E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: Do të anullojmë privatizimet korruptive të PD

Partia Socialiste ka denoncuar dje vendimin e qeverisë, për të privatizuar 1280 prona publike, si një tentativë për të vjedhur pasurinë e shqiptarëve, në funksion kjo dhe të zgjedhjeve të ardhshme lokale. Në një dalje të posaçme për mediat, kreu socialist, Edi Rama, duke iu referuar pikërisht këtij vendimi të ekzekutivit, ka paralajmëruar se ky proces do të shndërrohet në një moment, ku do të vidhet prona publike, megjithëse ka garantuar se çdo pronë e shitur sot nga shteti, do të verifikohet nga e para, kur socialistët të vijnë në pushtet. “A ka shqiptar që nuk e parafytyron se në këtë batërdi të lajmëruar dje, nga i ashtuquajturi Kryeministër, do të zhvillohen si në video kusarinë që pa mbarë bota, 1280 episode me bllok në dorë për të grabitur dhjetëra e dhjetëra miliona euro, e zhbërë akoma më shumë pasuri në euro të popullit shqiptar? Më 18 shkurt, në bulevard për të kërkuar dorëzimin e bllokut të ndyrë të kusarive që po shkatërron Shqipërinë”, - tha kreu socialist në fjalën e vet. Për të ilustruar grabitjen e pronës publike, ai ka prurë disa shembuj konkretë, ku ndërmarrje apo kompani publike janë shkatërruar qëllimisht në vite, për t’i ulur vlerën gjatë privatizimit. “Albpetroli dhe Posta Shqiptare janë vetëm dy nga këto 1280 pasuri. Të cilat janë ndërmarrje strategjike të rrënuara qëllimisht, vit pas viti, përmes rrjepjes sistematike me objektiv, jo vetëm fitimin e paligjshëm të ditës, po edhe nxjerrjen pastaj në një shitje si kjo, e lajmëruara dje nga Saliu, ku blerësit, brenda apo pranë oborrit të pushtetit, të mund t’i marrin badjava”, - tha Rama. Ky proces masiv privatizimi, sipas kryetarit të PS-së, është një arsye më shumë që shqiptarët të dalin dhe të protestojnë në bulevard në datën 18 shkurt. Por ai ka garantuar shqiptarët se PS nuk do të lejojë që këto prona, që po privatizohen sot, të mund të gëzohen për shumë kohë, pasi sipas tij qeveria socialiste do bëjë verifikimin e plotë të shitjes së tyre. “Disponojmë informacion të konsiderueshëm për destinacionin e këtyre pasurive. Pra për ku janë nisur shumë nga këto pasuri, që sot janë të popullit dhe nesër, por siç tha Saliu, para zgjedhjeve lokale, sepse ka ngut është në ikje, do të kalojë në duar që i dimë. E dyta pikërisht sepse ky nuk është proces privatizimi, por është proces plaçkitje. Ne do të ndërtojmë një proces transparence të paparë sapo të jemi në qeveri”, - theksoi kryesocialisti. Transparencë kjo që, sipas kreut socialist, nuk do të mbesë vetëm në kuadrin e konstatimeve dhe deklarimeve, por për shkelësit e ligjit do të kërkohet dhe penalizimi ligjor. “Jo vetëm do zmbrapsim çdo proces privatizimi të korruptuar, por çdonjërën nga këto pasuri ku transparenca dhe ekspertiza do të nxjerrë shkelje, por më shumë se kaq, do t’i shkojmë deri në fund edhe transparencës për burimet e pasurisë të cilitdo që do të marrë në zotërim pasuritë e këtij populli, përmes proceseve të korruptuara të privatizimit. Që do të thotë se jo vetëm kjo dosje gjigante më e madhja, më e turpshmja dhe më spektakolarja, për përmbajtjen korruptive, nuk do të mbyllet dhe as do të mbetet në nivelin e denoncimit normal në procesin e transparencës që ne kemi ndërmarrë si opozitë, por do të jetë një dosje që do t’i lihet në dorë publikut shqiptar në dritën e diellit”, - përfundoi Rama fjalën e vet.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›