E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: Do të fillojmë "spastrimin" e Parkut të Liqenit

Dëgjesatt publike për Planin Rregullues të Tiranës vijuan dje me konsultimet publike me banorët e njësive 1, 2 dhe 3. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, premtoi fillimin e shpejtë të punës për rikualifikimin e të gjithë Parkut të Liqenit. Rama garantoi se "ky projekt është tashmë i përfunduar dhe së shpejti do të fillojmë me ndërhyrjen e parë në Parkun e Liqenit, i cili jo vetëm do të pastrohet nga disa ndërtime të paligjshme të mbetura aty, por edhe do të rikualifikohet, duke mos krijuar më, as edhe një lloj ndërtimi". Në fazën e dytë, kryebashkiaku premtoi se do të ndërhyhet me një projekt të madh, të risistemimit të pasqyrës ujore të Parkut të Liqenit, që do të ribëhet nga e para, me një infrastrukturë të modernizuar, me plazhin urban që do të ngrihet aty ku sot është diga e liqenit. Rama është shprehur i gatshëm edhe për të filluar ndërtimet sociale që do të jenë pjesë integrale e planit të ri rregullues për kryeqytetin. "Pas disa ndërhyrjeve shumë sporadike dhe krejt të pamjaftueshme, për të sistemuar familjet në nevojë për strehim, ne jemi në gjendje që të fillojmë këtë proces dhe të fillojmë t‘u përgjigjemi atyre që prej kohësh presin për të marrë një strehë", theksoi numri një i kryeqytetit. Në territorin e njësive nr. 1, 2 dhe 3 në Tiranë parashikohen të krijohen shtatë nënqendra të rëndësishme. Do të fuqizohet Qyteti Studenti dhe fakultetet përgjatë Rrugës së Elbasanit, ku nuk do të mungojë një kampus dhe zone mikse. Territori në veri të Sanatoriumit mendohet të shndërrohet në zonë rezidenciale me ndërtesa trekatëshe dhe funksione sociale. Profarma dhe Porcelani do të kthehen në zona me funksione mikse edhe në funksion të pasurimit të polit kulturor të Kinostudios. Poligrafiku do të ruajë funksionin ekonomik, ndërsa territori i lirë në jug do të transformohet në një pol atraktiv për zonën. Struktura e ish-stallave, sot të degraduara, mendohet të transformohet në minibutikë që do të integrohen me zhvillimin e propozuar të zonës. Këtu synohet të ruhet gjelbërimi i dendur. "Zona te Kombinati i Autotraktorëve ku pronësia është në pjesën më të madhe e Bashkisë së Tiranës, ka filluar të zhvillohet me një projekt ambicioz, që synon të krijojë një lagje model, me të gjitha lehtësirat publike të nevojshme", shprehen drejtuesit e bashkisë. Sipas tyre, zona e fundit është një territor sot i lirë, në të cilin synohet të orientohet zhvillimi drejt krijimit të një lagjeje rezidenciale, me kualitet të lartë, ku të gjejnë hapësirë dhe rezidencat e ambasadave apo fondacioneve të huaja që punojnë në Tiranë. Synohet të krijohet dhe lehtësohet aksesi me parkun e Farkës dhe të Dajtit e të formatohet parku përgjatë lumit të Lanës. Ndërtimi i unazës së madhe i përket fazës së tretë të ndërhyrjeve publike. Bashkia e Tiranës ka vënë në dispozicion të qytetarëve të interesuar, adresën e internetit tiranaplan@tirana.gov.al, ku qytetarët janë të lutur të dërgojnë komentet, vërejtjet, sugjerimet e tyre lidhur me planin e ri rregullues.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›