Rama: Do ti mbushim sheshet derisa të hapen kutitë
Opozita nuk është tërhequr nga kërkesa për zgjedhje të parakohshme. Këtë e deklaroi dje kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama, gjatë komunikimit me gazetarët në Tiranë dhe Shkodër. Ai siguroi se PS-ja po punon për afrimin e tyre, ndërsa përshëndeti deklaratën e OSBE-së, duke e konsideruar atë si një hap përpara. Rama interpretoi vendimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2003 për komisionet hetimore, duke konstatuar se opozita ka të drejtë kur kërkon hapjen e kutive dhe se kërkesa është në bazë të vendimit të Gjykatës Kushtetuese, sikundër theksohet edhe në deklaratën e OSBE-së dy ditë më parë. Duke sqaruar qëndrimin e socialistëve se me hapjen e kutive nuk kërkojnë ndryshim rezultati e si pasojë edhe marrjen e pushtetit, Rama tha se PS-ja nuk ka hequr dorë nga zgjedhjet e parakohshme. Kreu socialist u shpreh pozitiv për respektimin e dy rezolutave të miratuara në Asamblenë Kombëtare dhe në Kongres, ku zgjedhjet e parakohshme janë një objektiv i qartë. “Pa as më të voglin dyshim që ne nuk jemi tërhequr, përkundrazi, po punojmë përditë për të afruar zgjedhjet në Shqipëri”, tha Rama.
Rama u ndal gjatë te vendimi i Gjykatës Kushtetuese, i cili, sipas tij, nuk bie ndesh me hetimin parlamentar. “Unë nuk mund ta kufizoj të drejtën tuaj për të ngrënë karremin e pushtetit sa herë pushteti e hedh karremin, domethënë çdo ditë. Fakti është se ne nuk kemi paraqitur asnjëherë dhe në asnjë rast të vetëm gjatë afishimit të qëndrimit tonë pretendimin për të hetuar ndonjë vendim gjykate dhe qysh në krye të herës ne e kemi njohur rezultatin e zgjedhjeve përderisa kemi njohur faktin që me Parlamentin e Shqipërisë do të kemi një marrëdhënie të kushtëzuar nga kjo transparencë”, ngulmoi Rama. Sipas tij, Gjykata Kushtetuese në vendim është shprehur në formën më kuptimplotë të përgjigjes për atë që ai e cilësoi “dilemë të ngritur enkas nga ana e pushtetit thjesht për të shmangur hetimin parlamentar të plotë dhe të tërësishëm”. Hetimi ynë parlamentar, vijoi ai, synon dy drejtimet kryesore, nxjerrja e përgjegjësive për deformimet në procesin e administrimit të votës dhe nxjerrja e konkluzioneve për përmirësimin e mëtejshëm të procesit zgjedhor.
I pyetur për datën 6 mars, kohë e artikuluar mjaft shpesh edhe nga faktori ndërkombëtar, kur kriza duhet të ketë marrë fund dhe opozita të jetë kthyer në Parlament, Rama nënvizoi se 6 marsi është një ditë e zakonshme dhe nuk shënon asnjë përfundim të afatit të mandateve për deputetët socialistë. Sakaq, ai reagoi edhe për incidentin kundër kreut të PS-së së Vlorës, Eltar Deda, duke kërkuar zbardhje të menjëhershme të ngjarjes.
“është rast jashtëzakonisht i rëndë që ka revoltuar të gjithë njerëzit tanë dhe kërkojmë zbardhjen pa humbur kohë. E patolerueshme që një ngjarje e tillë të ndodhë dhe e patolerueshme që për një ngjarje të tillë të mos ketë sensibilizim dhe prononcim nga ana e pushtetit”, nënvizoi kryetari i Partisë Socialiste.
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka zhvilluar takimin e radhës me gazetarët e qytetit të Shkodrës. Kryetari i PS-së, Edi Rama, u shpreh se PS-ja vazhdon të jetë në protestë, pasi deputetët e PS-së kanë refuzuar hyrjen në Parlament. Rama përcolli mesazhin se nuk do të ketë asnjë rrugë tjetër që opozita të hyjë në Parlament vetëm nëse do bëhet transparenca e votimit duke hapur kutitë. “Vetëm kur të hapen kutitë, opozita do hyjë në Parlament”, u shpreh ai. Duke folur më tej për situatën politike të krijuar në vend, kreu socialist nënvizoi se “do vazhdojmë të kërkojmë të drejtën tonë deri në fund. Nëse nuk hapen kutitë, opozita do protestojë, do mbushë sheshet e nuk do zbrazen deri sa mazhoranca të kuptojë se kutitë duhen hapur si e vetmja rrugë për të nxjerrë vendin nga kriza politike”.
#