tha Rama në bashkëbisedimin me mësues e pedagogë.

Por sipas kryesocialistit, kjo nuk do të thotë se ata persona që nuk fitojnë Universitet do të mbeten në rrugë.
“Cfarë duhet të bëjmë ne? Për nxënësit e shkollës së mesme duhet të ketë dy rrugë, universiteti për ata që e meritojnë dhe zanati për të tjerët. Sot kemi një numër më të lartë të juristëve për m2, elektriçist zor se e gjen, dhe hidraulik, teknik në naftën, në energjitikën, marangozi etj”. 

Duke theksuar se sistemi universitar duhet të bëhet konkurrues, Rama akuzoi qeverinë se me sistemin për universitetet ka bërë hilenë më të madhe. Kreu i PS e ka krahasuar me skemat piramidale të vitit 1997.
“Qeveria ka blerë qetësinë duke blerë hilenë më të madhe. Nga kjo që ka bërë më universitetet është e njëjta me atë që është bërë në skemat piramidale financiare. Për mua janë njësoj. Futini lekët atje se shumohen si me magji, dhe këtu ju thotë, investojini ju prindër kursimet tuaja që fëmija juaj të bëhet me shkollë të lartë, jo vetëm kaq por me master e doktorature. Dhe ju universitete shqyuni sa më shumë të nxirrni sa më shumë studentë, ju pedagogë mos bëni shumë llafe por shkoni në mitingje dhe vitet kalojnë dhe pasojat kanë filluar të ndjehen tek shtimi i numrit të të papunëve me diploma. Kështu si ata që hodhën skemat piramidale me diplomë, kështu dhe të rinjtë mbeten me gisht në gojë sepse nuk i garanton një punë diploma. Dhe diploma jo automatikisht të jep punë, dhe të shkosh në Francë, punën nuk ta jep diploma, por të gjesh një punë nëpërmjet rrugës së konkurrencës”. 

RAMA: UNË E KAM NJË ZAKON TË VJETËR
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama ka treguar sot gjatë bashkëbisedimit me pedagogë e mësues se diplomat janë bërë aq të shumta dhe të thjeshta për t’u marrë sa kjo histori që ua solli si shembull.
“Unë kam një zakon të vjetër. Në orën 12 të natës marr një taksi dhe i hip dhe i them shoferit, jepi nisu dhe fol. Taksistët janë barometër i mirë për të folur. Por nuk po gjej më taksist pa diplomë. Ky i fundit tha mora master për juridik. Në mëngjes tha marr kalamajtë e pronarit i çoj në shkollë, gruan e tij në shoping. Tani e mora masterin do marr dhe doktoraturën. Me një fjalë problem i madh, ky i diplomave”, tha Rama, duke iu referuar faktit se diploma nuk të shërben për punësim.

(d.b/BalkanWeb) Lidhje te tjera Rama: PS zotime konkrete, Berisha muhabete e përralla në televizion Rama: Unë e kam një zakon të vjetër

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›