Depozitat në banka, interesat i kthehen rënies
Interesat e depozitave për dy monedhat kryesore, lekun dhe euron, kanë nisur një trend rënës, që do të vijojë edhe këtë vit. Banka e Shqipërisë konfirmon faktin se, interesat post-krizë do të vijnë në ulje afër logjikës normale të tregut. Sipas një vëzhgimi të fundit të Bankës Qendrore, sistemi bankar ka aplikuar ulje të lehta dhe të njëpasnjëshme të interesave, për të gjitha afatet e maturimit. Pavarësisht disa ofertave promocionale, të aplikuara kryesisht në afatin e shkurtër gjatë sezonit veror, normat mesatare të interesave të depozitave në lekë, kanë ndjekur prirje rënëse. Mirëpo uljen e mëtejshme të interesave të kursimeve, sipas BSH, po e pengon konkurrenca e bankave, të cilat synojnë që nëpërmjet interesave joshëse të thithin paranë jashtë bankave. Kështu norma mesatare e interesave për depozitat në lekë, gjatë gjysmës së dytë të vitit 2010 rezultoi 5.13%. Në vitin 2009, norma mesatare e interesit për depozitat në lekë ishte mbi 6 për qind. Krahasuar me gjysmën e parë të vitit 2010, interesi për depozitat 12-mujore u ul me 0.31 pikë përqindjeje, depozitat 3-, 6- dhe 24-mujore u ulën respektivisht me 0.31, 0.22 dhe 0.45 pikë përqindjeje përkatësisht, raporton Banka e Shqipërisë. Gjithashtu, bankat nuk kanë aplikuar oferta për interesat e depozitave në fundvit, duke shfaqur stabilizimin e gjendjes së likuiditetit në sistem dhe rënien e primeve të rrezikut. Të dhënat paraprake tregojnë se rënia e interesit të depozitave ka vazhduar dhe në fillim të këtij viti. Interesat për depozitat me afat në euro, në përgjithësi, kanë ndjekur të njëjtën tendencë lëvizjeje me ato në monedhën vendase. Në vlerë mesatare ato shënuan 2.16% në periudhën korrik-nëntor, 0.17 pikë përqindjeje më poshtë, krahasuar me pjesën e parë të vitit 2010, raporton Banka Qendrore. Ulja e interesave është regjistruar për të gjitha afatet e maturimit, më konkretisht depozitat 12-mujore ranë 0.40 pikë përqindjeje, ato 3- dhe 6-mujore u ulën me 0.54 dhe 0.10 pikë përqindjeje. Megjithatë, niveli i lartë i konkurrencës nga ato banka, të cilat përdorin interesat e depozitave në monedhë europiane si kosto fondesh, ka nxitur mbajtjen e marzheve të larta për depozitat në euro, për sistemin bankar në tërësi, në krahasim me normat në tregun europian. Mirëpo, sipas vëzhgimit të Bankës së Shqipërisë, përveç depozitave, ulje kanë pësuar edhe interesat e kredive. Kështu periudha korrik-dhjetor 2010 është karakterizuar nga rënie e normave mesatare të interesit për kreditë në lekë dhe luhatshmëri të normave të interesit për kreditë në euro. Një nga faktorët kryesorë ka qenë efekti sezonal i kërkesës së biznesit për kapital qarkullues në lekë dhe rritja e inventarëve në muajt e fundit të vitit. Nga ana tjetër, monitorimi strikt dhe rreziku i kursit të këmbimit kanë qenë faktorë që kanë ndikuar në mbajtjen e marzheve të larta, për kreditë afatshkurtra në euro. Në gjysmën e dytë të vitit 2010, norma mesatare e interesit për kreditë në lekë ka rezultuar me një ulje prej 1.1 pikë përqindjeje, krahasuar me gjashtëmujorin e parë të vitit. Sipas afateve të maturimit, ulja më e madhe e interesave është aplikuar në afatin e shkurtër për biznese, nga 0-1 vit. Gjithashtu, bankat kanë vazhduar të favorizojnë kreditimin në monedhën vendase për pasuritë e paluajtshme për individët. Norma e interesit për kreditë në euro është karakterizuar nga një luhatshmëri e lartë gjatë muajve korrik-nëntor. Në vlerë mesatare, ajo shënoi 7.53%, duke u ulur me vetëm 0.02 pikë përqindjeje në këtë periudhë, krahasuar me gjashtëmujorin e kaluar.